Postuar nga: Telnis Skuqi | 27 Qershor, 2011

INVESTIGIM / Dy dokumentet e falsifikuara përtej kufirit

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Në fillim të këtij viti, Gëzim Sala, rektori i Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, ka përjetuar çastet më të vështira të karrierës së tij akademike.

Dikush guxoi të falsifikonte dy dokumenta me firmën e tij dhe vulën e institucionit më të rëndësishëm në jug të vendit, për të përfituar padretjësisht një projekt ndërkombëtarë, të financuar nga Komisioni Europian, me vlerë 380466 euro.
I gjetur përpara një fakti të tillë, rektori Sala, nisi një hetim vetjak për të gjetur, sipas tij, fajtorin
“Nuk i kam besuar syve. Si është e mundur që dy dokumentat të falsifikuar të dërgohen si të mirëqëna në Greqi, pranë zyrës Modern Greek and European Studies-Publications (NEOHEL) pa dijenin e funksionarit më të lartë të Universitetit dhe të mos konfirmohet nga askush origjinalitet i saj”, pyet dhe përgjigjet Sala.
“Rektori është autoriteti drejtues i institucionit të arsimit të lartë, i cili e përfaqëson atë dhe vepron me emër dhe për llogari të tij”, shton ai.
Sipas tij, Universiteti i Gjirokastrës ishte një nga gjashtë partnerët e projektit “Metodë për të mësuar me lehtësi greqishten. Metodë dygjuhëshe (krijim dhe botim)”, dhe kryekoordinator i projektit ishte zyra e Modern Greek and European Studies-Publications (NEOHELL), me seli në Athinë (Greqi).
Sala dyshon se dy dokumentat e falsifikuara janë kryer nga pedagogu i këtij universiteti, Panajot Barka, tashmë i shkarkuar nga të gjitha funksionet.
“E kam thirrur në zyrë tetë herë, por tetë herë nuk ka ardhur për të shpjeguar pozicionin e tij. Ai (Panajot Barka) pretendon se dokumentat nuk janë falsifikuar prej tij”, sqaron Sala.
Për të, dy dokumentat e falsifikuar janë firmosur dhe vulosur pa praninë e përfaqësuesit ligjor.
“I vetmi dokument i firmosur nga ana e rektorit ka qenë “Memorandum Bashkëpunimi”, më 2 mars 2010, me emërtesë “Dokument parakontraktor”, ndërsa dy dokumentat e tjera nuk janë protokolluar pranë institucionit, ashtu siç e kërkon ligji”, nënvizon Sala.
Sala tregon se dokumentat u zbuluan rastësisht, kjo fal “bashkëpunimit” me kryekoordinatoren e projektit, Angeliki Georgantzis.
“Pala greke ishte e detyruar të bënte transparencë programin, por kjo nuk ndodhi. Si drejtues i institucionit vendosa të tërhiqem nga projekti, por znj. Georgantzis më rekomandoi sinqerisht të mos e bëj një veprim të tillë, pasi ajo pretentonte me të drejtë, se unë isha firmëtar i dy dokumentave dhe universiteti mund të penalizohej”, thotë Sala, ndërsa nënvizon se për këtë arsye i kam kërkuar palës greke vënien në dispozicion të dokumentave, gjë që nga ana e tyre u krye me korrektësi.
“Të them të drejtën ngela i befasuar. Ky është turp për Universitetin”, pohon Sala.

Projekti

Gëzim Sala, rektori i Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, thotë se projekti “Metodë për të mësuar me lehtësi greqishten. Metodë dygjuhëshe (krijim dhe botim)”, me vlerë 380466 euro, përfshinte gjashtë universitete të mbarë Europën: dy në Greqi, një në Turqi, një në Francë, një në Ukrainë, si dhe një në Shqipëri.
Sipas projektit, Universiteti i Gjirokastrës do të përfitonte një laborator me vlerë 12 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër ndahej në mënyrë të barabartë me pesë partnerët e tjerë.
“Projekti ishte i mirë, pasi studentët do të përvetësonin gramatikën e gjuhës greke me metoda bashkëkohore, fal instalimit të laboratorit”, shprehet Sala.
“Fatkeqësisht, Universiteti i Gjirokastrës është tërhequr zyrtarisht nga projekti, për shkak të falsifikimit të dokumentave zytare”, thotë me keqardhje Sala, ndërsa nënvizon se ky episod duhet të bëhet mësim për çdo individ.

Reagon NEOHELL

Angeliki Georgantzis, administratorja e zyrës Modern Greek and European Studies-Publications (NEOHELL), me seli në Greqi, në lagjen Ag. Konstantinou, Nr. 50, zyra B45, kati II, gjatë prononcimit të saj, ka pranuar se dy dokumentat e falsifikuar nuk kanë ardhur zyrtarisht me postë, por dorazi.
“Asnjëherë nuk e kemi vënë në dyshim origjinalitetin e dokumentave të Univeristetit të Gjirokastrës. Nëqoftëse vërtetohet nga drejtësia shqiptare një fakt i tillë, për mua është krim. Megjithatë, organizata jonë nuk do të përfshihet në problemet e brendshme të universitetit në fjalë”, pohon Georgantzis.
Georgantzis thotë se Universiteti i Gjirokastrës u përfshi në projekt për shkak të nivelit të lartë akademik të pedagogëve, si dhe të bashkëpunimit prej vitesh që kanë pasur me Universitetin e Janinës (Greqi).
“Kishim shumë dëshirë të punonim me këtë universitet, por dolën disa probleme, ende të pakuptuara prej nesh”, nënvizon Georgantzis.
Georgantzis thotë se autoritetet shqiptare duhej t’i kishin zgjidhur moskuptimet, për të mos u vettëhequr nga projekti, pasi, sipas saj, Universiteti humbi një shans të mirë për të përfituar një projekt fitimprurës, si për studentët, ashtu edhe për pedagogët.
“Më pëlqen arsimi në Shqipëri. Ka studentë të shkëlqyer, vital dhe që dalin të parët në mësime jashtë vendit. Por, jo çdo gjë shkon mirë”, përfundon Georgantzis.

Prokuroria

Prokuroria e Gjirokastrës thotë se ka nisur procedimin penal ndaj ish pedagogut të departamentit të gjuhës, letërsisë dhe qytetërimit grek, Panajot Barka, për falsifikim të dokumentave zyrtare, njoftuan nga organi i akuzës, në jug të vendit.
“Hetimet fillestare ndaj Panajot Barkës kanë nisur në fillim të muaj shkurt, pas kallëzimit që ka kryer Universiteti i Gjirokastrës”, theksuan burimet nga Prokuroria e Gjirokastrës.
“Dosja penale nr.42 ndodhet në fazën e hetimeve paraprake dhe shumë shpejt pritet të dëshmojë dhe i padituri Barka”, citojnë burime nga Prokuroria e Gjirokastrës.
Të njëjta burime pohuan se Universitetit i Gjirokastrës ka vënë në dispozicion të organit të akuzës plotë 14 dokumenta që vërtetojnë shkeljet ligjore që ka kryer ish pedagogu i tyre.
“Jemi në pritje të hetimeve nga organi i akuzës, ndërkohë që ky institucion është tërhequr nga projekti në fjalë”, pohon në linjë telefonike Gëzim Sala, rektori i Universitetit të Gjirokastrës, ndërsa nënvizoi se për këtë arsye Panajot Barka është shkarkuar nga të gjitha funksionet që mbante në këtë Universitet.

Flet Panajot Barka
Lidhur me këtë problem, Panajot Barka, thotë nëpërmjet komunikimit me postë elektronike (e-mail), se me përgjegjësi të plotë, personalisht nuk kam falsifikuar asnjë dokument zyrtar të Universitetit të Gjirokastrës.
“Një diçka të tillë nuk ma ka thënë zyrtarisht askush. Nuk më ka thërritur njeri për të më treguar këto dokumenta ose për të dhënë sqarim e shpjegime rreth tyre. Po ju përsëris, nëse Ti “me investigimet” e tua i disponon, mund të m’i tregosh dhe unë të mbaj qëndrim dhe përgjegjësi ligjore. Në rast të kundër ju rikujtoj se çdo përpjekje për të manipuluar opinion publik, përbën shpifje dhe konsumin të veprës penale”, shprehet Barka.
Sipas tij, çdo gjë rreth kësaj cështjeje është një trillim dhe sebep për të më pushuar mua nga puna.
“Këtë e vërteton fakti se rektori pasi më pushoi nga puna në mënyrë të paligjshëm, më 21 janar 2011, dhe kur unë isha i shtruar në spital, më pas, për të pasur një kazus hapi padi penale. Ndërkohë, sipas ligjit duhet të bënte  të kundërtën. Por, nga që nuk kishte fakte shpërdori detyrën dhe për të fituar terren në publik keqpërdori mediat”, pohon Barka.
Më tej, ish deputeti i OMONIA, në Kuvedin e Shqipëri, në periudhën 1991-1992, thekson se prokuroria e Gjirokastrës deri tani nuk disponon asnjë dokument të falsifikuar, siç pretendon rektori i Univeristetit.
“Këtë e vërteton fakti se prej pesë muajsh nuk ka asnjë person të pandehur dhe nën hetim. Unë nuk jam thirrur as si deshmitarë në këtë procec. Në kushtet e manipulimeve mediatike dhe të prapaskenave nga faktorë të ndryshëm, unë u paraqita në prokurori me dëshirën time për të sqaruar pozicionin tim në këtë proces”, specifikon Barka.
Për të, lepuri fshihet gjetkë.
Barka sqaron se brenda disa muajve Prokuroria e Gjirokastrës ka regjistruar ndaj tij dy procese penale radhazi.
“Të dy herët akuzuesit ishin titullarë nga Universitetit dhe të dy herët proceset regjistrohen nga ky organ pa fakte ligjore, mbi të cilat mbeshtesin akuzat e tyre”, thotë Barka.
“Jam i bindur se në kërkim të një kleçkeje penale për të më dënuar, e njëjta skenë do të përsëritet dhe në të ardhmen”, përfundon Barka.

Hulumtimi është realizuar
me mbështetjen
e projektit SCOOP dhe
Shoqatës daneze të
gazetarëve hulumtues

About these ads

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Kategori

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 562 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: