Reportazh/ Ksamili, gati të presë pushuesit e verës

Nga Telnis Skuqi
KSAMIL – Pas më shumë se 70 vjetësh, rruga Sarandë-Butrint, 14 km, po zgjerohet, duke i entusiazmuar vendasit, që janë përgatitur për të pritur pushuesit në këtë verë.

“Zgjerimi i rrugës do të ketë impakt në zhvillimin e turizmit në qytezën e Ksamilit. Vazhdimisht pushuesit vendas dhe të huaj kanë shprehur rezerva për sigurinë e lëvizjes”, thotë taksisti Safet Mullai.
Arqile Papuçiu, administrator i firmës “Arti”, e cila kryen punimet, thotë se volume të mëdha gërmimesh janë realizuar në terrenin shkëmbor. “Zgjerimi i rrugës ka ecur paralelisht me heqjen e bazave dhe shtrimin e trasesë në parametrat e parashikuara nga projekti”, thotë ai.
Krahas mjeteve që hapin rrugën, punojnë edhe rulat që e nivelojnë dhe e shtrojnë atë, duke përafruar pamje të ngjashme me rrugë që do të ketë përfunduar.
“Synojmë të lehtësojmë trafikun duke vendosur sinjalistikën dhe disa segmente të saj të bëhen funksionalë qysh përpara nisjes së sezonit, pa pritur që të përfundojë investimi në të gjithë gjatësinë”, thotë Papuçiu.
Për të, përfundimi i rrugës do të shoqërohet me dyfishimin e pushuesve.
“Ksamili të ofron një panoramë të mrekullueshme mjedisore, ku gjelbërimi, plazhet dhe deti i kthjellët i Jonit jetojnë të një harmoni shumëshekullore. Është e vërtetë që Ksamili është betonizuar nga të ardhurit, por brigjet vazhdojnë të jetë të virgjëra, kjo edhe falë ndërhyrjes së shtetit”, të thotë Papuçiu.
I këtij mendimi është taksisti Safeti Mullai.
Një vit më parë, taksia e Safet Mullait u dëmtua rëndë nga një makinë që donte ta parakalonte në rrugën Sarandë-Butrint, megjithëse edhe të tjerë kanë pësuar aksidente edhe më të rënda nga rruga e vështirë. Sipas tij, në verë, kur drejt Ksamilit vërshojnë pushuesit, aksidentet ishin të shumta.
“Dy vjet më parë, një familje pushuesish nga Tirana teksa po udhëtonin me automjet drejt Ksamilit përfundoi në liqenin e Vivarit, megjithatë fati ishte me ta”, shprehet Mullai, 53 vjeç. Pasagjerët shpëtuan gjallë.
Ksamili është penalizuar shumë nga infrastruktura e dobët, mendon Mullai. “Në Ksamil ndërtohen shumë vepra, banesa dhe hotele, por mungesa e sigurisë në rrugë e ka lënë pas dore qytezën”, thotë ai, duke nënvizuar se turizmi nuk zhvillohet pa një infrastrukturë moderne.
Ndryshimet kanë filluar dhe pas më shumë se 70 vjetësh, rruga Sarandë-Butrint, 14 km, po zgjerohet, duke i entusiazmuar vendasit.
“Përgatitjen për sezonin e verës kanë filluar në Ksamil. Shumë hotele turistike janë gati të presin qysh sot pushuesit. Çmimi varion nga 20-45 mijë lekë, kjo në varësi të pozicionit të objektit”, tregon Mullai.
Edhe djali i tij, Arbeni, emigrant në Greqi, ka një hotel në Ksamil. “Prej dy javë ai është kthyer nga kurbeti dhe ka nisur rregullimet për të pritur pushuesit”, shprehet ai.
Ndërsa vetë Arbeni 28- vjeçar, me dy fëmijë thotë se është habitur nga ndryshimet në rrugën Butrint-Sarandë.
“Kemi shpëtuar më në fund nga ky ankth,” thotë ai.
Arbeni tregon se Ksamili përpara 20 vjetësh ka qenë një grusht, ndërsa tani është zgjeruar.
“Nuk dëshiroj të paragjykoj të ardhurit. Ata kanë fatin e tyre. Megjithatë, konstatoj se një pjesë e mirë e tyre jetojnë me ndershmëri dhe kanë objektiva të qarta, sidomos për zhvillimin e turizmit”, shprehet Arbeni.
Vesel Koçiu, kryetari i komunës së Ksamilit, thotë se sivjet buxheti i pushtetit vendor krijon të gjitha mundësitë për të afruar shërbimet tek qytetari dhe pushuesit, por dhe për të shpenzuar drejt promocionit turistik të qytezës me përparësi turizmin.
“Ksamili ka plazhet më të pastër e të sistemuar, falë investimeve të konkretizuara edhe me dyfishimin e numrit të kontenierëve”, deklaron Koçiu.
“Në të gjitha shtëpitë ku do të ketë pushues, nuk do të mungojë uji i pijshëm, pasi është sistemuar pëfundimisht linja e furnizimit në çdo familje”, shton ai.
Sipas Koçiut, pushteti vendor ka bërë të gjitha përgatitjet që Ksamili, 6 kilometra larg nga qyteti i Sarandës, të presë mbi 30% më shumë pushues nga 60 mijë që ishte sezonin e kaluar.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s