Reportazh / Kalaja e Tepelenës, e pushtuar nga banorët pa leje

Nga Telnis Skuqi
TEPELENË – Rreth 80 familje jetojnë prej 63 vjetësh në kalanë e Ali Pashë Tepelenës, një pjesë e të cilëve nuk janë të gatshëm të largohen nga ky monument kulture.

“Tashmë pres të ndërroj jetë, por përpara se të iki dua t’ju lë pak pasuri katër fëmijëve”, pohon Rexhep Beqiri, 83 vjeç, teksa rrëken me shpejtësi një teke raki.
Beqiri tregon se kohët e fundit pushteti vendor i ka ofruar një apartament të ri, por e ka refuzuar menjëherë.
Ndryshe mendon Rezarta S., 64 vjeç, nëna e 9 fëmijëve të rritur, teksa shprehet se është gati të fillojë një jetë të re, jashtë kalasë së Tepelenës.
“Jam e pafuqishme të rikonstruktoj çatinë, pasi gjendja e vështirë financiare ma privon një gjë të tillë”, shprehet Rezarta, ish-arsimtare.
Ajo tregon se në oborrin e kalasë jetojnë së bashku romët e vjetër dhe tepelenasit, qysh pas Luftës së Dytë Botërore. Madje nuk ngurron të japë dhe informacione për këtë monument kulture, kur thotë se kalaja ka tri porta, njëra prej të cilave mban mbishkrimin “Porta e Vezirit”… Kalaja, që mendohet se daton në vitin 1819, është ndërtuar mbi një kodër me terren të ulët. Muret vijnë duke u zgjeruar në bazë nga 2,5 deri në 5 metra në pjesën e poshtme dhe 2 deri në 4 metra në të sipërmen.

Specialistët e monumenteve: Banorët duhet të largohen

Për Sevo Miçin, kryebashkiak i Tepelenës, problemi me banorët që jetojnë në kala është i mprehtë. Si një njohës i mirë i halleve të banorëve të kësaj zone ai thotë se “të thuash që janë të paligjshëm gënjen veten, pasi këta banorë kanë lindur, janë rritur, arsimuar dhe martuar në këto ambiente”.
Miçi tregon se ALUIZNI e ka përjashtuar këtë zonë informale nga procesi i legalizimit, pavarësisht se pjesa më e madhe e objekteve janë ngritur në vitin 1947.
Por përkundër kësaj, Spartak Drasa, drejtori rajonal i Kulturës Kombëtare për qarkun e Gjirokastrës, argumenton se kalaja e Tepelenës është monument kulture i kategorisë së parë dhe si e tillë askush nuk ka të drejtë të ndërtojë jetën atje.
Drasa mendon se zgjidhje ka, por grupet e interesit duhet të ulen dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët. “Drejtoria e Kulturës mbron vlerat kombëtare, pushteti vendor mbron taksapaguesit, ndërsa banorët pronat, pra çdo palë ka interesin e saj”, pohon Drasa.
Ai thotë se ligji “Për mbrojtjen e monumenteve të kulturës” është taksativ dhe për të shëruar këtë plagë duhet shumë punë.

Të dhëna për kalanë e Tepelenës
Vladimir Qiriaqi, specialist i monumenteve, tregon se kalaja e Tepelenës, një nga ndërtimet e fundit mbrojtëse të Ali Pashës, nuk ka formë të rregullt gjeometrike, përveç tri kullave pingule, që janë vendosur në kthesat kryesore të mureve për të kontrolluar më mirë terrenin nga armiqtë.
Sipas tij, porta kryesore nuk ekspozohet, është e fshehur në një drejtkëndësh, ndërsa përballë portës qëndron kulla poligonale me përmasa të mëdha.
“Arkitektura e përdorur në ndërtimin e kalasë është e ngjashme me fortifikimet e tjera të Aliut, që hasim në kalanë e Gjirokastrës, Tepelenës, Porto Palermos, Libohovës dhe Janinë (Greqi)”, thotë Qiriaqi.
Sipas tij, një element tjetër që është i pranishëm në kalanë e Tepelenës janë kullat mbrojtëse në çdo cep të ndërtesës.
“Kalaja ishte një pikë bllokuese për depërtimin në Pashallëk nga Veriu i Shqipërisë, por fakti tregon se ky objekt u pushtua lehtë nga pasardhësit e Ali Pashë Tepelenës”, thekson Qiriaqi, duke nënkuptuar banorët e sotëm të saj.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s