Reportazh / Imigranti: Fitoj nga puna e gënjej nga halli

FOTO ARKIV

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Të afërmit e H.A, 47 vjeç, babai i tre fëmijëve, mendojnë se ai punon si emigrant, duke kërkuar punë në sheshin Omonia, ose në ndonjë shesh të ngjashëm në Greqi. Në fakt, ai nuk ka punë stabël, del çdo ditë për punë në një shesh që vendasit e thërrasin Omonia, sepse aty mblidhen njerëzit që kërkojnë punë, por ky shesh ndodhet në Gjirokastër.

H.A, i cili nuk pëlqen të japë emrin e plotë, tregon se prej tre vjetësh jeton në këtë qytet si imigrant, dërgon rregullisht lekë në familjen e tij në Librazhd, falë punës, por kurrë nuk dëshiron t’u tregojë të vërtetën, deri sa të kthehet përfundimisht pranë njerëzve të tij të dashur.
“Më ka marrë malli, sidomos për fëmijët. Tre vjet më parë u largova nga familja me shpresë për t’u punësuar në Greqi. Fatkeqësisht policia e Gjirokastrës më ndaloi në kufi, pranë Kakavijës”, rrëfen ai.
H.A thotë se në Gjirokastër mbeti rastësisht, por fati i ka ecur.
“Në përpjekje për të emigruar përsëri, u punësova pranë një firme ndërtimi, në zonën e Dropullit. Të ardhurat ishin të kënaqshme dhe ky fakt më detyroi t’i thosha familjes se jetoj në Greqi”, pohon H.A, duke theksuar se këtë e bëri për të qetësuar të afërmit, të cilët ishin në merak.
Ai tregon se njëherë në javë i telefonon familjes nga një numër grek, që e ka blerë në Dervician, rreth 7 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës.
“Më vjet turp, por dua që familja ime të flejë e qetë, pavarësisht se unë nuk jetoj në Greqi”, thotë H.A.
“Gënjej nga halli”, shton ai.
H.A pohon se prej gjashtë muajsh, vendi i vetëm ku mund të gjesh punë, pavarësisht konkurrencës së fortë, është sheshi “Omonia”, që ndodhet në rrugën kombëtare Gjirokastër-Kakavije, 700 metra larg lagjes ‘Zinxhira’. Omonia e thërrasin sheshin në zhargon, por nuk është emër zyrtar i tij.
“Përgjithësisht jugorët janë korrektë me pagesat. Ata nuk të falin asnjë qindarkë, por hakun e punës kurrë nuk ta hanë”, thotë ai.
Për të, stina e pranverës është sezoni i krahut të lirë të punës, pasi, sipas traditës gjirokastrite, oborrët e banesave duhet të pastrohen nga shkurret e dimrit.
“Minimalisht fitoj rreth 20 mijë lekë të vjetra në ditë, por ka periudha që të ardhurat dyfishohen, kjo sipas vendit të punës”, tregon H.A, duke nënvizuar se në Gjirokastër është gjynah të ngelesh duarbosh.
H.A mendon se këto të ardhura nuk do t’i gjente as në Greqi, sidomos kohët e fundit, ku vendi fqinj është prekur nga kriza ekonomike.
“Ndihem me fat, pasi shumë emigrantë shqiptarë po kthehen nga Greqia, ndërsa unë vazhdoj të dërgoj të holla pranë familjes”, pohon H.A.
Ai pret të fitojë edhe disa lekë dhe më pas do të kthehet në vatrën e tij, në fund të vitit, por paralajmëron se këtë histori do ta përsërisë, në qoftë se nuk gjen punë në Librazhd.
“Gjirokastra ndryshon shumë me Librazhdin. Atje ka shumë të papunë”, shpjegon ai
H.A thotë se jugorët nuk parapëlqejnë punët e rëndomta dhe krahu i lirë i punës pothuajse sigurohet nga Shqipëria e Mesme apo nga Veriu.
“Me këtë gënjeshtër nuk jetoj vetëm unë, por edhe disa shokë të mi, me të cilët jetojmë bashkë në një banesë me qira, në zonën e sipërme të qytetit”, thotë H.A.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s