Leskovik, qyteza e vogël që u tronditën nga krimi i madh

Nga Telnis Skuqi
LESKOVIK – Soba prej druri lëshonte ngrohtësi në këto ditë të ftohta dimri, por kryefamiljari, një burrë rreth të 70-ave, i ulur në mes të divanit, të ofronte bashkëbisedim të qetë, pavarësisht se një ditë më parë përcolli për në banesën e fundit djalin e tij, 27-vjeçarin Kostika Tulla, i cili u vra barbarisht nga një çift bashkëshortësh.

Sotir Tulla, babai i dy fëmijëve, tashmë po përjeton çastet më të vështira të jetës së tij. Rreth 15 vjet më parë, vdekja i erdhi në shtëpi, duke i marrë gruan. Ndërsa në janarin e këtij viti vdekja rishfaqet përsëri tek familja Tulla, duke ia dyfishuar akoma më shumë dhimbjen, pikërisht në moshën e tretë.

Dëshimtarët
“Ishte djalë i mrekullueshëm. I gjithë qyteti i Leskovikut mbajti zi për vdekjen e tim biri, i cili ishte fjalë pak dhe punonte shumë. Në moshën më delikate, kur Kostika ishte vetëm 13 vjeç, përjetoi humbjen e nënës. Pavarësisht këtij fakti, im bir mbodhi forcat për të jetuar dhe për të përballuar jetën, pasi…”, fillon të rrëfejë Sotiri, duke mos i mbajtur lotët.
Pas një pauze disi të shkurtër, fjalinë e nis atje ku e la: “…Jeta e tij ka qenë me vuajtje. Çdo ditë dilte nga shtëpia dhe siguronte mbijetesën, ndërsa kur dielli zhdukej pas malit, atë e kishe në shtëpi”. Duke dashur të jetë sa më i përpiktë për atë që thoshte, kryefamiljari të tregon me dorë vendin ku djali i tij relaksohej pas punës.
Pasi ka treguar me pak fjalë detaje nga jeta e tij, 70-vjeçari merr frymë thellë dhe nis të tregojë momentet e vështira. “Atë ditë (e hënë), im bir nuk erdhi në shtëpi. Nuk kishte bërë vaki që ai të mos vinte në kohën e duhur. Ndërsa minutat kalonin njëra pas tjetrës u bëra shumë merak për djalin, i cili nuk la asnjë gjurmë”, thotë Sotiri.
Më tej, Sotiri shpjegon se, rreth orës 19:30 ka vënë në dijeni djalin e vëllait, Dhimitraq Tulla, një biznesmen i suksesshëm në qytetin e Leskovikut, 38 vjeç. Dhimitraqi sapo është njoftuar ka mbyllur lokalin e tij luksoz me tre kate dhe ka filluar menjëherë kërkimet.
“Qysh në fillim ka dyshuar për diçka të keqe, pasi Kostika ishte shumë i rregullt dhe nuk vononte asnjëherë. Lidhur me këtë fakt vëllai im ka vënë në dijeni edhe policinë lokale, por këta të fundit nuk vepruan shpejt, duke i lënë mundësi çiftit vrasës të ngrinin alibira të ndryshme”, tregon motra e Dhimitraqit, e cila preferoi të ngelet anonime.
“Të tre personat shoqëroheshin me njërin-tjetrin, por çifti vrasës e kishte me hile shoqërinë me viktimën, pasi ky i fundit nuk lejonte asnjë keqbërës të shpërdoronte lekët e besimtarëve”, shprehet një ekonomist nga qyteti i Leskovikut.
Lidhur me këtë fakt, Sotiri, babai i viktimës, një besimtar i flaktë i fesë ortodokse, nuk e mohon një fakt të tillë, madje ai shton se, “Kostika ishte bërë një pengesë për vrasësit, të cilët gjetën si mjet shpëtimi eliminimin fizik”.
Sipas tij, vrasësit e kanë projektuar prej kohës planin e eliminimit dhe katër ditë më parë 27-vjeçari kishte rënë në kurthin e tyre. “Janë dashur mbi 3 orë që çifti Kupe të tregojë vendin ku ndodhet trupi i pajetë i 27-vjeçarit. Gjatë gjithë natës, Policia Lokale së bashku me disa të afërm të familjes kanë udhëtuar me këmbë drejt malit të Melesit dhe në agim gjithçka është kristalizuar”, shprehet babai i viktimës.
Rreth orës 10.00 kanë mbërritur nga Korça ekspertët e kriminalistikës, të cilët kanë grumbulluar provat materiale të mjaftueshme për të akuzuar vrasësit. “Lajmin e arrestimit të tyre e kemi mësuar nëpërmjet medias dhe tani presim të veprojë ligji”, thotë Sotiri, babai viktimës.
Policia ka arritur të sigurojë prova se vrasja duhet të jetë kryer gjatë kohës që tre personat e cituar më sipër ishin duke u kthyer nga Melesini për në Leskovik. Trupi i viktimës u gjet në një humnerë, e cila shkonte deri në 20 metra thellësi. Nisur nga vendi ku është kryer vrasja, mendohet se çifti mund të ketë vepruar me paramendim, por kjo gjë mund të ketë ndodhur edhe gjatë një grindje e sipër.
Babai i viktimës ka pohuar se mes djalit të tij, Kostikës, dhe çiftit Kupe, kishte ekzistuar një kontradiktë e hershme, për shkak të një borxhi në lekë që kishte mbetur i pashlyer nga dy bashkëshortët.
Mendohet që çifti në fjalë të ketë vendosur për të eliminuar Kostikën, pasi edhe kur ata u kthyen në shtëpinë e tyre, nuk treguan asgjë për çfarë kishte ndodhur me Kostikën, gjë të cilën u përpoqën ta mbanin fshehur edhe nga policia e qytetit të tyre.
Që të gjitha këto rezultuan se kishin qenë përpjekje të dështuara të çiftit Kupe, pasi vajtja e tyre në kishën e Shëndëllisë ishte parë edhe nga njerëz të tjerë.
Thuajse të gjitha dëshmitë e banorëve të qytetit të Leskovikut flisnin për angazhim total të viktimës në punët e fesë. Kostika Tulla ishte caktuar nga prifti i zonës të grumbullonte lekët në vakëfe. Këtë punë ai e kryente prej shumë vitesh dhe sipas banorëve të këtij qyteti, 27-vjeçari ishte njeri i drejtë dhe asnjëherë nuk abuzonte me besimin e njerëzve të devotshëm.
Ndërkaq, çifti Leonidha Kupe dhe Bukuroshe Kupe (Ebeja), që ishin martuar gjashtë muaj më parë, jetonte me të ardhurat e pakta që i siguronin duke vjedhur vakëfet.
“Kisha e Shën Dëdhisë, e cila ndodhet në malin e Melesin, 1500 metra mbi nivelin e detit, nuk ka infrastrukturë rrugore dhe katër ditë më parë burrë e grua e kanë shoqëruar viktimën afër institucionit fetarë dhe më pas atë e kanë qëlluar për vdekje me mjete të ftohta”, shprehet 70-vjeçari, Sotir Tulla, duke shtuar se viktima nuk kishte rënë aksidentalisht nga gremina, siç u përfol, por atë e kishin goditur me sëpatë në kokë dhe më pas trupi i pajetë ishte hedhur në një shkurre.
Sikur biznesmeni Dhimitraq Tulla, djali i xhaxhait të viktimës, të mos kishte bërë të pamundurën për të gjetur autorët, çifti vrasës do të vazhdonte të jetonte duke vjedhur vakëfet, ndërsa trupi i pajetë i 27-vjeçarit, Kostika Tulla, do të qëndronte i fshehur në malin e Melesinit, derisa provat materiale do të humbitnin, ashtu siç ndodhi me jetën e tij.
Duke iu referuar të afërmve të viktimës, falë bashkëpunimit të ngushtë me policinë lokale është arritur të identifikohen dhe më pas të ndalohen 52-vjeçari Leonidha Kupe dhe 42-vjeçarja Bukuroshe Kupe (Ebeja).
Gjatë intervistimit fillestar nga specialistët e kriminalistikës, të dy vrasësit nuk e kanë pranuar versionin e të afërmve të viktimës, por dy dëshmitarë okularë, emrat e tyre nuk bëhet të ditur për arsye sigurie, kanë deklaruar se të tre protagonistët po udhëtonin në drejtim të kishës së Shën Dëdhisë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s