Reportazh / Ksamil: Qyteza që rrezikon zhvillimin e turizmit elitar nga informaliteti

Nga Telnis Skuqi
KSAMIL – Qyteza e Ksamilit, 7 km larg nga Saranda, dikur ka qenë një ndër më të bukura të Shqipërisë, dhe, siç thotë kryekomunari Vesel Koçiu, është krijuar nga dora e njeriut rreth 45 vjet më parë.

Ndodhur në një gji të mahnitshëm, të quajtur “Gjiri i Tetransive”, vendi është gjelbëruar me gjerdane ullinjsh, portokallesh, limonash dhe pemësh mesdhetare.
Sefet Mullai, 50 vjeç, banor i zonës prej 20 vjetësh, thotë se sistemi komunist kishte dashur të kopjonte fqinjin përballë, Korfuzin (Greqi), i cili edhe sot e kësaj dite të ardhurat i siguron nga ulliri dhe turizmi bregdetar.
“U mblodhën 200 mijë argume, me të cilave 60 mijë rrënjë ullinj”, thotë Mullai, ndërsa nënvizon se fidanët kishin ardhur nga jashtë shtetit dhe lejoheshin të vileshin vetëm për të furnizuar udhëheqjen e asaj kohe.
Ai thotë se Ksamili ka 4 ishuj të magjishëm, të krijuar nga shkëputjet e tokës prej veprimtarisë së ujërave.
Sipas tij, ishulli më i madh është rreth 5 hektarë dhe gjendet 60 metra larg bregut, ndërsa më i largëti ndodhet rreth 500 metra larg.
“E gjithë sipërfaqja e ishujve është 9 hektarë dhe në stinën e verës qindra pushues udhëtojnë me varka të vogla drejt tyre”, tregon Mullai.
Për të, turizmi është një nga sektorët e rinj, i zhvilluar veçanërisht dhjetë vjet më parë, ndërkohë që gjatë regjimit komunist zona ishte rreptësisht e kontrolluar.
I këtij mendimi është dhe kryetari i komunës së Ksamilit, Vesel Koçiu.
Ai thotë se Ksamili përfshin një zonë në pjesën veriore të Parkut të Butrintit, vetëm 6 km larg.
“Ksamili u formua në vitin 1965, me banorë të ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë”, shprehet Koçiu, ndërsa thekson se nga 20 godina që ishin deri në vitin 1990, sot janë ndërtuar rreth 400 objekte, ku gati 90 për qind e tyre janë pa leje.
Koçiu pranon faktin se pas rënies së komunizmit, qyteza është deformuar si pasojë e lëvizjes demografike dhe numri i banorëve është dhjetëfishuar pas vitit 1990, gjë që ka krijuar probleme në planin e zhvillimit të turizmit elitar.
“Ksamili ka shtuar me shpejtësi informalitetin gjatë 20 viteve të fundit, duke ulur cilësinë e shërbimeve ndaj pushuesve”, mendon Koçiu.
Sipas tij, tashmë ka ardhur koha që pushteti vendor të vendos pikën mbi “i”, pasi me këtë infrastrukturë pushuesit të kthejnë kurrizin.
“Pushuesit kërkojnë mjedise të pandotura dhe vazhdimisht është në kërkim të eksperiencave të reja, larg monotonisë së përditshme”, thotë Koçiu, i cili shton se vizitori dëshiron të ketë kontakt me natyrën, të shijojë florën dhe faunën e vendit.
Koçiu thotë se infrastruktura hoteliere është ende në hapat e para, ndërsa turizmi familjar ka marrë një hov, megjithatë ende e pakonsoliduar.
“Është një përvojë e re që ofrohet në Ksamil, por sivjet gjërat kanë ndryshuar”, mendon ai.
Agim Mato nga Saranda, poet, thotë se Ksamili duhet të mbrojë agresivisht asetet e tij, në mënyrë që të vazhdojë t’u ofrojë pushuesve vlerat dhe bukuritë e trashëguara nga shekujt.
“Është e pafalshme që pushteti vendor hesht ndaj ndërtimeve pa leje dhe nga ana tjetër të pretendojë për të zhvilluar turizmin elitar”, shprehet Mato.
Ai beson se me kalimin e viteve banorët do të ndërgjegjësohen për potencialin që ofron zona, pasi, sipas tij, “dy kunguj nën një sqetull nuk mbahen”, duke nënkuptuar se ksamilotët kanë vetëm dy rrugë: ose ta shkatërrojnë, ose të mendojnë qysh tani për të ndërtuar turizmin elitar.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s