Personazh/Alvanitasi që jeton në Greqi pa harruar prejardhjen nga Elbasani

Nga Telnis Skuqi
ATHINË (GREQI) – Në fshatin Mulq, rreth 2 kilometra larg qytetit të Qatos dhe rreth 100 kilometra larg Athinës (Greqi), pothuajse të gjithë e njohin Dhimitër Gjikën, ose “Madona” siç e njohin  banorët, një alvanitas me origjinë nga qyteti i Elbasanit.

Rreth 200 vjet më parë në fillim të shekullit 19-të, stërgjyshi i tij, komandant besnik i Ali Pashë Tepelenës, emigroi bashkë me familjen dhe u vendos në Mulq për të mos u larguar më kurrë.
Ndonëse 65 vjeç, Dhimitri energjik  flet për origjinën pa iu trembur paragjykimeve. “Jam alvanitas me gjak shqiptari. Gjyshi im emigroi dhe u vendos këtu, në Mulq”, rrëfen Dhimitri, ndërsa kujton me shumë nostalgji të atin, i cili asnjëherë nuk harroi t’i tregonte prejardhjen.
Gjyshi i Dhimitrit në kohën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, edhe pse ishte orthodoks, u rreshtua në krah të tij dhe pas vrasjes së sundimtarit të Janinës nuk u kthye në atdhe, pasi e kishte jetën në rrezik. U vendos në fshatin Mulq, aso kohe fshat në formim e sipër.
Dhimitër Gjika kujton se i atit i ka treguar që kjo zonë ishte pothuajse e pabanueshme, ndërsa sot ka pësuar  transformime të mëdha. Në fillim të shekullit 19-të, në Mulq jetonin vetëm pesë familje, ndërsa sot zona është mbipopulluar me rreth 3 mijë banorë.
Ai jeton në qendër të fshatit në një banesë 2-katëshe të rikonstruktuar. Kati i parë shërben si lokal, ku çdo mbrëmje mblidhen burrat e fshatit, të cilët pijnë e luajnë letra, një zakon i vjetër grek. Pranë tij është ndërtuar një kishë, vend “pelegrinazhi” për besimtarët.
Nuk flet shqip, por tregon se gjatë viteve të fundit ka mësuar disa fjalë nga emigrantët shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Mulq.
Në fillim në viteve 1990, kur në Shqipëri filluan lëvizjet e para demokratike, 65 vjeçari Gjika kujton se e kishte dëshirë të shikonte me sy shqiptarët, një ëndërr që u realizua, kur mijëra prej tyre vërshuan drej kufirit të mbyllur prej 50 vjetësh.
“E kujtoj si sot emigrantin e parë që erdhi në fshatin Mulq. Ishte nga Fieri, i ri në moshë, dhe e ndihmova pa kursim. Sot ai jeton bashkë me familjen, jo shumë larg prej këtej dhe jemi miq të mirë”, thotë Gjika. Ai shton se në  fillim të viteve 1990 tek kompleksi i tij buzë detit, punësoi emigrantin e parë si roje, me pagë ditore 100 mijë dhrami (rreth 40 euro).
Dhimitri tregon se i ka përkrahur shumë emigrantët shqiptarë dhe kujton se si disa vite më parë i ka bërë një “dush të mirë” një bashkëmoshatarit grek, se guxoi të fliste keq për shqiptarët.
“Bashkëmoshatari im grek, i ndikuar ato vite dhe nga media, filloi të fyente emigrantët shqiptarë, por unë iu kundërvura, duke argumentuar se falë punës së tyre, ishte bërë i pasur. Të gjitha mandarinat, portokallet dhe ullinjtë sot eksportohen drejt shteteve të Bashkimit Europian dhe fitimet janë të mëdha, pasi shpenzimet në Greqi kanë kosto të ulët prodhimi  dhe kjo falë punës së emigrantëve shqiptarë”, shprehet ai.
I bindur për punët që dinë të bëjnë shqiptarët, shprehet “se pas 20 vjetësh ata do të jenë shumë të fuqishëm nga ana ekonomike pasi janë vitalë”.
Edhe pse origjinën nuk e mohon, Dhimtëri nuk ka shkelur asnjëherë në Shqipëri. “Im vëlla Sotiri, me profesion inxhinjer elektrik në vitin 1980 erdhi në Shqipëri si përfaqësuesi i qeverisë greke për të bërë një marrëveshje dypalëshe në fushën energjitike. Gjatë qëndrimit të tij 3-javor ishte i vëzhguar nga sigurimi i shtetit, ndaj dhe unë kam pasur ndroje të vizitoj vendin tim”, shprehet Gjika.
Por ndërsa tregon, shton se sivjet e ka ndarë mendjen dhe këtë verë do të shkojë në Elbasan bashkë me djalin e tij ekonomist.
“Nuk dua të ndahem nga jeta pa parë me sytë e mi Elbasanin. Më kanë treguar se atje në çdo 14 mars festohet me madhështi Dita e Pranverës, një festë pagane”, thotë alvanitasi, baba i dy fëmijëve të rritur.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s