Reportazh / Gjirokastër: Prodhimet bio synojnë të kapin tregun

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Fermeri Sabri Muho, 55 vjeç, nga fshati “Asim Lengo”, rreth 5 kilometra larg Gjirokastrës, prej 10 vjetësh udhëton çdo ditë drejt qytetit, ku tregton prodhimet që përfiton nga rreth 7 hektarë tokë bujqësore, në pronësi të tij.

Punon përkrah tregtarëve të tjerë, të cilët përgjithësisht i sigurojnë mallrat nga burime të dyta apo të treta.
Muho kujton se në fillim e ka pasur të vështirë të punojë përkrah këtyre tregtarëve, pasi ai i tregtonte prodhimet me çmim të ulët dhe tregtarëve kjo nuk iu pëlqente.
“Konsumatorët gjirokastritë nuk dëshirojnë prodhimet e importit dhe janë të gatshëm të paguajnë disi më shumë për të blerë prodhime bio”, shprehet Muho, i cili në tokën e tij mbjell domate dhe kastraveca.
“Nuk dëshiroj që prodhimet e mia t’i shpërndaj sa andej-këtej. Kam një emër të mirë, me konsumatorët jam besnik”, pohon Muho, ndërsa nënvizon se fitimet janë të kënaqshme dhe nuk paguan taksë të drejtpërdrejt shtetit.
Fermeri 55 vjeçar tregon se fiton mesatarisht rreth dy mijë lekë të reja në ditë, paguan 50 lekë taksë vendore dhe largohet në mesditë me arkat bosh. Me këtë biznes, ai mban 6 anëtarët e familjes së tij, dy fëmijët, dy prindërit e moshuar dhe bashkëshortja.
“Këtë javë tregtia më ka ecur mirë. Emigrantët janë ‘të uritur’ të shijojnë prodhimet e vendit”, pohon Muho, i cili shton se bujqësia në jug të vendit ka nisur të lulëzojë.
Fermeri mendon se shteti ka ndikuar në zhvillimin e bujqësisë, pasi shumë bashkëfshatarë të tij kanë përfituar nga subvencioni.
Ai pohon se në komunën e Antigonesë fermerët i janë rikthyer tokës, mbjellin sipas dëshirës dhe i shesin tek tregtarët, këta të fundit i drejtohen Tiranës dhe Kosovës.
Albina Sinani, është pedagoge në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokatrës dhe jep leksionie në degën e gjeografisë ekonomike.
Ajo thotë se periudha e tranzicionit u shoqërua me reforma thelbësore që përfshijnë privatizimin dhe shpërndarjen e tokës, liberalizimin e tregut dhe të çmimeve, ndryshimin e strukturës së prodhimit bujqësor etj.
“Reformat me karakter politik dhe institucional kanë bërë që ekonomia rurale jorentabël, e bazuar në pronën kolektive të kooperativave dhe ndërmarrjet bujqësore (shtetërore), të zëvendësohej me ekonominë e bazuar në pronën private, të fermave të vogla me bazë familjare”, shprehet Siniani.
Sipas saj, realizimi i këtyre masave ka çuar në konsolidimin dhe zhvillimin e tregut të tokës, si dhe në prodhimet bujqësore.
“Mbështetja e prodhimit bujqësor është e domosdoshme në fazën fillestare të zhvillimit të sektorin privat të ekonomisë rurale. Gjatë periudhës 2005-2010 është shënuar rritje e prodhimit në sektorin bujqësisë, përkatësisht dhe 131.8%”, mendon Sinani. Për të, infrastruktura është faktor kyç për zhvillimin rural, sepse ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetesës, daljen në treg, përmirësimin e cilësisë së prodhimit, tërheqjen e investimeve etj.
“Rritja e investimeve në këtë drejtim do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e prodhimit bujqësor në qarkun e Gjirokastrës. Këto investime duhen orientuar me përparësi në zonat kryesore bujqësore, por edhe në ato malore”, shprehet Sinani.
Importet përbëjnë mbi 80% të tregut bujqësor në qarkun Gjirokastër, ndërsa fermerët vendas kanë akses të kufizuar në treg, prodhojnë pak edhe larg tregut.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për qarkun e Gjirokastrës, Shemsho Lame, mendon se ambalazhimi më i mirë dhe paraqitja më estetike e produkteve të importit, krahas kostos më të ulët të prodhimit, rrisin forcën konkuruese të produkteve të importit në raport me ato të vendit.
“Për të favorizuar prodhimin vendas është e nevojshme të krijohen tregje të vogla dhe të rritet kujdesi për menaxhimin efikas të tyre”, shprehet Lame.
Sipas tij, tashmë fermerëve duhet t’u jepet asistencë për përmirësimin e cilësisë së prezantimit të prodhimeve, etiketimin, paketimin dhe të aktivizohen të gjitha format e informacionit mbi tregjet dhe çmimet e prodhimeve bujqësore.
Lame thotë se komunat duhet të organizojnë ekspozita dhe panaire promocionale për produktet bujqësore vendore, me qëllim kapjen e tregjeve të reja, brenda dhe jashtë vendit.
“Konkurrenca nga prodhimet e importuara dhe vështirësitë për të gjetur tregje të sigurta e të qëndrueshme pengojnë shitjen e produkteve të vendit, ndonëse janë më cilësore”, shprehet Lame.
Sipas tij, fermerët përfitojnë lehtësira nga shteti, nuk paguajnë taksë për prodhimet e tyre dhe kanë mundësi të zhvillojnë tregun e prodhimeve bujqësore, ashtu siç bën fermeri Sabri Muho.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s