Reportazh / Gjirokastra, qyteti pa landfill

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Një ditë më parë, shefi i zyrës rajonale të OSBE në Gjirokastër, çeku Milan Bito, u alarmua kur pa qytetin e gurtë të mbuluar nga tymi, pas një zjarri të madh që ra në vendin ku grumbullohen mbeturinat urbane, shumë pranë periferisë së qytetit.

Milan u takua urgjentisht me kryebashkiakun e qytetit Flamur Bime, me qëllim eleminin e këtij fenomeni, pasi, sipas tij, jeta e banorëve ishte në rrezik.
Fatkeqësisht, shembulli i përfaqësuesit të OSBE-s nuk u përkrah nga banorët e tjerë, edhe pse u helmuan nga tymi që vazhdon të mbizotërojë në Gjirokastër edhe gjatë ditës së sotme.
Ëngjellush Serjani, gazetar, jeton prej 13 vjetësh në lagjen “Kodra e Shtufit”, rreth 500 metra larg vatrës së zjarrit. Ai thotë se djegien e mbeturinave urbane e përjetoi keq, pasi tymi hyri në shtëpi, siç thotë ai, si plumb snajperi.
“Duhet punuar vazhdimisht dhe me këmbëngulje, vit pas viti në të, për të krijuar një mbrojtje të mirë nga zjarret”, mendon Serjani.
Për të, pushteti vendor është fajtor, pasi prej vitesh nuk disponon asnjë strategji për të disiplinuar mbeturinat urbane.
“Sivjet, taksa e pastrimit është rritur nga 500 në 750 lekë të reja, megjithatë nuk po shikojmë asnjë ndryshim”, pohon Serjani.
Ai mendon se tashmë ka ardhur koha që të vendoset pika mbi “i” dhe shkaktarët të përgjigjen përpara taksapaguesve.
“Bashkia e Gjirokastrës ka fuqi vepruese për të parandaluar ndotjen e mjedisit, duke vendosur një roje për të mos lejuar persona të papërgjegjshëm të krijojnë situata të tilla”, shprehet Serjani.
Specialistë të Kujdesit Parësore dhe Higjenës në Gjirokastër tregojnë se ata që e vuajnë më shumë këtë katastrofë ekologjike janë të moshuarit, fëmijët dhe të sëmurët me azëm.
“Sipas analizave të nxjerra paraprakisht, ndotja e ajrit në qytetin e Gjirokastrës e ka tejkaluar 7 herë normën e lejuar, duke rritur akoma më shumë ndotjen e mjedisit”, shprehet një zyrtar, i cili preferoi të ngelet anonim.
“Mbeturinat urbane janë bërë një kancer për qytetin”, shton ai, ndërsa nënvizon se kërkesa për të zgjidhur përgjithmonë problemin e tymit ka rënë në vesh të shurdhët.
Përparim Kore, përgjegjësi i zyrës së shërbimeve pranë bashkisë së Gjirokastrës, thotë se pushteti vendor nuk ka asnjë projekt aftamesëm apo aftagjatë për të ndërtuar një landfill (vend grumbullimi të mbeturinave urbane).
“Duhen miliona euro për të ndërtuar një impiant përpunues”, thotë Kore, ndërsa informon se Gjirokastra prodhon në ditë 70 tonë mbeturina, kurse ndërmarrja e pastrimit angazhon 94 punonjës dhe 5 automjete.
“Po luftojnë për të shuajtur zjarrin, por bredhat dhe mbeturinat spitalore po shkaktojnë vonesa”, pohon Kore.
Sipas tij, ka një sipërfaqe të konsiderueshme ku mund të depozitohen mbeturinat, pranë lumin Drino, i quajtur Bipo, rreth 3 km larg në veri të Gjirokastrës, por është kundërshtuar nga anëtarët e këshillit bashkiak disa vite më parë.
“Nuk ka asnjë studim kombëtar dhe ndërkombëtar që të pranojë mbeturinat urbane të hidhen në lumë. Dhënia e votës pro për këtë propozim do të thotë të shkatërrosh ekosistemin, si dhe të helmosh lumin”, thotë shkurt këshilltari demokrat, Bexhet Çobani.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s