Reportazh / Sarandë: Anijet luftarake, mision i përmbushur

Nga Telnis Skuqi
SARANDË – Dy gjuajtës të vegjël dhe katër silirusa, të fundosura në mars të vitit 1997, rreth 200 metra larg gjirit të Limjonit në Sarandë, që vite më parë shërbenin për qëllime ushtarake gjatë Luftës së Ftohtë, sot do të përdoren për zhvillimin e turizmit nënujor, në gjirin e Ksamilit, rreth 10 km larg Sarandës.

George Ashbrichge, kapiteni i anijes ushtarake amerikane “Grapple”, tregon se ekuipazhi realizoi operacionin më të vështirë që ka ndeshur gjatë 24 vjetëve të ekzistencës së saj.
”Zhvendosja e anijeve luftarake nga Saranda në Ksamil kushtoi 1.5 milionë dollarë, por ndihem krenar që flota amerikane kontribuoi për zhvillimin e turizmit nënujor”, thotë Ashbrichge, ndërsa nënvizon se gjatë qëndrimit trejavor në jug të vendit ai është mrekulluar nga mikpritja e banorëve dhe nga gatimi tradicionale i zonës.
Ashbrichge pohon se “Grapple” është një anije shpëtimi dhe është futur në shërbim më 15 nëntor 1986.
“Kjo anije bën shpëtime në zona luftimi, rimorkimi në oqean të hapuar, nxjerrjen nga deti të objekteve të zhytura dhe operacione zhytjeje me thellësi 300 metra”, shpjegon Ashbrichge.
Sipas tij, “Grapple” ka një ekuipazh të vogël, të zellshëm dhe shumë krenar për misione të veçanta.
Më tej, kapiteni Ashbrichge, përqëndrohet tek operacioni i fundit. Ai tregon se anijet e fundosura u zhvendosën 10 km, pranë tre ishujve të Ksamilit, ku do të krijohet një poligon për zhytje të nënujit.
E ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane në Tiranë,  Deborah Jones, e pranishme në Sarandë në përfundimin e operacionit, theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit për realizimin më shpejt të misionit të flotës ushtarake.
Ajo e vlerësoi përfundimin e operacionit për nxjerrjen dhe transportimin e anijeve të mbytura si një ditë të shënuar në bashkëpunimin midis të dy vendeve, duke nënvizuar se marrëdhëniet mes Amerikës dhe Shqipërisë janë të shumëanëshme.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, i pranishëm në këtë ceremoni,  tha se zhvendosja e anijeve ushtarake është mundësuar falë një fryme shumë miqësore mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane.
“Gjashtë anije, relike të Luftës së Ftohtë të Flotës Luftarake Detare (FLD), do të përdoren  tani për atraksion turistik”, pohoi Xhaferaj.
Sipas tij, Saranda ka Butrintin, Lëkurësin, 40 shenjtorët etj., po shumë turistë kërkonin edhe zhytjen.
“Ky është një turizëm i ri, që shton kurreshtjen e të huajve”, thotë Xhaferaj.
Ndërsa, Kudret Çela , komandanti i Forcave Detare Shqiptare (FDSH), thotë se ky projekt realizohet për herë të parë në vendin tonë dhe ka të bëjë sa me turizmin nënujor dhe me zhvillimin e bazës detare të Sarandës, e cila nuk mund të ishte operacionale, pasi anijet e mbytura ishin pengesë.
“Një operacion i tillë është parashikuar të realizohet të maj të vitit të ardhshëm në Vlorë, me qëllim krijimin e një tjetër poligoni nënujor”, thotë Çela.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s