Reportazh / Libohovë: Në qytezën 1400-vjeçare, për herë të parë një panair agrobiznesi

Nga Telnis Skuqi
LIBOHOVË – Dhimitër Bonja, teknolog, 67 vjeç nga Përmeti është një nga dhjetë biznesmenët e pranishëm në panarin e agrobiznesit në Libohovë, organizuar për herë të parë në qytezën e vogël kodrinore 1400-vjeçare, rreth 17 km larg Gjirokastrës.

Bonja tregon se prej 15 vjetësh prodhon dhe shet në zonat jugore gliko, reçel e verë, një biznes që i’a dedikon familjes së tij.
“Tre djemtë e mi nuk kanë emigruar kurrë dhe e administrojnë këtë biznes qysh në vitin 1995”, thotë Bonja, ndërsa shton me keqardhje se fëmijët janë aq të pasionuar pas punës, sa kanë ngelur beqarë. “Vetëm unë jam i martuar”, shton me humor ai.
Bonja kujton se vitet e para ishin të vështira, nuk njihte tregun e lirë.
“Kam punuar teknolog që nga viti 1962 në fabrikën e konservave në Këlcyrë dhe ishte një kohë kur sistemi komunist punonte me plane”, shpjegon ai.
Sot, lëndën e parë e sigurojnë nga fermerët e zonës me shumë lehtësi, ndërsa tregun e ka të sigurtë.
“Prodhim është cilësor, bio dhe pa hile, kjo falë traditës përmetare. Afro 80% e prodhimit shitet në Përmet, ndërsa pjesa tjetër shkon në Tiranë”, thotë Bonja.
Ai mendon se ka mundësi ta pesëfishojë prodhimin, të punësojë 10 veta, por vështirësi has tek sistemi bankar, ndaj dhe sugjeron që shteti duhet të ndërhyjë për ta disiplinuar këtë treg, si dhe të shtojë survencionimin ndaj biznesve ushqimore.
“Bankat që japin kredi duhet të rishikojnë politikat e interesit për disa kategori, sidomos në sektorin e bujqësisë”, thotë Bonja, ndërsa nënvizon se ai ka marrë një kredi 3 milionë lekë të vjetra dhe mezi e shlyen.
Ndërsa vlerëson se taksat ndaj biznesit të vogël janë ulur gjatë viteve të fundit, sipas tij, ka ende vend për të parë.
“Konkurrenca nuk më shqetëson. Çmimin e prodhimit e ndaj me konsumatorin”, thotë Bonja, duke shtuar se një vazo me gliko 500 gr shitet 200-220 lekë të reja.
Izet Bejko nga Lazarati, 56-vjeçar, baxhoxhi që nga djalëria, baba i katër fëmijëve me dy djem e dy vajza, pjesëmarrës në panarin e Libohovës, thotë se vitet e fundit prodhimet e vendit kanë filluar të promovohet nën kujdesin e institucioneve të specializuara.
Bejko që prej 18 vjetësh administron një baxho pranë fshatit Kordhocë, 3 km larg Gjirokastrës, thotë se prodhimi i shitet sa hap e mbyll sytëm ndërsa qumështin e siguron përqark Libohovës.
“Është profesion i vështirë, ka kleçka, duhet t’i rrish te koka, në rast të kundër ta rrëmben tjetri tortën”, thotë ai.
“Biznesin e kam mbështetur me forcat e mia dhe fitoj mesatarisht në vit 16 milionë lekë të vjetëra”, pohon Bejko, duke shtuar se vitet e fundit ka punësuar tre punëtorë, rroga e të cilëve varion nga 300 deri në 500 mijë lekë të vjetra.
Saimir Vecani, fermer, 28 vjeç, nga Libohova shpjegon se shumë fermerë të rinjë janë mbështetur në përvojën e traditës familjare për kultivimin e pemëve frutore dhe vreshtarisë.
“Kjo kulturë po trashëgohet brez pas brezi dhe vitet e fundit janë shtuar sipërfaqet e mbjella me hardhi, pemë frutore dhe ullinj”, thotë Vecani, që shton se qeveria duhet të zgjerojë skemën e subvencionit për kultura të tjera bujqësore, si grurë, misër, jonxhë, etj.
Altin Como, kryetari i bashkisë së Libohovës, thotë se zona e ka të zhvilluar blegtorinë dhe vreshtarinë.
“Gjatë 4-5 viteve të fundit fermerët kanë marrë iniciativën për të investuar në ngritjen e vreshtave të reja”, shprehet Como.
Sipas tij, prodhimet e blegtorisë preferohen nga kosumatorët, një shenjë e mirë kjo, ndërsa kultivimi i pemëve të ndryshme frutore vijon sipas një tradite 700-vjeçare.
Genc Ruli, Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes se Konsumatorit, i pranishëm në panairin e Libohovës, thotë se subvencionet gjatë këtij viti janë rritur 20% më shumë krahasuar me 2009, ndërsa vitin e ardhshëm vlera do të dyfishohet.
“Fermerët që prodhojnë dhe shesin lëndën e parë brenda qarkut të Gjirokastrës do të përfitojnë subvencionim nga shteti”, thotë Ruli, ndërsa kritikon faktin se vitet e fundit djathi, mjalti, reçeli, vera etj., po klonohet nga tregtarë të papërgjegjshëm, gjë që ka dëmtuar shumë imazhin e prodhimet jugore.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s