Reportazh / Gjirokastër: Lumit Drino po i ikën peshku

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Muaj më parë, peshkatari amator Ilia Fidhi më kot përpiqej të kapte qoftë dhe një peshk të vetëm në lumin Drino, sepse disa “kolegë” të tij, në vend të grepave hidhnin në lumë lëndë plasëse, apo vendosnin rrymë elektrike.

“Përpjekjet e mia për t’i qortuar këta peshkatarë të pandershëm ishin të kota, se ata prej disa vitesh ishin bërë “tregtarë” të suksesshëm. Peshku për fat të keq përfundonte sa hap e mbyll sytë në tiganin e konsumatorëve”, tregon Fidhi, punonjësi i filialit të Postës Shqiptare në Gjirokastër.
Gjuetia e paligjshme e peshkut në shtratin e lumit që ndan qytetin e gurtë me zonat rurale, i ka detyruar specialistët e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë të ndërhyjnë për të ndalur këtë fenomen, i dëmshëm si për gjallesat në lumin me gjatësi prej 84.6 kilometra, ashtu dhe për konsumatorët e zonës.
Specialistë të kësaj drejtorie thanë se që në fillim të muajit shtator, në të gjithë qarkun e Gjirokastrës po ushtrohet kontroll i rreptë dhe i vazhdueshëm për çdo subjekt privat që tregton pa licencë peshk lumi.
“Të gjithë inspektorët e ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit janë udhëzuar që të mos lejojnë tregtimin e asnjë lloj peshku të paçertifikuar, pasi nëse është kapur në mënyrë të dyshimtë rrezikon seriozisht jetën e konsumatorit”, thotë Antoneta Lena, zëdhënëse e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për qarkun e Gjirokastrës.
Sipas saj, konsumatorët që blejnë peshk të kapur me lëndë plasëse apo me rrymë elektrike janë shumë të ekspozuar nga mbetjet toksike, ç’ka rrezikon seriozisht jetën e tyre.
Vasil Thoma, specialist i peshkimit pranë Drejtorisë së Bujqësisë thotë se gjatë tre vitet e fundit ky fenomen ka qënë problematik, megjithatë në muajit shtator nuk shënohet asnjë rast i tillë.
“Gjuetia e paligjshme e peshkut u bë shkak që lumin Drino ta ndajmë në katër pjesë, duke dhënë licenca për shfrytëzimin e kontrolluar të tij, gjë që ka dhënë rezultate të kënaqshme”, shpjegon z.Thoma, duke nënvizuar se segmentimi i lumit fillon nga Derviciani në Dropullin e Poshtëm dhe përfundon 30 kilometra më poshtë, ku bashkohet me lumin Vjosë.
Taqo Zhulati, kryetar i Shoqatës së Peshkatarëve Sportivë tregon se dhënia e licencave dhe ndarja në katër pjesë, ka pasur anët e veta pozitive në mbrojtjen e botës nënujore. “Pavarësisht frenimit të gjuetisë së paligjshme të peshkut, ka raste kur në treg gjen peshk me përmasa jashtë standardeve të lejuar, ç’ka nënkupton se rrjetat e përdorura për grumbullimin e tij nga personat e licencuar janë me kuadrate më të vogla nga sa parashikon kontrata”, shprehet Zhulati.
Ai shton se kontrolli duhet të jetë më i rreptë nga inspektorët e peshkimit, pasi në këtë mënyrë përfitojnë të dy palët: konsumatori dhe tregtari.
Peshkatari Ilo Fidhi që prej më shumë se 20 vjet nuk e ka hequr grepin nga lumi Drino, kujton se peshku në këtë zonë ishte i shëndetshëm dhe tepër cilësor. Por tani situata ka ndryshuar për keq.
“Peshku ka ikur bashkë me lumin. Edhe ato pak peshk që “mbërthejmë”, nuk janë të shëndetshëm, sepse u mungon ushqimi për shkak të shkatërrimit të ekosistemit. Lumit Drino i është “shtrënguar litari” dhe në qoftë se nuk ka ajër, do të vdesë”, thotë me trishtim Fidhi.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s