Reportazh / Gjirokastër: Qyteti që hap dyert e dijes për romët

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Romi 6-vjeçar Andrea, djali më i vogël i Shpëtim Rizvanit është një nga 476 vogëlushët në rrethin e Gjirokastrës që ulet për herë të parë në bankat e shkollës.

Andrea do të mësojë në shkollën 9-vjeçare “A.Z.Çajupi”, në zonën muzeale të Gjirokastrës, pasi i ati e ka zgjedhur, duke hequr dorë nga shkolla fillore “Së bashku”, ndërtuar në lagjen “Zinxhira” enkas për komunitetin romë që jeton prej vitesh në këtë zonë.
“Nuk dua ta paragjykoj shkollën në “Zinxhira”, por cilësia e mësimdhënies tek “A.Z.Çajupi” është më e mirë,” thotë Shpëtimi, 34 vjeç, tregëtar.
“Dua ta arsimoj, tim bir, pasi është e vetmja mundësi për të marrë dije”, shton ai.
Shpëtimi tregon se pasi erdhi nga Korça shtatë vjetë më parë, ndërtoi një barakë 300 metra larg lumit Drino dhe sot jeton me të ardhurat e biznesit.
“Djali i madh vazhdon vitin e dytë në shkollën profesionale për mekanik, ndërsa djali i vogël do të lexojë e numërojë për herë të parë sivjet”, thotë Shpëtimi.
Për të, kjo është e vetmja mundësi që dy fëmijët e tij të integrohen në shoqëri, pasi, siç thotë ai, ka ardhur koha që disa tradita të hershme t’i braktisë përgjithmonë.
“Dua të jetoj si gjithë të tjerët, pa u diskriminuar nga pjesa tjetër e shoqërisë”, mendon Shpëtimi, duke shtuar se djalit të vogël nuk do t’i mungojë asgjë për të mbaruar suksesshëm shkollën 9-vjeçare.
Sofokli Kallulli, përgjegjës i statistikave pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale në Gjirokastër, thotë se falë politikave afatmesme dhe afatgjata që ka ndjekur vitet e fundit qeveria, po vihet re një rritje e fëmijëve romë që ndjekin arsimin e detyruar.
“Rasti i Andreas është i veçantë, pasi prindërit janë interesuar vetë për të arsimuar djalin e tyre”, thotë Kallulli, duke shtuar se sivjet 70 fëmijë romë dhe egjiptianë (evgjitë) do të ulen në bankat e shkollës gjatë këti viti.
Kallulli tregon se diskrimimi nga bashkëmoshatarët e tyre të bardhë në Gjirokastër vazhdon, por nga viti në vit vihet re një ulje e ndjeshme.
“Paragjykimi për fëmijët me ngjyrë është i trashëguar nga prindërit apo grupet e tjera shoqërore që i mëshojnë këtij diskriminimi”, mendon Kallulli.
Sipas tij, Drejtoria Rajonale Arsimore për Qarkun e Gjirokastrës ka mbështetur iniciativën e dy OJF-ve për të minimizuar diskriminimin për këtë kategori, që ka rezultuar me sukseses.
“Duhet akoma punë që arsimimi i romëve dhe egjiptianëve të jetë në një shkallë të lartë, pasi kjo do të ndikojë pozitivisht në uljen e diskrimimin nga të bardhët”, pohon Kallulli.
Më tej, Kallulli thotë se kjo kategori e veçantë ruan një traditë dhe kulturë shumëshekullore, që, sipas tij, është për t’u vlerësuar pozitivisht.
“Romët dhe egjiptianët kanë një intelekt për t’u admiruar. Fëmijët qysh në moshë të mitur dinë t’i bien instrumenteve muzikore apo të argëtohen në mënyra të ndryshme, gjë që nuk vihet re tek të tjerët”, thotë Kallulli.
Ai pohon se pushteti vendor vazhdon të tregohet indiferent ndaj kësaj kategorie, pasi në shkollën fillore “Së bashku”, që është ndërtuar për romët, nuk ka investuar për të përmirësuar kushtet higjeno-sanitare apo të mbështetë politikat e pushtetit qëndror.
Spiro Nako, shef i higjenës të Drejtoris së Shëndetit Parësor Gjirokastër, thotë se 70 romët e shkollës “Së bashku”, vazhdojnë të marrin dije në kushtet e mungesës së theksuar të higjenës.
“Shkolla e romëve është vatër e infeksioneve, pasi katër muaj më parë janë indetifikuar pesë raste me Hepatitin A (verdhëza) tek fëmijët e kësaj shkolle”, tregon Nako, duke nënvizuar se atje mungojnë elementet e domosdoshme, siç janë, pamjaftueshmëria e ujit të pijshëm, si dhe mungesa e mjeteve logjistike.
Lidhur me këtë problem, burime zytare nga Bashkia e Gjirokastrës, kanë pohuar se, shqetësimi që është ngritur nga shëndetësia dhe drejtoria arsimore është marrë seriozisht nga pushteti vendor.
“Në buxhetin e bashkisë është parashikuar një fond i veçantë për të investuar në përmirësimin e kësaj shkolle dhe brenda këtij vitit kushtet do të përmirësohen”, shprehet një zyrtar i lartë i pushtetit vendor, i cili preferoi të ngelet anonim.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s