Reportazh / Gjirokastër: Transporti publik, një shërbim që duhet përmirësuar

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Dy ditë më parë, Haxhi Lleshi dhe vajza e tij, Vjollca bashkë me 30 pasagjerë, u befasuan kur mbërritën në Gjirokastër në orën 22.00 pasi llogaritën që 250 km rrugë, i kishin bërë për 16 orë.

“Edhe me biçikletë të udhëtoja do të vija më shpejt”, thotë Haxhiu, dikur shofer, duke shtuar se u nis nga Librazhdi, në orën 06.00 të mëngjesit.
Haxhi tregon se autobuzit ishte i shpejtë, por difektoz, pa kondicioner, pa gomë rezervë dhe në afërsi të Ballshit, edhe pa karburant. “Vetëm varrit kam për t’ia treguar. Ishte një çmenduri”, pohon ai, ndërsa nënvizon se me këto kushte, transporti publik po shkon drejt falimentimit.
Haxhiu tregon se u nis nga Librazhdi për në Gjirokastër për të takuar një mjek në orën 12.00, por dështoi.
“Dikur kam qenë vetë shofer dhe kurrë nuk jam nisur në rrugë të largët pa gomë rezervë dhe pa karburant”, thotë ai me nervozizëm, duke shtuar se “sikur kjo komedi të ndodhte jashtë shtetit, pasagjerët do të ishin dëmshpërblyer në çdo qindarkë, ndërsa kompania do të kërkonte falje 1000 herë”.
“Në Shqipëri ndodh e kundërta, as falje dhe as dëmshpërblim”, thotë Haxhiu.
Sokol K., 43 vjeç, që administron prej 15 vjetësh dy autobuza të transportit publik në Gjirokastër, thotë se vitet e fundit transporti interurban është lënë pas dore dhe nuk investohet për të rritur cilësinë.
“Furgonat na konkurrojnë padrejtësisht”, shprehet Sokoli, duke shtuar se shteti duhet të ndërhyjë për të disiplinuar këtë shërbim.
Për të, jeta e pasagjerit është shumë e rëndësishme, por mungon mënyra e shërbimit. “Autobuzi është i sigurtë, por i ngadaltë në udhëtim. Ndërsa furgoni është i shtrenjtë, por mbërrin më shpejt në destinacion”, pohon Sokoli, ndërsa nënvizon se pjesë e përgjegjësisë për humbjen e tregut janë vetë shoqërinë e autobuzave.
Ai pranon faktin se autobuzat interurban nuk ofrojnë kushte higjeno-sanitare, nuk respekton klientin, fshejnë biletën dhe ndalojnë vend e pa vend. “Ka keqmenaxhim dhe kjo për fajin tonë”, shton Sokoli.
Andrea Çakalli, 37 vjeç, pronar i furgonit të linjës Sarandë-Tiranë thotë se kush ofron shërbim të mirë për pasagjerët, do t’i rezistojë tregut.
“Furgoni vitet e fundit preferohen shumë pasi është i shpejtë, nuk sorollatet në rrugë dhe ofron pastërti”, mendon Çakalli, duke shtuar se protestat e shoqërive të autobuzave për konkurrencë të pandershme, janë të dështuara, pasi, sipas tij, dështakë janë vetë administratorët.
“Pasagjeri preferon të paguajë 200, apo 300 lekë më tepër dhe të mbërrijë në desnitacion për një kohë të shkurtër, se sa të udhëtojë me autobuzat me orë të tejzgjatura”, thotë ai ndërsa thekson se një fakt i tillë nuk ekziston në linjën ndërkombëtare Shqipëri-Greqi.
Çakalli shton se furgonat kanë dështuar për transportimin e udhëtarëve drejt Greqisë, pasi shoqëritë e autobuzave janë shumë të organizuara, ndalojnë dy herë në rrugë sipas intenerarit dhe plotësojnë të gjitha kushtet higjeno-sanitare.
“Furgonat e kanë të vështirë të konkurrojnë këtë shërbim, pasi përtej kufirit, autoritetet greke nuk lejojnë asnjë autobuz të ndalojë në mes të rrugës për të hipur pasagjerë, siç ndodh këtu në Shqipëri”, thotë Çakalli, duke shtuar se nëqoftëse kundravajtësi kapet në shkelje, automatikisht i hiqet liçenca.
Ndërsa Haxhiu që ndjek bisedën, shton se këto praktika duhet të zbatohen edhe në Shqipëri, pasi në këtë mënyrë fuqizohen transporti publik, gjë që do të ndikoj në uljen e aksidenteve rrugore.
“Nuk dua të paragjykoj emocionalisht ngjarjen time, por shteti duhet të ndërhyjë për të mbrojtur pasagjerët, si dhe për të disiplinuar përfundimisht shërbimin e transportit publik”, shprehet Haxhiu.
Më tej, si shofer i vjetër, gjykon se inspektoriati i qarkullimi rrugor, drejtoria e transportit publik etj., duhet të ushtrojnë kontroll të pandërprerë ndaj drejtuesve të autobuzave dhe të ndryshojnë disi praktikat për dhënien e lejes së drejtimit për shoferët e transportit publik.
“Aksidenti që ndodhi rreth dy muaj më parë në Fushë Arrëz, ku humbën jetën 14 pasagjerë mund të ishte shmangur, në qoftë se institucionet e specializuara do të kërkonin me ligj, dy herë në vit, kartelën shëndetësore për drejtuesit e transportit publik”, mendon Haxhiu.
Sipas tij, nga fatkeqësitë duhet nxjerrë mësime për të mbrojtur jetën e udhëtarëve.
“Shteti aktivizoi qindra njerëz dhe harxhoi miliona lekë për të shpëtuar të plagosurit e aksidentit të Fushë Arrësit, ku shumë thjeshtë mund të vinte në lëvizje burimet njerëzore për të ndërtuar një ligj që i shërben uljes së aksidenteve të rënda rrugore”, përfundon Haxhiu.

Advertisements

1 Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s