Reportazh / Gjirokastra e festivaleve mirëpret ambasadorët e kulturës ballkanike

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Nëse të duhet të gjesh një qytet në Shqipëri, ku kënga këndohet jo vetëm shqip, duhet të shkosh në Gjirokastër.

Ishte kjo fjalia që rastësisht e dëgjova mbrëmë, nga një vizitor i huaj, i cili krejt befasisht u bë mik me edicionin e tretë të festivalit folklorik ndërkombëtar “Fest Argjiro 2010”, që startoi mbrëmë në këtë qytet në jug të vendit.
Luis Mejer nga Berna e Zvicrës, 56 vjeç, menaxher arti, thotë se odeoni i “Bashtesë së Teqesë”, që ndodhet në zonën muzeale, arena ku ndeshen kulturat të ndryshme, është një dëshmi e rrallë për vlerat e patjetërsueshme të kulturës ballkanike.
“Ah me të vërtetë shumë bukur, artistë të rinj, organizim i përkryer dhe ajo që më entuziazmon është se qyteti juaj, ka jetë, po po, ka jetë”, pohon Mejer.
Ai ka ardhur në Gjirokastër dy ditë më parë dhe do të qëndrojë deri në fundjavë.
“Ndihem me fat. Qyteti i gurtë ka rënë pre e tingujve të instrumentave popullore”, thotë Mejer, duke shtuar “është vërtetë e mahnitshme”.
“Pavarësisht diversitetit kulturor, kostumeve dhe muzikës, gjithçka ishte shkrirë në një, duke harruar e hedhur tej kufijtë ndarës mes tyre”, shton ai.
Flamur Bime, kryebashkiaku i Gjirokastrës, në cilësinë e presidentit të këtij festivali, thotë se “Fest Argjiro 2010” është një ngjarje e shënuar kulturore, si dhe një mundësi për të promovuar vlerat historike dhe arkitektonike të qytetit të gurtë.
“Ky festival kulturor është një mundësi e mirë për të promovuar vlerat dhe traditat gjirokastrite”, shprehet Bime, ndërsa nënvizon se ky eveniment mbështetet financiarisht nga biznesi vendas.
Sipas tij, në këtë aktivitet kulturor marrin pjesë 300 artistë nga 6 vendet të Ballkanit: Shqipëria, Kosova, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia dhe nga Bullgaria.
Vasil Cuklla, drejtor artistik i “Fest Argjiro 2010”, tregon se sivjet grupet pjesëmarrëse përfaqësohen kryesisht nga artistë të rinj.
“Kultura nuk njeh kufij, muzika nuk ka pasaporta, arti i bashkon njerëzit”, thotë Cuklla, duke shtuar se festivali është tregues i qartë se Gjirokastra është e gjallë dhe plot kolorite folklorike.
Arianit Hetemi, drejtuesi artistik i ansamblit të këngëve dhe valleve “Kejmal Azizi” nga Komuna e Vitisë (Kosovë), shprehet se pjesëmarrja në edicionin e tretë të “Fest-Argjiro 2010”, është një obligim për të treguar se kultura e këngës shqiptare, afron rrugët e bashkimit kombëtar dhe kjo ka qenë themeli ku janë mbështetur numrat artistik të ansamblit kosovar.
“Është një emocion të kërcesh e të këndosh në Gjirokastër ku mikpritja dhe vallja bëhen një”, thotë Arianiti, i cili  tregon se ky grup artistik, me një histori shumëvjecare, është prezantuar në shumë vende të botës, ndërsa të ngjitesh në skenën gjirokastrite, vallja bëhet njësh me skenën.
“Është nderi i Kosovës të jetë në Gjirokastër, një qytet që lind nga kultura e që po kaq bukur ka ditë me i bashkue këto të fundit”, pohon Arianiti.
Solisti i grupit kosovar, Adnan Zenuni, që u rrit qysh fëmijë me çiftelinë, thotë se është impresionuar që ka kënduar në odeonin e gurtë në Gjirokastër.
“Është e para herë që vij në Gjirokastër dhe shikoj që tradita dhe kultura ndërthuren me njëra-tjetrën, sepse ky vend të shton dëshirën e këngës”, shprehet Adnani.
Ndërsa, Aldo Nika, udhëheqësi artistik i grupit të të rinjve nga Ulqini (Mali i Zi), që ndjek bisedën, thotë se etnia shqiptare është shtysa e parë e pjesëmarrjes në këtë aktivitet, që ka për qëllim prezantimin dhe bashkimin e kulturave ballkanike në qytetin e gurtë.
“Çdo gjë është perfekte”, thotë Nika, duke nënvizuar se gjatë natës së parë artistët nga Ulqini interpretuan për 30 minuta vallet “Kënga e Burimit”, “Valle e vashëzave”, si dhe një kolazh të dasmës tradicionale.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s