Gjirokastër: “Fest Argjiro 2010”, skena ku kënga bashkon popujt

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Grupi folklorik “Akud Mircev” nga Maqedonia është rikthyer për të tretin vit radhazi në festivalin ndërkombëtar “Fest-Argjiro 2010”, për të sjellë para publikut gjirokastrit tingujt e mrekullueshëm të folkut karakteristik.

“Jemi sërish këtu, në një qytet që rrethohet nga male të larta, me një kala të magjishme e midis tyre skena e Odeonit që gumëzhon nga grupet folklorike”, shprehet udhëheqësi artistik Vagojce Jovanoski, duke shtuar se sivjet 30 artistët e ansamblit paraqiten me tre valle të trevave të Maqedonisë dhe katër këngë.
“Të jesh pjesë e ngjarjeve të tilla, nuk do të thotë të presësh çmime apo vlerësime, sepse arti shpirtëror trashëgohet natyrshëm tek gjenerata e re, ndërsa kënga afron çdo largësi”, thotë Jovanoski.
Sipas tij, artistët maqedonas janë ndjerë të privilegjuar në paraqitjen e një repertori të zgjedhur në ballafaqimin tradicional të “Fest-Argjiro 2010”.
“Gjatë interpretimit, grupi i Ansamblit Folklorik “Akud Mircev” prezantoi këngë e valle me kostumet tradicionale popullore të trevave të Ballkanit juglindor”, thotë Jovanoski, ndërsa nënvizon se ritmi i valleve stakato maqedone ka rrëmbyer duartrokitjet e artëdashësve gjirokastritë.
Në natën e dytë të edicionit të tretë të festivalit “Fest-Argjiro 2010”, publiku ndoqi këngët e valleve tradicionale nga Shqipëria e Mesme, ansambli artistik i Tiranës “Shqiponjat”.
“Tashmë jemi të njohur me skenën gjirokastrite, kjo është hera e tretë që grupi ynë vjen në festival ç’ka shton dëshirën për të qenë pjesë e çdo aktiviteti”, pohon drejtuesi artistik, Skënder Ismaili.
Ismaili mendon se ky grup shumëvjeçar ka përcjellë tek publiku një program nga repertori i zgjedhur, në veçanti nga folku tiranas.
Tea, 12 vjeç, intepretuesja më e vogël e ansamblit “Shqiponja”, tregon se ndihet e lumtur që ndodhet në Gjirokastër dhe është mrekulluar nga arkitektura mesdhetare.
“Qyteti juaj është shumë i bukur me atë ç’kam dëgjuar”, shprehet Tea, duke shtuar se këtë eksperiencë nuk do ta harrojë kurrë.
“Duartrokitjet e publikut më befasuan”, shton ajo.
Ansambli i Korfuzit, me 22 artistë grekë, solli për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar “Fest- Argjiro 2010”, motive veneciane.
Dhimitër Kandas, udhëheqësi artistik i ansamblit grek, shprehet se në përgjithësi folku në Korfuz ka ndikime veneciane, pasi, siç thotë ai, ishulli ka qenë i pushtuar 400 vjet nga Italia, deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
“Është e vërtetë që prej katër shekujsh kultivojnë këtë kulturë, por në thelb traditat tona janë mesdhetare”, thotë Kandas.
Për të, pjesëmarrja në festivalin “Fest Argjiro 2010”, është një mundësi për të promovuar kulturën dhe traditat e një kombi.
“Folku ynë nuk është prekur që pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo nuk ka ndryshuar si në stil ashtu edhe në motive”, pohon Kandas, ndërsa nënvizon se është mrekulluar jashtë mase nga polifonia labe.
Sipas tij, që gjitha shtetet që lagen nga ujrat e Jonit dhe Adriatikut, kultivojnë dhe përcjellin nga brezi në brez pak histori dhe traditë.
“Ilirët dhe pellazgët janë një dhe kjo ka ndikuar shumë të gërshetimin dhe konsolidimin e artit shpirtëror midis dy popujve”, mendon Kandas.
Më tej, udhëheqësi artistik ndalet tek pjesmarrja e grupit në këtë event kulturor.
“Jam befasuar nga publiku dhe nga skena e Odeonit. Një mjedis të tillë nuk e kemi ndeshur kurrë”, thotë Kandas, duke mos harruar të falenderojë organizatorët dhe publikun gjirokastrit, i cili, sipas tij, tregoi emancipim kulturor, mikpritje dhe dashuri për artin dhe kulturën ballkanase.
Kandas theksoi se këto veprimtari janë si qershia mbi tortë, pasi, siç thotë ai, arti dhe kultura i bashkon popujt dhe kështu do të jetë përgjithmonë.
Ansambli i Gjirokastrës, i fundit në konkurrimin e natës së dytë, ka qenë në lartësinë e duhur dhe falë sigurisë së artistëve që ishin përzgjedhur nga drejtuesit e tij.
Juli Cenko dhe Gentian Selfo, dy prej këngëtarëve më të njohur për momentin në stacionet muzikore vendase, si dhe Ermal Kore, këngëtari që po ngjitet shpejt drejt suksesit, kanë qenë krenaria e prezantimit për Gjirokastrën.
Në prezantimin e djeshëm të Gjirokastrës, polifonia labe ka qenë elitare, si gjithmonë përmes grupeve si: “Kurora Labe”, “Argjiro”, dhe “Djemtë e Gjirokastrës”.
Ndërsa grupi “Argjiro” me mjeshtrat e vet vëllezërit Roland e Kastriot Cenko, si dhe me Shkëlqim Seitin, të tre ish pjestarë të grupit “Të rinjtë”, solli emocione të paharrueshme tek publiku, duke rikthyer në këtë mënyrë sadopak nga lavdia e dikurshme e grupit të udhëhequr nga bilbili i këngës polifonike gjirokastrite Arjan Shehu.
Nexhmedin Mustafaraj, mjeshtëri i polifonisë labe, shprehet se grupi që ai udhëheq prej dhjetë vitesh, ka ditur të ruajë me fanatizëm teknikat karakteristike të polifonisë së vërtetë, jashtë çdo lloj “kompromisi”, sic shprehet ai, me rrymën e re të polifonisë që gjeneron prej disa vitesh.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s