Gjirokastër, më shumë lehtësi për biznesin

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Hiqmet Mino, mjeshtri i vozave nga Këlcyra e Përmetit, është një nga 40 pjesëmarrësit e panarit “Expo Gjirokastra 2010”, që u çel dje në mbrëmje në mjediset e Pallatit të Sportit në jug të vendit.

Mino tregon se prodhon dhe tregton prej 10 vjetësh voza më përmasa të ndryshme druri për verë e raki. “E kam mbajtur gjallë këtë biznes me shumë sakrifica, ndërsa tani mezi përballoj kërkesat e konsumatorëve”, thotë Mino, 50 vjeç, por që këtë zanat e ka nisur kur ishte 14 vjeç.
“Profesioni s’të lë në baltë. Zanatin e vozaxhiut e ka përvetësuar shpejt, ndërsa fitimet janë të kënaqshme”, shprehet Mino.
Vozat që ai prodhon kanë madhësi të ndryshme, nga 5 kg deri në 20 kv dhe mesatarisht në vit, realizon të paktën 450 copë.
Për të, pjesëmarrja në panairin “Expo Gjirokastra 2010”, është shansi më i mirë për të promovuar prodhimet artizanale. “Iniciativa e Dhomës Rajonale të Tregëtisë është pozitive, pasi kjo tregon zhvillimin ekonomik”, mendon Mino.
Edlira Hysa, një tiranëse e vjetër, nëna e dy fëmijeve të mitur, prej 13 vjetësh prodhon punime artistike me motive dasme nga trevat e Shqipërisë së Mesme.
Ajo tregon se plot një vit më parë ka qenë pjesëmarrëse në edicionin e tretë të Panairit Kombëtar të Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore, që u zhvillua gjatë Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër.
“Kam disa vjet që prodhimet e mia kërkohen nga të huaj, por në shumë raste nuk mungojnë edhe emigrantët, të cilët në ditën e kurorëzimit marrin me porosi kostumet popullore”, thotë Hysa.
Për të, pjesëmarrja në panair i ka dhënë mundësi të promovojë kostume popullore. “Nuk ka harmoni më të bukur se ky panair, pasi qyteti i Gjirokastrës është mbipopulluar nga shumë turistë të huaj, të cilët kanë ardhur enkas për të parë nga afër këtë event”, shprehet Hysa, e cila shton se “organizatorët e këtij panairi janë treguar të gatshëm të ofrojnë ndihmën e tyre, që prodhimet tona të gjejnë treg edhe përtej kufijve”.
Kristaq Combi, pedagog i ekonomisë në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, vlerëson se biznesi në jug të vendit po lulëzon, kjo falë pjekurisë.
“Biznesi po merr një dimension tjetër, sidomos në qarkun e Gjirokastrës”, thotë Combi, ndërsa nënvizon se ulja e taksave, si dhe riformatimi i Drejtorisë së Tatim-Taksave, ka shtuar investimet.
“Disa vite më parë, Drejtoria Rajonale e Tatim-Taksave ushtronte presion tek bizneset, ndërsa sot ky fenomen nuk ekziston”, pohon Combi, ndërsa thekson se tashmë çdo investitor vendas apo i huaj mund të hapë biznes lehtësisht në Shqipëri.
Mustafa Devolli, kryetari i Dhomës Rajonale të Tregëtisë dhe Industrisë për qarkun e Gjirokastrës, tregon se shumë investitorë të huaj kanë konstatuar fitime nga “avantazhi shqiptar”, të cilat vijnë nga politikat e qëndrueshme, fitimet e larta, kostot e ulëta etj.
“Gjatë viteve të fundit, politikat e qeverisë kanë ardhur drejt përmirësimit të dukshëm, duke miratur ligje në favor të biznesit”, thotë Devolli, ndërsa nënvizon se në jug të vendit ekzistojnë të paktën 500 biznese të mëdha.
Ai mendon se Shqipëria shënon një stad të qëndrueshëm të rritjes ekonomike, bazuar kjo në rritjen e eksporteve, në vlerën e ulët dhe rritjes së të ardhurave.
“Vlera e ulët e inflacionit ka treguar që Shqipëria po siguron një ekonomi të qëndrueshme. Në qarkun e Gjirokastrës ndeshim disa fabrika të përmasave dhe standardeve bashkëkohore, si “Gjirofarma”, Glina, Elka, Ujë i Ftohtë Tepelenë, “Tecnotrof”, “Fresh”, “More Pack Albania” etj., produkte që tashmë janë të kërkuar edhe përtej kufinjve”, shprehet Devolli.
Devolli vlerëson gjithashtu zhvillimin e shpejtë të sistemit bankar, të cilat kohët e fundit janë tregur agresive për të ndihmuar biznesin vendas.
“Rritja e portofolit të kredisë nga ana e bankave ka pasur si qëllim financimin e sektorit të biznesit dhe në mënyrë të veçantë mbështetjen e saj dhe kjo ka ndikuar në rritjen ekonomike”, përfundon Devolli.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s