Polifonia gjirokastrite, dëshmi e kalimit të stafetës nga një brez në tjetrin

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Një vit më parë, në natën e dytë të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, poeti dhe rapsodi himariot i polifonisë labe Lefter Çipa, më tha shkurt: “Në fillim erdha pak i trishtuar, por do iki entuziast nga festivali, sepse këtu gjeta të tri gjeneratat e popullit tim, në këngë dhe në valle. Gëzohem ku marr mesazhe dhe dëshmi të kalimit të stafetës nga një brez në tjetrin”.
Sivjet, themeluesi i grupit polifonik tw “Pilurit”. me famë ndërkombëtare, duhet të ndihet krenar, pasi për të ka menduar Roland Çenko, i cili do të mundësojë trajnimin disa mujor të një grupi të rinjsh nga qyteti i Gjirokastrës, mundësuar nga programi “Bota e ndryshimit”, mbështetur financiarisht nga Fondacionit Vodafone Albania.
Sipas tij, shtatë artistë të rinj të përzgjedhur në shkollat 9-vjeçare të qytetit të Gjirokastrës do të mësojnë “huqet” e polifonisë labe në një trajnim disa-mujor.
Solisti i grupit polifonik të Gjirokastrës, Roland Cenko, që do të trajnojë këta të rinj dhe në përfundim të projektit do të publikojë një album me këngë të këndura prej tyre.
“Nuk ka më interesant se sa të bashkosh brezat më shumë se polifonia, art shpirtëror që është i vetmi që ka fituar vlerësimin botëror, duke marrë titullin nga UNESCO si “kryevepër e trashëgimisë orale të njerëzimit”, u shpreh Cenko.
Ai thotë se “polifonia e trashëguar nga njëra gjeneratë në tjetrën, u ngadalësua si proçes pas viteve 1990. Nëse ne  arrijmë të përcjellim vlerat që na falën brezat e mëparshëm dhe ato që krijuam vetë, tek brezi pasardhës, atëherë ne kemi bërë shumë”.
Zv/drejtore e Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës, Elenita Roshi, shprehet se projekti  parashikon të zbulojë një grup të rinjsh të talentuar mes tyre dhe vajza, me dëshirë për të kënduar duke konfirmuar besimin se rinia gjirokastrite është e ndërgjegjshme për vlerat e trashëgimisë shpirtërore.
Ajo shton se Organizata jonë do të mundësojë përgatitjen e kostumeve popullore për këtë grup të rinjsh nga gratë artizane gjirokastrite.
Vasil Tole, kompozitor, etnomuzikolog, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës (IMC) pranë UNESCO-s, duke e vlerësuar projektin, thotë se “në jug të vendit ekzistojnë tre modele iso-polifoni: dyzërëshe, trezërëshe dhe katërzërëshe. Iso-polifonia 2 zërëshe, marrje dhe prerje, që këndohet nga burra dhe gra, ka një shtrirje të gjerë gjeografike nga Shqipëria e Mesme deri në Jug. Ajo këndohet kryesisht nga gra të qytetit të Gjirokastrës, burra të fshatit Dukat të Vlorës, por edhe tek Arbëreshët e Kalabrisë (Itali), ku ka një përhapje dhe një përdorim të gjerë edhe sot e kësaj dite”.
Iso-polifonia trezërëshe burrash, sipas Toles, mbizotëron në jug të vendit dhe në disa qytete, si Përmet, Korçë, Leskovikë, Vlorë, Delvinë etj., shoqërohet me saze, ndërsa iso-polifonia katërzërëshe konstatohet vetëm në folklorin muzikor lab.
Tole shpjegon se kjo formë reflekton të njëjtat tipare si trezërëshi, por me një zë plus, “hedhësi”. “Ky zë është karakteristik për këngët polifonike të Gjirokastrës, të bregdetit dhe Himarës, ato të njohura përmes interpretimeve të grupit polifonik të Xhevat Avdallit”, thotë Tole. Ai pranon se Neço Muka i njihet edhe konsolidimi i zërit të “hedhësit” në këngët polifonike të Bregut.
Për të, roli i hedhësit në këngën labe nuk është dukuri e re, por në ndryshim nga masivi i këngës labe, që shfaqet më shumë vertikal se sa horizontal.
“Kënga polifonike e qytetit të Gjirokastrës zhvillon dhe shfaqet në gjithë Labërinë. Ndryshe nga qytetet e tjera, muzika popullore qytetare gjirokastrite nuk pranon futjen e veglave muzikore, traditë që vazhdon edhe sot”, përfundon Tole.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s