Reportazh / Një ditë me prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit në Këlcyrë

Nga Telnis Skuqi
KËLCYRË – Një ish-teknolog, Petro Ndoni, 71 vjeç, administron prej 18 vjetësh një baxho me teknologji moderne, në qytezën e Këlcyrës, rreth 20 km larg Përmetit.Për të arritur deri tek ky investim, Petro pohon se ka financuar afërsisht 400 mijë euro, ka punësuar 6 persona, si dhe ka grumbulluar rreth vetes rreth 50 barinjë.
Ai thotë se të bësh biznes në Shqipëri nuk është e lehtë, por iniciator ka qënë babai i tij, që nuk jeton më.
“Im atë ka jetuar 10 vjet në Francë, në vitet 1929-1939. Gjatë sistemit totalitar më ka rrëfyer për aktivitetin privat që zhvillohej në Paris dhe kjo mu ngulit në mendje”, tregon Petro.
Sipas tij, godina një katëshe që tashmë shërben si baxho, dikur ka qenë një punishte dhe në vitin 1992 u privatizua.
“Më kanë ofruar miliona lekë për ta blerë këtë objekt, por nuk kam pranuar”, tregon Petro, duke shtuar se aktualisht kapaciteti i prodhimit është 150 kv qumësht në ditë.
Me kalimin e viteve cilësia e produkteve të qumështit është rritur, siç është rritur dhe numri i klientëve. “Të gjithë produktet që përpunohen në këtë baxho janë 100% bio. Tregu dhe lënda e parë është i sigurtë, por vitet e fundit vihet re një dukuri negative”, thotë Petro që si teknolog që është, të shpjegon se disa tregtarë nga Shqipëria e Mesme po falsifikojnë produketet e jugut, duke manipuluar konsumatorët.
“Në Tiranë kam hasur një tregtar që shishte djathë, duke përdorur emrin tim. Shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht dhe t’i ndërshkojë rreptësisht këta spekulatorë”, gjykon Petro, duke shtuar se të gjitha prodhimet e tij i tregton në jug të vendit.
Për të, këto falsifikime janë të patolerueshme dhe të dënueshme, pasi siç thotë ai askush nuk ka të drejtë të fusë duart në xhaketën e tjetrit.
Administratori i baxhos thekson se blegtoria në jug të vendit po shkon drejt pakësimit dhe si rezultat kemi të bëjmë me një kosto të lartë, që është e vështirë të menaxhohet në treg.
“Kjo situatë ka ardhur për shkak të keqmenaxhimit të vetë blegtorëve, të cilët nuk kanë themeluar një shoqatë të tyre”, thotë Petro, sipas të cilit, barinjtë e keqintepretojnë shoqatën, duke e krahasuar me kooperativën e tipit sovjetik.
Kalo Tasi, nga fshati Brezhda, 9 km larg Këlcyrës, dikur punëtor ndërtimi, sot blegtor, thotë se prej 20 vjetësh mbarështon 150 kokë dele dhe prodhon 100 kv qumësht në vit. Ai tregon se me këtë profesion ka martuar katër fëmijë, ka mbaruar hallet dhe ia ka parë të mirat që i ka sjellë kjo punë.
“Fitoj mesatarisht 20 mijë euro në vit dhe sa të kem këmbë e duar, të rroj dhe të dëgjoj zile e këmbanë”, shprehet Tasi.
Këtë zanat, vijon ai, e kam nisur në vitin 1990, por shteti nuk më ka kërkuar taksa, ndërsa qumështin ma blen baxho “Ndoni”. “Shteti më thotë puno që të jetosh”, shton blegtori.
Kosta Popo, përgjegjësi i Zyrës së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtes së Konsumatorit, beson se blegtoria në zonën rurale në Këlcyrë po zhvillohet me shpejtësi.
“Skema e subvencionit është rritur nga viti në vit, por sivjet blegtorët e kësaj zone nuk përfituan, pasi ata ende nuk kanë ngritur një shoqatë”, pohon Popo, duke nënvizuar se me krijimin e shoqatës zëri i blegtorëve është më i fortë dhe zënë peshë.
Sipas tij, sapo të krijohet shoqata blegtorët do të kenë mundësi të marrin me qera, për pesë vjet, kullota të pashfrytëzuara, kjo sipas ligjit të fundit të miratuar nga qeveria shqiptare.
“Në Këlcyrë nuk ekziston një shifër e saktë për numrin e krerëve, prandaj është menduar që vitin e ardhshëm të fillojë regjistrimi dhe vaksinimi i bagëtive, sipas marrëveshjes së MSA (Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim)”, përfundon Popo.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s