Vëzhgim/ Gjirokastër: Ekosistemi në jug të vendit po dëmtohet rëndë

Nga Telnis SKuqi
GJIROKASTËR – Ekosistemi në Qarkun e Gjirokastrës është dëmtuar rëndë, pyjet janë prerë, ndërsa mjedisi është ndotur. “Njerëzit po masakrojnë gjithçka u del përpara, nuk pyesin për të ardhmen”, thotë ambientalisti Stefan Rrapi.
Gjashtë muaj më parë, policia e Përmetit, në bashkëpunim me prokurorinë e Gjirokastrës, arrestuan dy zyrtarë për shpërdorim detyre.
Sipas policisë, dy zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë lejuar një person të eksportojë lëndë drurose në Greqi pa lejen e autoriteteve shqiptare.
Stefan Rrapi e vlerëson pozitive luftën e policisë kundër dëmtimit të pyjeve.
Ai thotë se vitet e fundit pyjet e Çarshovës, rreth 25 km larg Përmetit, janë shkatërruar nga dora e njeriut.
“Kjo zonë është kthyer në një gërmadhë, nuk qëndron dot në këmbë. Banorët janë të rrezikuar nga erozioni”, thotë Rrapi.
Për të, pyjet e Çarshovës janë shembulli më i keq i prishjes së ekosistemit.
Panajot Kuro, nga Poliçani i Gjirokastrës, gjahtar, tregon se prej një viti nuk shkon për gjah, ashtu siç ka bërë dikur në pyjet e Çarshovës.
“Është vështirë të ushtrosh profesionin atje (Çarshovë). Ka rreziqe të mëdha me erozionin, ndërsa kafshët e egra janë zhdukur ose larguar”, shprehet Kuro.
Sipas tij, dora e njeriut ka shkatërruar gjithçka të bukur. Kurora e gjelbër nuk ekziston më dhe gjallesat nuk gjejnë ushqim.
Hadër Kore nga Gjirokastra, peshkatar amator, pohon se vitet e fundit ekosistemi është dëmtuar shumë dhe në lumin Drino, me gjatësi 84.6 kilometra.
“Persona të veçantë në vend të grepave hedhin në lumë lëndë plasëse dhe në disa raste vendosin rrymë elektrike, gjë që ka krijuar një varfëri në ekosistem”, mendon Kore, duke shtuar se gjuetia e paligjshme në botën nënujore ka sjellë dëme të mëdha, të pariparueshme.
Kore thekson se pavarësisht frenimit të gjuetisë së paligjshme të peshkut, ka raste kur në treg gjen peshk me përmasa jashtë standardeve të lejuar, çka nënkupton se rrjetat e përdorura për grumbullimin e tij nga personat e licencuar janë me kuadrate më të vogla nga sa parashikon ligji.
Peshkatari kujton se 20 vjet më parë peshku i lumit ishte i shëndetshëm dhe tepër cilësor, por situata ka ndryshuar për keq.
Ndërsa, ambientalisti Rrapi shpjegon se ekosistemi është një pasuri e madhe, e ndërtuar me mijëra vite, ndërsa dora e njeriut e shkatërron atë brenda një viti.
“Ekosistemi mundëson zhvillimin e jetës së gjallë dhe të vetë njeriut në çdo vend, ashtu si dhe në vendin tonë, të pasur me burime natyrore të larmishme. Përdorimi i kësaj pasurie nga vetë ne është jetike për mbijetesën tonë, por nga ana tjetër mirëmenaxhimi i kësaj pasurie është jetike për mbijetesën e të gjithë botës së gjallë”, thotë Rrapi.
Sipas tij, në Qarkun e Gjirokastrës nuk ekziston një shoqatë jofitimprurëse e mirëfilltë për mbrojtjen e mjedisit.
Ai kërkon që media të luajë një rol të rëndësishme për të informuar komunitetin për rreziqet që i kanosen ekosistemit nga veprimtaria e pandërgjegjshme e disa personave dhe për ta mbrojtur e pasuruar më tej”.
Rrapi mendon se me afrimin e zgjedhjeve lokale, që pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm, kandidatët duhet të paraqiten me një program të qartë për mjedisin, pasi kjo do të ndikojë shumë për fitoren e tyre.
Piro Nase, gazetar, shprehet se çdo kandidat për kryetar të njësive vendore, duhet të ketë patjetër një strategji të qartë se si do të menaxhohet sot dhe në të ardhmen mjedisi. “Aktualisht në qarkun e Gjirokastrës nuk ekziston asnjë strategji mjedisore për ekosistemin, si dhe për riciklimin e mbetjeve urbane. Në botën e qytetëruar, po i kushtohet mjaft vëmendje ruajtjes së mjedisit, duke përdorur metoda të pafundme, qoftë edhe me kosto të lartë. Megjithatë, kjo nuk i privon kandidatët për njësitë vendore, të jenë kërkues ndaj ruajtjes së mjedisit”, përfundon Nase.

Advertisements

1 Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s