Reportazh / Shtëpia e Fëmijës, streha që nuk harrohet

Nga Telnis Skuqi
SARANDË – Ilir Kakaçi ka kaluar një fëmijëri pa histori në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë.
Në moshë 13 vjeç, në vitin 1989, ai u dënua nga një trup gjykues për “propagandë”, një akuzë e rëndë për ato vite dhe vuajti dënimin në Zejmen në Lezhës. Iliri nuk e ka ditur pse u dënua, por disa vite më parë mësoi të vërtetën kur shfletoi dosjen e tij.
“Isha një fëmijë “rrugaç”. Për edukatoret isha bërë i padurueshëm dhe për këtë arsye ato më “qepën” një akt-akuzë “, kujton Iliri, ndërsa kujton se së bashku me të u dënua dhe një shok i tij, sot gazetar.
Iliri e ka ditur gjithmonë se ishte jetim. Babai e braktisti qysh foshnjë, nëna e dorëzoi në jetimore, ndërsa vëllezërit dhe motrat i njohu vite më vonë.
“Nuk dua të gjykoj prindërit e mi, por më vjen keq për atë çfarë më ndodhi mua në fëmijëri”, pohon Iliri, 35 vjeç, i cili tani jeton në Berat dhe ka tre fëmijë.
Ai thotë se fëmijëria në jetimore nuk ka qenë e lumtur. Një pjesë e edukatorëve i trajtonin fëmijët si huaj, madje dhuna fizike dhe uria shpesh ishte e pranishme.
“Ishte një periudhë e errët për këtë institucion, por tashmë gjërat kanë ndryshuar”, mendon Iliri.
Elida Vogli, prej tetë vjetësh, është drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë. Ajo thotë se aktualisht jetojnë në godinën trekatëshe 30 fëmijë, nga mosha 6-15 vjeç.
“Edukimi, arsimimi dhe mbrojtja është forcuar shumë. Shteti ka një përkujdesje maksimale për jetimët”, shprehet Vogli.
Sipas saj, kjo kategori gëzon përkrahje sociale deri në moshën 18 vjeç, ku marrin diplomën e pjekurisë.
“Arsimi për jetimët është primar. Nëqoftëse një jetim dëshiron të vazhdojë universitetin dyert i kanë të hapura dhe përfitojnë një bursë ekstra gjatë gjithë vitit”, pohon Vogli, ndërsa specifikon se përkujdesi ndaj fëmijëve ka ndryshuar si nata me ditën, duke e krahasuar me regjimin komunist.
“Në ato vite ka pasur diferencime, madje edhe burgosje. Por, sot këto as nuk mendohen”, thotë Vogli.
Thoma Nika, gazetar, që ndjek bisedën, tregon se pas vitit 1997 ky institucion u përfshi nga skandale pafund.
“Dy drejtorë njëri pas tjetrit u shkarkuan nga puna për diploma false. Një tjetër u pushua për shpërdorim detyre”, pohon Nika.
Ai thotë se ndryshimi filloi shtatë vjetë më parë, nga Edmond Gjoka, pasi u zgjodh kryetar i bashkisë së Sarandës.
“Sapo filloi punë, kryebashkiaku Gjoka vendosi një standard për përzgjedhjen e personelit, si dhe garantoi një fond të veçantë për mbarëvajtjen e institucionit”, pohon Nika.
Lame Xhama, ish-drejtori i parë i Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, në kujtimet e tij, të botuara në një libër, rrëfen se ky institucion u ndërtua në vitin 1959, në lagjen nr.2, pranë shkollës 9-vjeçare “Adem Sheme”.
“Shtëpia e Fëmijës ishte e rrethuar bukur. Para saj shtrihej një oborr i madh, ku fëmijët jo vetëm kishin kushte për të qëndruar e pushuar, por edhe për të luajtur. Rreth e qark oborrit qenë mbjellë lule e pemë dekorative. Mund të them me plot gojën se ato pak vite që punova si drejtor kanë qenë më emocionuese të jetës sime në arsim. Ata fëmijë të çiltër, me zemër të pastër, që na shikonin e na vlerësonin si prindërit e tyre, u bënë pjesë e jetës sonë, e kujtimeve njerëzore…”, shkruan mes të tjerave Xhama.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s