Reportazh / Kështjella e Libohovës, objekti monumental që është kthyer në strehë për bagëtinë

Nga Telnis Skuqi
LIBOHOVË – Rreth dy shekuj më parë Ali Pashë Tepelena ndërtoi kështjellën e Libohovës për motrën e tij, Shanishanë, ndërsa sot ky objekt monumental, me një planimetri drejtkëndëshe, 70×50 metra, është zaptuar nga barinjtë. “Na i kanë prishur kalanë. Më mirë të mos shkoni se do të trishtoheni”, shprehet me pikëllim Sulltana Shehu, 75 vjeçe.
Sulltana tregon se porta kryesore e kështjellës ruhet nga dy qen të frikshëm, që kanë brenda saj mbi 15 krerë bagëti, 3 lopë dhe shumë pula.
“Janë ndërtuar shumë shtëpi përreth kështjellës, madje hyrja kryesore pothuajse është fshehur”, pohon Sulltana, ndërsa sqaron se ky objekt 200 vjeçar është ‘pushtuar’ 13 vjet më parë nga vendasit, pas vitit 1997.
Për të, çudirat nuk kanë të sosur. Përditë banorët marrin gurë nga rrënojat dhe me to ndërtojnë shtëpi.
“Dikur ka qenë madhështore, e frikshme dhe mbisunduese në qytezën e Libohovës, por sot nuk është më ajo kështjellë që ka qenë”, rrëfen e moshuara.
Nexhmedini, mësues në pension, 72 vjeç, kujton se vite më parë kështjella ka qenë shumë madhështore, por gjatë tranzicionit institucionet e specializuara nuk treguan interes.
“Ky objekt është katandisur gjysëm gjel e gjysëm pulë”, thotë Nexhmedini, duke nënkuptuar se ky objekt ka tre pronarë: shteti, bashkia dhe zaptuesit.
Sipas tij, tashmë ka ardhur koha që shteti të ndërhyjë, pasi bashkia dhe zaptuesit kanë dështuar.
“Në kështjellë jetojnë bagëtitë, togje me plehra dhe baltë në çdo cep të saj”, tregon mësuesi në pension, duke shtuar se ajo është mjedisi më i ndotur i qytezës.
Nexhmedini pohon se çdo mbrëmje bagëtitë e lagjes mbyllen në një bodrum, që në kohën e Ali Pashë Tepelenës ka shërbyer si qeli për të burgosurit.
“Ky monument i rrallë po shkon drejt shkatërrimit e tjetërsimit të tij”, shprehet Nexhmedini.
Spartak Drrasa, drejtori i zyrës rajonale të kulturës kombëtare për qarkun e Gjirokastrës, thotë se vitin e ardhshëm kështjella do të jetë objekt kryesor i punës së institucionit që ai drejton.
“Objekti do të rrethohet dhe, në bashkëpunim me pushtetin vendor, do të largohen të gjitha mbeturinat, si dhe do të prishen të gjitha ndërtimet rreth saj”, nënvizon Drrasa.
Vladimir Qirjaqi, arkeolog, tregon se kështjella e Libohovës nisi të ndërtohet gjatë periudhës së shthurjes së regjimit feudalo-ushtarak osman, që sapo kishte filluar në Perandorinë Osmane gjatë shekullit XVII.
“Me shthurjen e sistemit feudalo-ushtarak u dobësua edhe administrata shtetërore e Perandorisë Osmane, gjë që e shfrytëzoi mjaft mirë sundimtari i Janinës, Ali Pashë Tepelena, i cili në fund të jetës së tij mundi të krijojë një shtet thuajse të pavarur, me kryeqendër Janinën”, pohon Qirjaqi.
Sipas tij, kështjella e Libohovës ka një pamje krejt ndryshe nga fortifikimet e tjera që u ndërtuan në sundimin e Pashait të Madh.
“Kalaja është ndërtuar mbi një platformë shkëmbore, që qëndron kërcënueshëm mbi qytezën e Libohovës”, shpjegon Qirjaqi, duke shtuar se në pjesën më të dukshme të kalasë, punimi i përsosur me gurë të latuar, kornizat dhe format trungkonike të theksuara, dëshmojnë fortësinë e mureve të kësaj kështjelle, që është i trashë 1.14 dhe 0.70 metra në pjesën e sipërme.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s