Histori / Sokol Karaulli rrëfen themelimin e PD-së në Gjirokastër

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Plot njëzetë vjet më parë, Sokol Karaulli ka qenë 1 nga 23 nismëtarët që ka firmosur krijimin e degës së Partisë Demokratike (PD) në Gjirokastër, 24 ditë pas krijimit të kësaj force politike në Tiranë. Sokoli thotë se themelimi i partisë së parë opozitare në Gjirokastër nuk ishte e lehtë, kjo edhe për shkak të origjinës së Enver Hoxhës.
“Idhtarët e diktaturës nuk e imagjinonin PD-në të ngritur në vendlindjen e diktatorit. Ishte një gjëmë e madhe, iu ra si bombë”, shprehet Sokoli, ish-sekretar i parë i degës.
Ai kujton se disa nismëtarë u pushuan nga puna nga kryetari i atëhershëm i Komitetit Ekzekutiv, pasi, sipas tij, kishin tradhëtuar vijën e partisë.
“Më pushuan nga puna mua dhe nusen. Ishte urdhër nga lart”, rrëfen Sokoli, ndërsa nënvizon se pavarësisht përpjekjeve të komunistëve për të sfumuar krijimin e PD-së, pesë ditë më pas u organizua mitingu i parë opozitar, më 19 janar 1991.
Sipas tij,  themelimi i PD u bë në shtëpinë e ekonomistit Dino Çiço, në lagjen “Hazmurat”, pranë ish-shtëpisë së pritjes.
“Themelimit i PD u firmos nga 23 nismëtarët më 4 janar dhe u miratua ligjërisht dhjetë ditë më pas nga Kuvendi Popullor, Gjykata e Lartë dhe Komiteti Ekzekutiv i Rrethit”, pohon Sokoli, sot 53 vjeç, babai i dy fëmijëve të rritur.
Sipas tij, grumbullimi i firmave ishte një proces i vështirë, njerëzit kishin frikë, ndërsa strukturat shtetërore të rrethit dhe Sigurimi i Shtetit ishin ngritur kundër nismëtarëve për t’a sabotuar krijimin e degës së PD.
Sokoli thotë se nismëtarët ishin Dino Çiço, Xhevat Islami, Xhelil Beqiri, Robert Asqeri, Drini Hila, Riza Rabi, Pavli Qendro, Mentor Baboçi, Filip Qami, Arjan Halili, Cezar Kotoni, Shkëlqim Kikino, Thimio Fili, Arjan Islami, Ardiatik Islami, Foto Kikli, Apostol Duka, Hasan Ajazi, Jorgo Arseni, Sotiraq Kroni, Strazimir Beqiri, si dhe Sedat Kotroçi.
“Mbarë vendi i mirëpriti krijmin e degës së PD-së në Gjirokastër. Ishte një çlirim psikologjik për gjithë shqiptarët, pasi komunistët e konsideronin qytetin një kështjellë për ekzistencën e tyre”, thotë Sokoli, ndërsa nënvizon se qyteti i gurtë ka pasur martirët e saj të demokracisë, si Enver Sazani, Musine Kokalari, Bahri Omari, Amik Kasoruho, Rauf Fico etj.
Sokoli thotë se kryetari i parë i PD ishte Xhelil Beqiri, mjek, ndërsa dy nënkryetarët Robert Asqeri e Dino Çiço.
Aksioni më i madh i PD gjatë asaj periudhe, tregon Sokoli, ishte shembja e monumentit të diktatorit Hoxha, ngritur në qendër të qytetit karakteristik, më 28 korrik 1991.
“Ishte ditë e dielë mbrëmje. Agron Memushi nga lagjia “Palorto”, një ish-burgosur politik, i hyri me vare bustit dhe e bëri fërtele, duke mos pyetur fare për shkopinjtë e gomës”, shprehet Sokoli, ndërs shton se Agroni vuajti katër vjet burg, pasi gjatë inaugurimit të bustit ishte shprehur teksa luante bilardo: “Bëheni si të doni, por vetëm mos e ngjallni më”.
“Roli i themeluesve të PD ishte vendimtar për gjirokastritët. Brenda një viti u anëtarësuan 3 mijë persona, si dhe u çel gazeta e parë opozitare “Tryeza e kohës”, e cila pati jehonë në qytet”, shton ai.
Për të, pika kulmore e kësaj force politike ishte fitorja e  22 marsit 1992, ku për herë të parë gjirokastritët votuan Genc Ruli, kandidatin e PD-së, aktualisht deputeti i Qarkut të Gjirokastrës, njëherazi edhe ministër i Bujqësisë.
“Sot, Shqipëria është bërë si Europa, anëtare e NATO, ndërsa shqiptarët janë të lirë të udhëtojnë në hapësirën Shengen”, përfundon rrëfimin e tij Sokol Karaulli.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s