Reportazh/ Gjirokastër: Televizori një mjet argëtimi dhe edukimi

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR  – Blerja e një televizori të ri 42-inch plazma nuk ishte e vështirë për Refik Malaj, nga Gjirokastra, 55 vjeç, i cili një ditë më parë vendosi të realizojë ëndërrën e tij shumëvjeçare. “Shitësi i televizorit u lodh duke më dhënë garanci, por unë isha i orientuar për atë çfarë kërkoja. E kisha parë në internet”, shprehet Refiku, mekanik.
Për të, televizori është një mjet argëtimi dhe edukimi, pasi, siç thotë ai, jeta kulturore në Gjirokastër fatkeqësisht nuk ekziston.
Ai thotë se televizori kishte çmim të kripur, por ndihet i sigurtë për mallin që ka blerë.
“Ia vlen barra qiranë”, shprehet Refiku, ndërsa kujton se dy dekada më parë ishte shumë e vështirë të blije një mall të tillë.
Sipas tij, gjatë regjimit komunist televizorët ishin me pikatore, të shtrenjta dhe aspak cilësore.
“Im atë, ndjesë pastë, ka bërë festë ku bleu televizorin në vitin 1984. Atëherë isha i vogël, por mbaj mend që shtëpia im u mbush plot me njerëz”, tregon Refiku, ndërsa shton se në ato kohë televizorin nuk e bleje kurrë pa siguruar më parë një autorizim nga organizata e partisë.
“Sot gjen çdo lloj televizori, mjafton të kesh lekë”, nënvizon ai.
Klement Çela, 60 vjeç, inxhinjer teknik prej 35 vjetësh pranë Televizorit Publik Gjirokastra (TVGJ), thotë se televizorët u shfaqën për herë të parë në Shqipëri në vitin 1960, ishin prodhim jugosllav, 24 polsh me llampa, dhe quheshin Iliria.
“Njëzet vjet më vonë, në vitin 1980, doli në treg televizor Butrinti, më pas Lura, që ishin me tranzistorë dhe dy vjet përpara se të binte regjimi komunistë doli Adriatiku, që të gjitha këto marka montoheshin në Durrës”, sqaron Klementi.
Sipas tij, të gjithë televizorët kishin banda (kanale) të kufizuara, ishin jo cilësore, bardhë e zi dhe tepër difektozë.
Ilir Terpollari nga Përmeti, 40 vjeç, dikur jetim, kujton se ku ishte 13 vjeç, në vitin 1982, është rrahur keq nga edukatori i tij.
“Ishte drekë vere në kampin e jetimëve në Borsh. Valët e stacioneve të huaja ishin të forta. Fatkeqësisht edukatori më kapi në fragrancë. Kaq ka mjaftuar dhe ndaj meje është ushtruar dhunë çnjerëzore si kujdestari i filmit artistik “Lulëkuqe mbi mure”. Madje, atë ditë kam ngelur pa bukë dhe u diskretitova përpara kolektivit”, rrëfen Terpollari, babai i dy fëmijëve.
Më tej, Terpollari, dentist, mendon se brezi i sotëm nuk e kupton se sa shumë kanë vuajtur paraardhësit e tyre për të parë një stacion të huaj.
“Fëmijët e mi qeshin ku i tregon histori të tilla, pasi ata me këtë liri shikojnë pa frikë çdo stacion televiziv që dëshirojnë me një telekomandë, nga një stacion që ishte në regjimin e dikurshëm”, shton Terpollari.
Ndërsa Refiku që ndjek bisedën, thotë se tashmë çdo shqiptar ka të paktën dy televizora në shtëpi, një në sallon dhe një në dhomën e gjumit.
“Sot çdo person mund të blejë apo të marrë me kredi televizorin që dëshiron, ndërsa në ato vite më shumë kushtonte ekrani i vogël magjik sesa një shtëpi”, përfundon Refiku.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s