Reportazh / Librazhd: Bunkerët po shkatërrojnë shtëpitë në Kuturman

Nga Telnis Skuqi
LIBRAZHD – Shpërthimet në mënyrë artizanale për t’iu marrë hekurin qindra bunkerëve të mbetur nga sistemi komunist, janë kthyer në një shqëtësim shumë të madh për 400 familjet në komunën Qendër në rrethin e Librazhdit. Haxhi Lleshi, baba i katër fëmijëve të rritur në fshatin Kuturman, rreth 10 km larg Librazhdit, nuk i paragjykon hekurnxjerrësit, por mënyrën e shpërthimit që ata përdorin, pasi siç thotë ai “nga dita në ditë mund të shemben shtëpitë”.
“Nga mëngjesi deri në mbrëmje, shpërthimet dëgjohen në çdo pesë minuta. Jemi në ankth se një ditë shtëpia do të na zërë brenda”, thotë Haxhiu, ndërsa nënvizon se shpërthimet janë aq shumë të fuqishme, sa që dëgjohen deri në qytetin e Librazhdit.
Sipas tij, hekurnxjerrësit nuk janë banorë të zonës, por të ardhur nga larg, që nxjerrin të ardhura duke rrezikuar jetën e tyre.
Haxhiu thotë se në fshatin e tij, në Kuturman ekzistojnë mbi 1000 bunkere të vendosur në faqe të malit, të cilët u ndërtuan gjatë regjimit komunist për të përballuar me lehtësi goditjet e predhave.
Haxhiu tregon se një e treta e bunkereve tashmë janë shkatërruar nga shpërthimet artizanale, ndërsa hekurnxjerrësit nuk kanë ndërmend të dorëzohen deri në shkatërrimin e bunkerit të fundit.
“Nevoja për të nxjerrë bukën e gojës i ka detyruar këta bunkerthyes që të vënë jetën në rrezik”, shprehet Haxhiu, ndërsa tregon se shpërthimet artizanale bëhen me pleh kimik, naftë, kapsollë dhe fitil.
Gani Braja nga fshati Dorëz, sot 61 vjeç dikur ish-mirëmbajtës i hekurudhës së linjës Elbasan-Librazhd për 40 vjet, tregon se prej 5 muajsh nxjerr hekur me forcën e krahut, pa përdorur lëndë shpërthyese, të cilin e shet.
“Është sport i rëndë. Nuk e bëj dot punën e bunkershpërthyesve, sepse kam katër fëmijë për të rritur dhe nuk dua të vë jetën në rrezik”, thotë Ganiu.
Çdo mëngjes ai udhëton me gomar në faqe të malit, ku thyen me durim një pjesë të bunkerit me vare dhe kthehet në mbrëmje me 100 kg hekur në shtëpi.
Ganiu tregon se për të thyer një bunker me forcën e krahut me vare, duhen shtatë ditë, ndërsa një bunkershpërthyes e thyen për një ditë.
“Një bunker nxjerr 3 kv hekur, e shes me 20 lekë kg dhe në fund të muajit siguroj rreth 240 mijë lekë të vjetra të muaj, shumë e mjaftueshme për blerë tetë thesë me miell”, llogarit Ganiu, ndërsa nënvizon se një bunkershpërthyes siguron dhjetëfishin e të ardhurave të tij mujore.
Gani shton se këtë zanat do ta ushtrojë derisa të përfitojë pensionin kur të mbushë 65 vjeç.
“Jam i sigurt që pas katër vjetësh në Komunën Qendër Librazhd nuk do të ekzistojë asnjë bunker në këmbë”, pohon Ganiu.
Ndërsa Haxhi Lleshi, që ndjek bisedën, mendon se me këtë ritëm që kanë nisur bunkershpërthyesit, jo vetëm që bunkeret do të zhduken, por rrezikojnë të njëjtin fat edhe banesat.
“Shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht për të frenuar këtë fenomen, pasi jeta e njeriut është më i shtrenjtë se vetë fitimi i çastit”, përfundon Haxhiu.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s