Reportazh / Gjirokastër, zona muzeale që kërkon t’i rikthehet lavdia e dikurshme

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Një ditë më parë, Stefano Kalabreta, përfaqësues i Zyrës së Komisionit Europian në Tiranë, ka ngelur i befasuar nga arkitektura e zonës muzeale të Gjirokastrës. “Jemi të gatshëm të mbështesim çdo projekt cilësor në drejtim të mbrojtjes së tashëgimisë kulturore”, u shpreh i entuziasmuar Kalabreta.
Për të, qyteti i gurtë është simboli i mesjetës, mbart vlera historike, kulturore e urbanistike dhe është unik për llojin e vet.
“Të gjesh në kohën moderne një identitet të tillë është fat për Gjirokastrën”, specifikon Kalaberta.
Ermira Çuberi, drejtoresha e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze të Gjirokastrës (ZAKQMGJ), thotë se fillimet e qytetit të gurtë mendohet të jetë në shekullin XIII, pas rënies së Hadranopolit, sot Sofratika.
“Historia e qytetit është e lidhur ngushtë me kështjellën që dominon qytetin”, tregon Çuberi, që i referohet studiuesve.
Sipas saj, kështjella ka pasur dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës.
“Gjirokastra është një nga qendrat më të rëndësishme dhe me vlerë të trashëgimisë kulturore shqiptare, si edhe të zhvillimit të turizimit kulturor”, shton ajo.
Përfaqësuesje e ZAKQMGJ thekson se pavarësisht numrit të lartë të turistëve të huaj zona muzeale ka nevojë për turistë disaditorë, ashtu siç ndodh në Janinë (Greqi).
“Personalisht kam konstatuar se Janina di të administrojë turistët. Në Gjirokastër ndodh e kundërta. Ata vijnë dhe largohen brenda dy orësh”, shprehet Çuberi.
Kjo situatë, thotë ajo, vjen si pasojë e keqmenaxhimit të pushtetit vendor, si dhe mungesës së personelit të kualifikuar.
“Turistët e huaj perëndimorë shoqërohen nga shtetas grek, të cilët e promovojnë keq qytetin. Ata nuk janë të interesuar që vizitori të qëndrojë në Gjirokastër, por i transferojnë në Janinë”, pohon Çuberi.
Për të, kjo situatë është e papranueshme, pasi pushteti vendor nuk prodhon njerëz të kualifikuar, nuk ka hapur një zyrë informacioni për këtë qëllim, si dhe nuk disiplinon trafikun.
“Në Janinë, në zonë muzeale, pranë liqenit, nuk qarkullon asnjë automjet. Fatkeqësisht në Gjirokastër, në kallëdrëme dyngjyrëse bardhë e zi, lëviz çdo automjet dhe siguria e jetës vihet në rrezik”, sqaron Çuberi.
Flamur Bime, kandidati socialist për Bashkinë e Gjirokastrës, i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, i mandatuar dy herë radhazi si kryebashkiak, e vlerëson shqetësimin e përfaqësues së ZAKQMGJ dhe thotë se identiteti i qytetit të gurtë gjatë viteve të fundit është rikthyer.
“Zona muzeale ka ndryshuar si nata me ditën gjatë viteve të fundit. Taksat për bizneset janë ulur, gjë që ka ndikuar në rijetëzimin e pjesës së sipërme të qytetit”, tregon Bime.
Bime nënvizon se problemi më i madh është qarkullimi i automjeteve, pasi, sipas tij, mungon një studim i mirëfilltë për infrastrukturën rrugore brenda zonën muzeale
“Gjysma e qytetit ka ndërtuar jetën, kanë familje, fëmijë, të moshuar dhe automjeti për ta është domosdoshmëri dhe jo luks”, mendon Bime, ndërsa premton se nëqoftëse zgjidhet në krye të bashkisë, ai do të mbështesë të gjitha bizneset, sistemin e hotelerisë dhe restorantet.
“Qëndra e informimit turistik në rrjetin e qendrave europiane turistike dhe partnere me agjencitë turistike do të jetë obligimi im gjatë mandatit tim të tretë”, thotë Bime.
Genci Sinoimeri, kandidati i LSI, i koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin”, rivali i drejtpërdrejtë i Bimes, mendon krejt të kundërtën për identitetin e qytetit të Gjirokastrës.
“Gjirokastra e ka identitetin e saj, por mungon dëshira e pushteti vendor për ta promovuar atë”, shprehet Sinoimeri.
Sipas tij, zona muzeale, pasuri e UNESCO-s prej vitit 2005, mund të administrohet lehtësisht, mjafton të ndërtohen ura bashkëpunimi me institucione të specializuara.
“Sistemi i hotelerisë dhe i restoranteve faktikisht është përmirësuar vitet e fundit, por pushteti vendor nuk ka ecur me ritmet e sipërmarrësve privatë. Nëqoftëse nuk bllokon plotësisht qarkullimin, atëherë kufizo limitet kohore, vendos orare dhe lejo shërbimin urban të fuqizohet”, shprehet Sinoimeri.
“Mbi 90 për qind e gjirokastritëve kanë parë se në Janinë, përveç pazarit, mund të shikosh pafundësish aktivitete të ndryshme kulturore, por këto zhvillohen vetëm në zonë muzeale”, specifikon Sinoimeri.
Më tej, Sinoimeri thotë se rijetëzimi i zonës muzeale nuk mund të zhvillohet vetëm duke ulur taksat apo investuar pa një vizion të qartë.
“E marrin të mirëqenë se një turist do të qëndrojnë 24 orë në Gjirokastër. Në mëngjes viziton kalanë dhe qytetin, në mbasdite muzeun e armëve dhe entografisë, por në mbrëmje, asgjë”, pyet dhe përgjigjet Sinoimeri.
I gjetur përpara këtyre fakteve, Sinoimeri premton se riaktivizimin e jetës shpirtërore do të jetë parësor gjatë mandatit të tij 4-vjeçar.
“Gjirokastra ka artistë të mrekullueshëm, të cilët janë eklipsuar për mungesë fondesh. Artisti është në gjendje të mbajë peshë një publik të tërë, të kënaqë turistët, si dhe të fitojë të ardhura pa ndihmën e pushtetit vendor, mjafton t’i japësh mundësi”, përfundon Sinoimeri.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s