Reportazh / Gjirokastër: Qyteti që kërkon ndërtimin e institucionit të sigurisë së jetës

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Afro dy vjet e gjysëm më parë, më 9 nëntor të vitit 2008, dy gra dhe një fëmijë humbën jetën tragjikisht, si pasojë e shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen “11 janari”, në qytetin e Gjirokastrës.  Fatkeqësisht, kjo ka lënë një shije të keqe për gazetarin sportiv Sokrat Papadhopulli, i cili humbi gjithçka nga kjo tragjedi dhe sot ende nuk ka gjetur një “vrimë” ku të fusi kokën.
“Të them të drejtën, bashkia dhe pushteti qendor janë treguar të gatshëm të kontribuojnë financiarisht për humbjen e pasurisë të paluajtshme, por kostoja e një apartamenti sot ka shkuar të stratosferë”, thotë Papadhopulli, 67 vjeç.
Ai tregon se atë ditë shpëtoi mrekullisht, fal një mikut të tij që e ftoi për kafe, por ndjen dhimbje për jetët e humbura.
“Tre femra, mes të cilave një fëmijë, nuk dolën të gjallë nga gërmadha. Të paktën 20 familje qëndruan për katër muaj në qiell të hapur në dimrin e 2008″, pohon Papadhopulli.
Armando Kalemi, administrator i një firme private, i cili ndjek bisedën, thotë se faktikisht siguria e jetës në Gjirokastër vlen për të dëshiruar.
“Ngjarja e 9 nëntorit 2008 ishte një papjekuri e pushtetit vendor. Struktuarat e saj duhej të kishin marrë parasysh kërkesat e banorëve, por një gjë e tillë nuk ndodhi”, shprehet Kalemi.
Për të, shkaktar nuk është firma e ndërtimit, por pushteti vendor që nuk veproi sapo u identifikuar problemi.
“Rënia e pallatit nxorri në pah dobësitë e strukturave të Bashkisë së Gjirokastrës. Zyra e urbanistikës duhet të kishin vendosur pikën mbi “i”, të vepronte me shpejtësi për të siguruar jetën e taksapaguesve, gjë që nuk ndodhi”, specifikon Kalemi, ndërsa thekson se tragjedia ishte paralajmëruar dy muaj më parë, por Bashkia heshti.
Sipas tij, siguria e jetës fillon qysh në lindje dhe pushteti vendor duhet të ndërtoje politika të qarta për mbrojtjen e tyre.
“Prej 20 vjetësh në Bashkinë e Gjirokastrës nuk ekziston asnjë strukturë e specializuar për sigurinë e jetës. Shkollat nuk kanë shkallë shpëtimi në raste zjarri apo tërmeti, konsumatorët çdo ditë bien preh e tregtarëve matrapaze, trotuaret bllokohen nga automjetet, ndërsa shërbimi urban eshte për të dëshiruar”, shprehet i shqetësuar Kalemi.
Flamur Bime, kandidati socialist për Bashkinë e Gjirokastrës, i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, i mandatuar dy herë radhazi si kryebashkiak, e vlerëson shqetësimin e Armando Kalemit dhe thotë se gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm një strukturë e posaçme do të ngrihet pranë pushtetit vendor.
“Kohët kanë ndryshuar. Gjirokastra me të drejtë kërkon sigurinë për jetën dhe kjo do të realizohet gjatë mandatit tim të tretë”, premton Bime.
Ai nënvizon se jeta e taksapaguesit ka me shumë vlerë, sesa interesat ekonomike të individëve të veçantë.
“Të sigurosh jetën do të thotë të jesh i përqëndruar tek njerëzit. Personalisht këtë problem e kam nënvlerësuar, por tashmë ka ardhur koha të ndreqim gabimin”, pohon Bime.
Genci Sinoimeri, kandidati i LSI, i koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin”, rivali i drejtpërdrejtë i Bimes, thotë se institucioni i sigurisë se jetës duhet të ishte ngritur qysh pas tragjedisë së 9 nëntorit të vitit 2008.
“Ligji për sigurinë e jetës ekziston, por pushteti vendor e ka anashkaluar këtë fakt me justifikimin për të ulur shpenzimet. Qytetari kërkon vëmendjen e strukturave, pasi siguria fillon qysh në sekondat e para të jetës”, sqaron Sinoimeri.
Ai siguron se institucioni i sigurisë së jetës do të jetë struktura kyçe për komunitetin.
“Personalisht nënkuptoj se siguria e jetës fillon nga shërbimet, furnizim me ujë të pijshëm, pastëria e qytetit, disiplinimi i ujërave të zeza dhe të bardha, kontrolli i ushqimeve në treg, si dhe frenimi i ndërtimeve pa kriter”, thotë Sinoimeri, duke shtuar se tashmë ka ardhur koha për të hapur një faqe të re përsa i përket planit të sigurisë së jetës.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s