Reportazh / Gjirokastër: Zyrat elektorale, “shtëpia” e halleve të zgjedhësve

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Lindita Selfo, studente në vitin e dytë të ekonomikut në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, prej tre javësh punon vullnetare pranë zyrës elektorale të kandidatit të koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin” për kryebashkiak i qytetit të gurtë, Genci Sinojmeri.

Ajo thotë se nga mëngjesi deri në drekë qëndron në zyrë, ndihmon zgjedhësit të gjejnë emrat e tyre në qendrat e votimit, shpërndan kartolinat e kandidatit, si dhe i përgjigjet të rinjve në “facebook”.
“Çdo ditë vijnë të paktën 30 qytetarë që kërkojnë emrat e tyre në listat e zgjedhësve”, shprehet Selfo.
Sipas saj, listat janë të pastruara nga emrat e dubluara, nuk ka gabime, si dhe nuk ka ndryshime në qendrat e votimit.
“Deri tani puna ka ecur mirë. Zgjedhësit janë të kënaqur nga shërbimi që ofron zyra e kandidatit dhe shumë të rinj aktivizohen për të ‘grumbulluar’ sa më shumë vota në favor të kandidatit”, thekson Selfo.
Ajo tregon se në Gjirokastër kanë ngritur dhjetë zyra elektorale të shpërndara në të gjithë qytetin.
“Zyrat elektorale tashmë janë bërë të domosdoshme për forcat politike, sidomos në zgjedhjet lokale”, shton Selfo.
Ndërsa, Elidon Mato, student i historisë, vullnetar pranë zyrës elektorale të kandidatit të koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen” për Bashkinë e Gjirokastrës, Flamur Bime, thotë se këto zyra marrin kontakte të drejtpërdrejta me zgjedhësin.
“Futbolli luhet me dy skuadra dhe fiton ekipi që shënon më shumë gola”, thotë Mato, duke nënkuptuar se ky sistem funksionon dhe në proceset zgjedhore, ku ekziston demokracia.
Për të, zgjedhjet administrative (lokale) ndryshojnë si nata me ditën me zgjedhjet politike.
“Dy vjet më parë, në zgjedhjet parlamentare konkurruan gjithsej 15 kandidatë për deputetë, ndërsa në zgjedhjet lokale konkurrojnë mbi 100 kandidatë për 32 njësi vendore në qarkut të Gjirokastrës, 6 për bashki dhe 26 për komuna”, sqaron Mato.
Sipas tij, fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit aktivizon shumë të rinj, ndërsa punën më të vështirë e kanë kandidatët.
“Zgjedhjet lokale të japin shans të njihesh më mirë me problemet e komunitetit, si dhe të informohesh me projektet e kandidatëve”, shprehet 21 vjeçari Mato.
Ai thotë se deri tani asnjë zyrë nga të dyja forcat politike nuk është cënuar apo dëmtuar. Kjo tregon emancipimin e zgjedhësve dhe pjekurinë e forcave politike lokale në Gjirokastër, thotë Mato.
Ndërsa, Ëngjëllush Kamberi, mësues, i cili ndjek bisedën, e vlerëson ngritjen e zyrave elektorale si një shërbim për zgjedhësit.
“Të them të drejtën nuk kam kohë të kërkoj emrin tim në listat zgjedhore. Fatmirësisht, këtë funksion e luajnë vullnetarët e zyrave elektorale, të cilët janë të gatshëm në çdo kohë të sqarojnë zgjedhësit për problemet e ndryshme”, thotë ai.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s