Reportazh / Përmet: Kisha që “kryqëzon” Pallatin e Kulturës

Nga Telnis Skuqi
PËRMET – Rreth 14 vjetë më parë, Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” në qendër të qytetit të Përmetit, ishte një pikë referimi për artëdashësit e saj.
Laver Bariu, Mentor Xhemali, Gaqo Cako etj., yjet tw muzikës shqiptare janë ngjitur në skenë, duke i larguar me duartrokitje pafund.
Arben Tabaku, banorë prej 30 vitesh, kujton me nostalgji aktivitetet e shumta që zhvilloheshin në Pallatin e Kulturës.
“Qytet i vogël, por ku vinte fjala për të parë një aktivitet kulturor nuk gjeje një biletë. Ishin “përpirë” nga banorët”, shprehet Tabaku.
Sot, situata ka ndryshuar. Godina dykatëshe, dikur krenaria e përmetarëve ka heshtur së funksionuari.
Tabaku tregon se prej 14 vjetësh objekti në fjalë është bërë “mollë sherri” midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Ortodokse.
“Të dyja palët pretendojnë pronësinë, por askush nuk i ka dalë zot. Janë zhvilluar gjyqe pafund dhe palët ende nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët”, thotë Tabaku, ndërsa nënvizion se ky dy palët zihen, i treti përfiton, por në fakt ka ndodhur e kundërta.
“Shiko si është katandisur pallati i kulturës, një skelet”, thotë ai.
Për të, kjo situatë është e papranueshme.
Banorët, vijon Tabaku, nuk kanë parë një aktivitet kulturor me sy prej vitit 1997.
Tabaku tregon se Pallati i Kulturës u ndërtua 50 vjet më parë, në vitin 1962.
“Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ky është ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje. Në vitin 1958 u shpërngulën, pasi sistemi komunistë hartoi një plan rregullues”, specifikon Tabaku.
Kastriot Bezhati, historian, i cili ndjek bisedën, shton se gjatë zbatimit të projektit, u prishën dhe disa objekte të rëndësishme për atë kohë, si banesa e ushtarakeve, klubi i pleqëve,  si dhe filiali i Bankës së Shqipërisë.
“Të gjitha këto objekte u hoqën në planin rregullues dhe në nëntor të vitit 1962 u inaguruar lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës”, thotë Bezhati.
Bezhati pranon se në ish-lagjen e vjetër të qytetit, sot Pallati i Lulturës, ka ekzistuar një kishë e vogël, rreth 25 metra katrorë, por kurrë varreza, siç pretendon Kisha Ortodokse.
Konflikti midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Ortodokse, vijon Bezhati, ka lindur në vitin 1997.
“Në fillim të vitit 1997, të dyja palët ranë dakord që konflikti i pronësisë të zgjidhej nëpërmjet institucioneve të drejtësisë. Të dyja palët zhvilluan seanca maratonë dhe fitimtarë doli Bashkia e Përmetit, në të gjitha shkallët e gjyqësorit”, pohon Bezhati, ndërsa nënvizion se po atë vit, Kisha Ortodokse në mënyrë të njëanshme, shpërthyeu dyert e Pallatit të Kulturës dhe e zaptoi atë.
“Pushteti vendorë reagoi, por me kalimin e viteve këmbëngulja u zbeh”, shton ai.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese, në vitin 2002, ka vendosur në favor të pushtetit vendor, por prej 14 vitesh ky objekt mbahet forcërisht nga Kisha Ortodokse.
“Është një rast unikal që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të formës së prerë, nuk zbatohet nga Zyra e Përmbarimit”, pohon Bezhati, ndërsa thekson se nuk është shteti që duhet të qëndroj brenda hapësirës së Kishës, por Kisha që duhet të qëndron brenda hapësirë së shtetit ligjor.
Bezhati thotë se brenda Pallatit të Kulturës është futur “Kali i Trojës”, i cili ushqehet pushteti vendorë, si dhe nga At Vasil Thomollari, personazhi i skandalit të zhvarimit të eshtrave të Kosinës, fshat që ndodhet 5 km larg Përmetit.
“Kisha Ortodokse kërkon të vrasë identitetin dhe kulturën kombëtar, duke tentuar të instaloj në Përmet helenizimin”, mendon Bezhati.

KISHA

At Ikonon Qerimi, përfaqësuesi i Kishës Ordotokse “Shën Mëri” në Përmet, gjatë prononcimit të tij, shprehet se punimet për rikonstruksionin e çatisë kanë nisur në fillim të këtij viti, për shkak të amortizimit të tejskajshëm.
“Ish Pallati i Kulturës funksionin si objekt fetar prej 4 shkrut të vitit 1998, fal një vendimi të Gjykatës së Përmetit”, shprehet At Ikononi, ndërsa shton se edhe Gjykata e Apelit të Gjirokastrës ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.
At Ikononi thotë se Komisioni i Pronave rrethi Përmet, më 26 maj 1997, i ka rikthyer Kishës Ordotokse ekzaktësisht 6184 metra katrorë, duke llogaritur dhe Pallatin e Kulturës, me 584 metra katrorë.
“Kisha e Përmetit është ndërtuar në vitin 1830 nga besimtarët. Këtu kanë ekzistuar varreza, punishte zejtare, si dhe disa artizanë”, sqaron At Ikononi, ndërsa kujton se në Përmet kanë ekzistuar dy xhami, një teqe, si dhe tre kisha.
Sipas tij, në vitin 1960, ky objekt fetar u sekuestrua nga regjimi komunistë.
“Objekti ndryshoi destinacion, pa prishur muraturat, përveç ambjenteve të brendshme që u kthyen në sallë kulture”, pohon At Ikononi, ndërsa thekson se rikonstruksioni i çatisë kryen natën për të respektuar legjislacionin shqiptar.
“Në qendrat e banuara, makineritë e rënda nuk lejohen të qarkullojnë ditën. Për këtë arsyje punohet natën”, shpjegon përfaqësuesi i kishës.
“Institucionet i Kishës Ordotokse vendore ka nisur rikonstruksionin, pasi u pa si domodoshmëri ndërhyrja, për shkak se çatia rrezikonte jetën e besimtarëve dhe kalimtarëve”, shprehet At Ikononi.
“Ky rikonstruksion ka marrë dhe mirëkuptimin e pushtetit vendor”, shton ai, duke nënkuptuar se rikonstruksioni nuk kërkon në vetvete autorizim nga Bashkia e Përmetit.
At Ikononi specifikon se deri tani janë ngritur 5 nga 10 kollona, që do të shërbejnë për të mbajtur të fortë strukturën e çatisë, ndërsa financimi kryen fal ndihmës së besimtarëve, pa dallim feje.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojnë në tempullin e Perëndisë dhe shpresojmë së institucionet qëndrore dhe vendore të na kthejnë të gjitha pronat të kulteve fetare, siç u kthye Kisha e Përmetit”, përfundon At Ikononi.

BASHKIA

Edmond Komino, kryebashkiaku i Përmetit, e vlerëson rikonstruksionin e çatisë së pallatit të kulturës të kundraligjshme.
“Ky objekt me nr. pasurie 16/9 është në inventarizimin e pushtetit vendor. Bashkia e Përmetit nuk ka dhënë asnjë “mirëkuptim”, siç pretendon përfaqësuesi i kishës”, shprehet Komino, ndërsa shton se institucionet shqiptare veprojnë me dokumenta zytare dhe jo gojarisht.
Sipas tij, punimet që po kryen aktualisht në brendëshi të Pallatit të Kulturës nga Kisha po dëmtojnë objektin dhe tashmë policia bashkiake në bashkëpunim me Inspektoratin e Ndërtimit kanë nisur punën për të ndaluar më tej ndërtimin pa leje.
“Pushteti vendor nuk jep leje ndërtimi për persona ose institucione që nuk është pronar trualli ose objekti”, shton ai.
Komino pohon se Bashkia e Përmetit në bashkërendim me Zyrën e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por fatkeqësisht janë penguar nga përfaqësuesit e Kishës.
Më tej, kryebashkiaku i Përmetit, tregon se institucioni që ai drejton ka nisur një studim për të vlerësuar gjendjen teknike, pasi prej 10 vjetësh ekzistonte një kopësht me 20 fëmijë, tashmë të transferuar për arsyje sigurie.
“Ne si pushtet vendor kemi bërë një draft-projekt për të përzgjedhur një studio projektimi, në mënyrë që pas ekzekutimit nga Zyra e Përmbarimit, të sigurojnë fonde nga donatorët vendas apo të huaj për t’ia dhënë komuniteti një qëndër multifunksionale për ta”, specifikon Komino, ndërsa nënvizon se tashmë ky objekt është 100 përqind e amortizuar dhe po shkon drejt shkatërrimit total.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s