Dossier/ Si u shemb shtatorja mbinatyrore e diktatorit 20 vjet më parë në Gjirokastër

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR  – Tre djemosha gjirokastritë, Sokol Karaulli, Ilir Bozgo dhe Robert Asqeri, plot 20 vjet më parë “shkulën” nga themelet shtatoren mbinatyrore të diktatorit Enver Hoxha, të vendosur në kodrën më të bukur në zonën muzeale. “Pa ndihmën e rreth 300 të rinjve gjirokastritë, monumenti i diktatorit nuk do të ishte rrëzuar, edhe pse propozimi i demokratëve nuk u miratua nga të majtët e Komitetit pluralist të asaj kohe”, tregon Sokol Karaulli, njëri prej protagonistëve të ngjarjes, sot i papunë.
Ai thotë se monumenti u rrëzua në 28 korrik 1991, në orët e vona të mbrëmjes. “Protestuesit u nisën nga “Qafa e Pazarit” drejt monumentit, ndërsa forcat policore ishin të shumta, të cilët nuk lejonin rrëzimin e monumentit”, rrëfen Karaulli, ndërsa shton se rezistenca e demonstruesve zbrasi presionin e policisë.
“Rrëzimi i monumentit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e qytetit pas pavarësisë”, shton ai.
Sipas tij, gëzimi ishte i papërshkrueshme, banorët gjirokastritë dolën nga shtëpitë në mbështetje të demostruesve dhe festuan deri në agim.
Karaulli shprehet se monumenti i diktatorit me material shkëmbor mermeri, i sjellë enkas nga ishujt e Korsikës (Francë), ishte e pamundur të shembej, peshonte mbi pesë ton.
“Regjimi komunist kërkonte ta përjetësonte diktatorin në vendlindjen e tij, por u largua pas tre vjet qëndrimi”, pohon Sokoli, që shton se monumenti u godit për herë të parë me vare nga Agron Memushi, atëherë 30 vjeç, një një ish- i burgosur politik.
Agroni nga lagjia “Palorto”, vijon Karaulli, i hyri me vare bustit dhe e bëri fërtele, duke mos pyetur fare për shkopinjtë e gomës, pasi ai (Agroni) gjatë inaugurimit të bustit ishte shprehur teksa luante bilardo: “Bëheni si të doni, por vetëm mos e ngjallni më”.
“E kishte hak të merrte “hakë” ndaj diktatorit”, thotë me sinqeritet Karaulli.  Më tej, kujton ai gjërat u lehtësuan, pasi policia qëndroi mënjanë dhe demostruesit “punonin” për të rrëzuar monumentin.
“Plot 300 demonstrues kanë punuar për dy orë si milingona për të shembur shtatoren të vendosur në pikën më të bukur të zonës muzeale”, thotë Karaulli.
Në pamundësi për të larguar shtatoren, për shkak të mungesës së infrastrukturës, si dhe mungesës së një kamioni, gjirokastritët vendosën një tigan në kokë dhe bar të thatë në gojë, që simbolizonte fundin e regjimit komunist 50 vjeçar.
Në fund të aksionit, vijon Karaulli, Tajar Kokalari, “Mësuesi i Popullit”, nxori një paketë nga xhepi dhe filloi të shpërndante cigaren demonstruesve, duke thënë: – “Ndizeni nga një o djema. Tani diktatori vdiq përjetësisht”.
Shtatorja, shton Karaulli, u largua nga zona muzeale dy javë më vonë, me urdhër të autoriteteve vendore të asaj kohe dhe u vendos në buzë të lumit Drino, pranë ish-Ndërmarrjes së Ndërtimit.
Karaulli ndjen keqardhje që 28 korriku 1991 është fshirë nga kalendarit i qytetit.
“Më vjen keq që kjo datë sot nuk përkujtohet. Njerëzit me dashje ose padashje tentojnë ta fshijnë këtë ngjarje të rrallë. Gjirokastra ka nevojë për histori reale për t’ia shtuar fondit të artë qytetit monumental”, thotë Karaulli, ndërsa citon një shprehje të urtë “Një popull që harron të kaluarën, s’ka të ardhme”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s