Reportazh / Himarë: Kisha e Athalit, një objekt monumental që duhet vizituar

Nga Telnis Skuqi
HIMARË – Roland Rendo, 45 vjeç, babai i dy fëmijëve, është një nga shtatë biznesmenët himariotë që ka financuar ndërtimin e rrugës së re që të çon në kishën “Shën Mëria” e Athalit, objekt  munumental prej vitit 1963, rreth 10 km larg qytetit bregdetar.

Ai thotë se kisha ndodhet në malin Athalit, rreth 2 orë me këmbë larg nga lagjia “Spile” e Himarës dhe çdo 15 gusht mblidhen mbi 300 besimtarë për të festuar ditën e bekuar.
“Është një vend i shenjtë për banorët e zonës. Çdo 15 gusht mblidhen besimtarë të shumtë dhe qëndrojnë deri në perëndim të diellit”, pohon Rendo, ndërsa thekson se mungesa e rrugës ka frenuar fëmijët dhe të moshuarit të vijnë të ndezin nga një qiri, për shkak të pjerrësisë së rrugës shkëmbore.
Sipas tij, pushteti vendor nuk është treguar bashkëpunues për ndërtimin e kësaj rruge, por sivjet kjo vepër do të përfundojë.
“E kam ëndërr të ndërtoj këtë rrugë. Dua që prindërit e mi ta vizitojnë njëherë në jetë këtë vend të bekuar”, shprehet Rendo, emigrant dhe sipërmarrës ndërtimi në Athinë (Greqi).
“Deri tani kemi hedhur mbi 10 mijë euro dhe kërkon dhe disa të tjera për ta përfunduar plotësisht rrugën e re”, shton ai.
Aristotel Prifti, 40 vjeç, eskavatorist, tregon se kisha “Shën Mëria” e Athalit nuk është promovuar për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore.
“Besimtarët për të festuar çdo 15 gusht pranë kishës udhëtonin 20 minuta me makinë dhe 2 orë me këmbë”, thotë Prifti.
Për të, kjo situatë do të marrë fund së shpejti, pasi pushteti vendor nuk e pengon dot këtë investim.
“Ndihem fatlum që jam njëri prej protagonistëve që po hap rrugë të re drej kishës”, shprehet Prifti.
Eltion Leka, 29 vjeç, lindur në Kudhës dhe banues në Himarë, i cili ndjek bisedën, thotë se kisha është ndërtuar në vitin 1795. Ajo është e tipit bazilikat dhe pranë saj gjendet një banesë dykatëshe gjysmë e rrënuar.
“Kisha ndodhet rreth 450 metra mbi nivelin e detit dhe ka një panoramë të mrekullueshme”, thotë Leka, ndërsa thekson se Himara dhe gjiret e saj shfaqet si në pëllëmbë të dorës.
Milto Malaj nga Ftera, taksist, mendon se tashmë ka ardhur koha që ky objekt fetar të promovohet për pushuesit vendas dhe të huaj.
“Shumë njerëz kanë treguar interes të vizitojnë kishën “Shën Mëria” e Athalit, por ishte e pamundur t’i nisja deri atje. Mungonin dy kilometra rrugë”, shprehet Malaj.
Pirro Thomo, studiuesh, në librin e tij “Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut”, tregon se kisha e Athalit me përmasa 10 x 5.10 metra, mbulohet me tavan të rrafshët, ndërsa nefet anësore janë katërkëndëshe, të ndara nga njëra-tjetra me harqet që lidhin kollonat me muret përbri, të cilat janë të mbuluara me qemere cilindrike.
“Ambienti i altarit ndahet nga një ikonostas prej muri mjaft të lartë, me tri hyrje. Ka dysheme të ngritur tri këmbë shkallë nga pjesa tjetër e naosit, ndërsa mbulohet me të njëjtën tavan”, thekson Thoma.
Sipas tij, apsida e bemës nuk ndodhet në pjesën qëndrore të murit lindor, por është e spostuar, duke i marrë vend diakonikonit, ndërsa mbi frontonin e murit perëndimor ngrihet këmbanarja.
“Një strukturë e tillë e mbulesës së naosit nuk është e zakonshme për kishat e këtij tipi dhe mendohet të jetë si rezultat i ndonjë rikonstruksioni të mëvonshëm”, thekson Thomo.
Më tej, studiuesi Thomo nënvizon se nga vrojtimet rezulton se dritarja mbi portën perëndimore është e zënë nga tavani, ndërsa afresket (pikturat murale) vazhdon mbi tavan.
Kisha, vijon Thomo, ka muraturë të rregullt, me qoshe dhe korniza të punuara me gurë të latuar.
“Me gurë të latuar është punuar dhe muratura e apsidës, e cila përfundon me një kornizë guri, të përbërë nga një radhë në formë dhëmbësh sharre ndërmjet dy radhëve të drejta”, thotë Thomo, që shton se çatia dyujëse, me një prerje në anën lindor është e mbuluar me tjegulla.
Thomo nënvizon se interes tipologjik paraqet dhe ndërtesa gjysmë e rrënuar e manastirit. Ajo është dykatëshe.
“Kati i parë ka shërbyer për katoje, ndërsa i dyti për banim. Hyrja kryesore bëhet me shkallë guri, të cilët përfundojnë në një çardak të gjerë, të hapur në ballë dhe të mbrojtur nga krahët me mure thërthore”, përfundon Thomo.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s