Reportazh/ Saranda, urbanistikë pa kriter

Nga Telnis Skuqi
SARANDË – Çdo fundjavë, Stavri Konomi, arkitekt, udhëton me traget nga Korfuzi (Greqi) në Sarandë. Fatmirësisht e fatkeqësisht, ai është në gjendje të fotografojë në memorien e tij urbanistikën pa kriter, që po zhvillohet me shpejtësi në Sarandë, duke e krahasur atë me ishullin e Korfuzit.

“Saranda nuk ka një plan urban të përshtatshëm, çdo gjë ndërtohet pa kriter dhe tashmë situata paraqitet e rënduar”, thotë Konomi, lindur në Lukovë 52 vjet më parë.
Sipas tij, në Korfuz arkitektura ka një fizionimi të qartë, askush nuk guxon të ndërtojë në vijën bregdetare pa respektuar largësinë, ndërsa ndërtimi i objektit duhet të jetë i përshtatshëm me terrenin.
“Në Sarandë ndodh krejt e kundërta. Pallatet shumëkatëshe janë ngritur jashtë kritereve urbane. Nuk respektohet largësia nga vija bregdetare, ndërkohë zonat e gjelbërta janë zvogëluar me përpjestim me numrin e popullsisë”, krahason Konomi.
Për të, kjo situatë ka ardhur si pasojë e neglizhencës së pushtetit vendor.
“Në Korfuz pushteti vendor nuk toleron asnjë individ të manipulojë planin urban. Përkundrazi, atje nuk ekziston si në Sarandë KRRT-ja (Këshilli i Rregullimit të Territorit), por zbatohet vetëm ligji”, shprehet Konomi.
Në Greqi, thekson Konomi, ka një bazë ligjore urbanistike, e cila kontrollohet direkt nga pushteti vendor.
“Zbatimi i ligjit është taksativë”, thotë ai, dikur emigrant.
Për të ndërtuar një objekt në Korfuz, vijon arkitekti, toka duhet të jetë e hipotekuar me emër të investitorit, pastaj fillojnë procedurat për lejen e ndërtimit.
“Investitori paraqet pranë pushtetit vendor projektin e përfunduar plotësisht, ku në të parashikohet fondi, periudha kohore e ndërtimit, si dhe plani urban”, pohon Konomi, ndërsa shton se nëpunësi i bashkisë ka të drejtë ta kthejë projektin, nëqoftëse vëren shkelje dhe brenda tre muajsh nxjerr lejen e ndërtimit.
Konomi tregon se gjatë ushtrimit të profesionit në Korfuz, kurrë nuk ka paguar nën dorë, pasi atje gjërat funksionojnë ndryshe.
“Çdo investitor që ndërton një objekt, sidomos në vijën bregdetare, është i detyruar të shtojë sipërfaqe gjelbërimi. Në Sarandë vështirë se mund të gjesh një ndërtim të tillë, përkundrazi edhe detin e kanë zaptuar”, mendon Konomi.
Më tej, arkitekti thekson se vija bregdetare në jug të vendit është e mrekullueshme, madje më e bukur se Korfuzi, por mungon disiplina.
“Në Greqi kam projektur 40 objekte, si dhe kam ndërtuar 20 objekte. Në asnjë rast nuk më ka ndodhur të dal jashtë projekti fillestar, pasi pasojat ligjore janë të rënda”, specifikon Konomi. “Atje (Greqi) nuk të fal kush në qoftë se prish imazhin e qytetit”, shton ai.
Konomi mendon se situata në Sarandë mund të ndryshoje pozitivisht, në qoftëse pushteti vendor vepron qysh tani.
“Katrahura urbane në Sarandë ka ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të turistëve, ndërsa ka pasur fluks në ato zona, ku ndërtimet nuk janë shfaqur”, vlerëson Konomi.
Për ta konkretizuar argumentin e tij, ai merr si shembull Parkun Kombëtar Arkeologjik Butrinti, ku numri i turistëve është dyfishuar.
“Ligji në Butrint ka funksionuar, pasi edhe ato pak ndërtimet pa leje që u ngritën, u “bombarduan” nga forca e shtetit pa hezitim. Aktualisht, situata paraqitet favorizuese për turizmin elitar”, shprehet ai, duke shtuar se “kjo formulë duhet të ekzistonte edhe në Sarandë, por fatkeqësisht ngeci”.
“Më mirë vonë se kurrë! Kratrahura duhet frenuar, pasi ju garantoj se pas dhjetë vjetësh, Saranda nuk do të jetë zonë urbane, por rurale”, përfundon Konomi.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s