Reportazh / I mituri drejt Sarandës jo për plazh…, por për punë

Nga Telnis Skuqi
SARANDË – Vetë i tretë në tavolinën e një prej bar-restoranteve në Sarandë, Ismail Xh., nga Gjirokastra, është befasuar një javë më parë nga shkathtësia e një djaloshi 14 vjeç për humorin e tij të sinqert, si dhe për shërbimin korrekt ndaj klientit.

“Të them të drejtën, kamarieri fëmijë ishte pjekur përpara kohe. Ai ishte aq i shkathët dhe i prerë sa personalisht kam ngelur me gojë hapur së bashku me miqtë e mi”, thotë Ismaili.
Sipas tij, tashmë punësimi sezonal në Sarandë gjatë stinës së verës është kthyer në modë. “Kush kërkon punë në verë mund t’a gjejë me lehtësi atë. Mjafton të jesh i shkathët, i përpiktë dhe korrekt me klientët”, pohon Ismaili, ndërsa shton se punëdhënësit duhet të tregohen më profesionistë në kriteret e punësimit sezonal.
Nuk jam kundër punësimit sezonal të fëmijëve, vijon ai, por me masë dhe pa abuzuar me ta. “Kamarieri ishte në moshë jo madhore, pavarësisht se ishte pjekur përpara kohe”, specifikon Ismaili.
“E kuptoj situatën e djaloshit. Ishte nga Delvina dhe kishte nevojë për të ardhura financiare, por ai ende nuk kishte mbaruar ciklin shkollor 9-vjeçar”, shton ai.
Nga ana tjetër, djaloshi 14 vjeçar, Klevis K., ndihet krenar për punën që bën, madje thotë se e vetmja rrugë për të siguruar të ardhura në rrugë të ndershme.
Në Sarandë, tregon Klevisi, ka mbi 100 fëmijë të ardhur nga qytete te tjera që lypin në rrugët e qytetit, madje ka raste që vjedhin pushuesit.
“Unë nuk e bëj dot këtë “zanat”. Kam vendosur të punoj nga mëngjesi deri në darkë për të siguruar te ardhura te nevojshme ndërsa mësoj edhe profesionin e kamarierit”, thotë shkurt Klevisi.
Për të, kjo është një punë e ndershme, madje 14 vjeçari është shumë i apasionuar për këtë profesion. Ai na tregon se në shkollë nuk ka qënë një nxënes i mirë dhe përmes një buzëqeshje thotë se “truri nuk më punon për të mësuar, por dua të bëhem kamarier”.
Punësimi sezonal i fëmijëve në Sarandë është bërë shqetësuese edhe për Inspektoriatin e Zyrës së Punësimit, si dhe për organizatat jofitimprurëse që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë qytet bregdetar.
Luiz Seiti, përfaqësues i fondacionit “Terre des Homes”, me seli në Gjirokastër, thotë se shfrytëzimi i fëmijëve për punë është një nga problemet sociale që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.
“Disa profesione rrezikojnë sigurinë e shëndetit apo moralit të fëmijëve, si përsa i përket natyrës së punës ashtu dhe për rrethanave në të cilat kryhen”, shprehet Seiti.
Sipas tij, duke iu referuar të dhënave të Inspektoriatit Shtetëror të Punës, në Shqipëri vihet re një tendencë në rënie e numrit të fëmijëve që punojnë, ku gjatë vitit 2011 nga inspektimet janë identifikuar 70 fëmijë që punojnë, nga 348 fëmijë të evidentuar gjatë vitit 2010.
“Profesioni i kamarierit është një zanat i vështirë. Kamarierët-fëmijë qëndrojnë gjithë ditën në këmbë, merren me lloj-lloj klientësh dhe askush nuk i mbron ata”, pohon Seiti, ndërsa nënvizon se fëmijët janë të preferuarit e punëdhënësit, pasi marrin pagë të ulët dhe janë të bindur në punë.
“Shteti duhet të veproje për eleminimin e fenomenit të punës së fëmijëve, pasi çdo lloj forme pune paraqet rreziqe, cënon edukimin, dëmton shëndetin, si dhe zhvillimin e tij”, vlerëson Seiti.
Ndërsa, burimet zyrtare të Inspektoriati të Punësimit të Sarandës, shprehen se që prej vitit të kaluar po punohet për mbrojtjen e fëmijëve nga puna. Numri i fëmijëve të punësuar është ulur në masën 60 përqind këtë vit krahasuar me një vit më parë, sqarojnë inspektorët e Zyrës së Punësimit, ndërsa shprehen se për të ulur numrin e fëmijëve që punësohen kërkohet intensifikimi i përpjekjeve dhe bashkëpunimit midis të gjithë aktorëve, duke synuar jo vetëm luftën ndaj këtij fenomeni, por edhe integrimin e këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre në jetën sociale.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s