Reportazh / Saranda, qyteti ku infrastruktra largon pushuesit

Nga Telnis Skuqi
SARANDË – Kryebashkiaku i ri i Sarandës, Stefan Çipa, tre ditë më parë, informoi Presidentin e Republikës, Bamir Topi, rreth problematikave që ndeshet aktualisht qyteti bregdetar, sidomos për mungesën e ujit të pijshëm, apo rënien e numrit të turistëve.

Për të, dy janë shkaqet kryesore që kanë sjellë këtë kolaps në Sarandë: ndërtimet pa leje, si dhe mungesa e një strategji të qartë për zhvillimin e turizmit.
“Qyteti është i betonizuar. Asnjë hapërisë e gjelbërt nuk është shtuar gjatë dy dekadave të fundit. Plani urban kurrë nuk është respektuar”, thotë Çipa.
Nga ana e vet, kreu i shtetit, Bamir Topi, është shprehur optimist për burimet turistike që ka Saranda dhe njëkohësisht ka kërkuar bashkëpunim institucional në funksion të zhvillimit të qytetit.
Nisur nga fakti se Saranda shquhet për popullim në muajt e verës, zoti Topi ka hedhur idenë edhe të atraktivizimit të saj edhe në muajt e dimrit ku eksperienca e vendeve perëndimore me të njejtën gjeografi, konsiderohen si qendra turistike dhe në dimër.
“Shteti shqiptar, duhet të punojë më tepër që turistët të vijnë me shumë dëshirë dhe të rikthehen po me të njëtën dëshirë”, ka theksuar Presidenti Topi.
Pavarësisht optimismit të kreut të shtetit, arkitektën mendojnë ndryshe, pasi, sipas tyre, masakra urbane që ka ndodhur në Sarandë nuk riparohet më.
“Në Sarandë ndodh krejt e kundërta. Pallatet shumëkatëshe janë ngritur jashtë kritereve urbane. Nuk respektohet largësia nga vija bregdetare, ndërkohë zonat e gjelbërta janë zvogëluar me përpjestim me numrin e popullsisë”, vlerëson Stavri Konomi, arkitekt.
Konomi thekson se katrahura urbane në Sarandë ka ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të pushuesve vendas dhe të huaj, ndërsa ka pasur fluks në ato zona, ku ndërtimet nuk janë shfaqur, si në Butrint, ku numri i turistëve rritet çdo vit.
“Në Sarandë ligji nuk është i barabartë. Këtu pushuesit nuk trajtohen si të tillë. Madje, çdo natë lokalet buzë detit të “shurdhojnë” me muzikë, duke shkatërruar nevrat e tyre. Me pak fjalë, në Sarandë jetojmë si në xhungël, ku peshku i madh hanë të voglin”, specifikon Konomi.
Dritan Selmani nga Përmeti, babai i dy fëmijëve të vegjël, më tregoi një ditë më parë, se pushimet e verës i kishte ndërprerë, nuk kishte gjetur karar.
“Harxhova para dhe kohën kot. Jam bërë pishman që zgjova Sarandë. Ujë i pijshëm mungonte, ndërsa çmimet ishin “kriposur”. Me pak fjalë kam ngelur i pakënaqur”, pohon Selmani, mësues i letërsisë.
Ky, vijon Selmani, nuk është turizëm, por një ogur i zi për turizmin në jug të vendit.
“Mania për të fituar brenda një sezoni vere po shkatërron turizmin. Kudo ku shkova pagova, madje edhe në plazh, ku deti është i të gjithëve”, shprehet Selmani.
Një tjetër dukuri që ka vërejtur gjatë qëndrimit të tij disaditorë në Sarandë, Dritan Selmani, janë ndërtimet që po kryen gjatë sezonit të verës.
“Në drekë pothuajse nuk kam fjetur fare. Çekiçët pneumatik punonin nga mëngjesi deri në darkë. Strukturat e pushtetit vendor nuk vepronin, heshtin. Ka pasur raste sporatike që policia bashkiake ushtronte kontroll, por çekiçi vijonte pasi largoheshin”, tregon Selmani.
Fatkeqësisht, shton mësuesi i letërsisë, turizmi bregdetar në Sarandë po shuhet si “qiriu i Naimit”, pasi janë vetë banorët që po “investojnë” në dëm të saj.
“Vendasit kujtojnë se turizëmi ekziston vetëm në Sarandë. Po harrojnë që Shqipëria ka një vijë bregdetare prej 316 kilometrash”, thotë Selmani, ndërsa e perifrazon argumentin e tij me shprehjen popullore “Kur të vinë mend s’ti hanë as qentë”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s