Reportazh / Gjirokastër: Banorët i vënë zjarrin mbeturinave,… shpërthejnë granatat

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Mungesa e një vendi për hedhjen e mbeturinave në lagjen “Zinxhira”, 3 km larg qytetit të Gjirokastrës rrezikoi dje jetën e dy zjarrfikësve dhe dy policëve, që shpëtuan mrekullisht teksa po luftonin me zjarrin, për shkak të shpërthimit të disa granatave, që ndodheshin në një grumbull mbeturinash të kësaj lagjeje.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullai, thotë se “mbeturinat urbane ishin hedhur prej vitesh nga banorët në përroin e lagjes”.
“Dje u njoftuam për rrezikshmërinë që shfaqte vatra e zjarrit për banesat përreth dhe dërguam grupin special për të marrë në kontroll situatën, por rastësisht ndeshëm me mjetet luftarake, që ishin hedhur në vitin 1997”, shprehet Mullai.
Sipas tij, ajo që ndodhi dje ishte tepër e rrezikshme për jetën e punonjësve të shtetit, por edhe për banorët e zonës.
“Mbeturinat dhe depozita e mjeteve luftarake ishin bërë njësh. Askush nga banorët e lagjes nuk kishte informacion për situatën”, pohon Mullai, duke u shprehur se banorët në mungesë të një pike grumbullimi i hidhnin mbeturinat pa të keq në përrua, si mënyrë shpëtimi.
“Lagjia “Zinxhira” është zona më e ndotur e qytetit. Në të gjithë gjatësinë e përroit shikon pafund grumbuj mbeturinash”, thekson Mullai.
Kiço Rustemi, babai i dy fëmijëve të vegjël, që ndihmoi vullnetarisht zjarrëfikësit dhe policinë për të shuar vatrën e zjarrin shprehet se “fajtore nuk është policia dhe zjarrfikësit, por banorët që çdo ditë hedhin mbeturina pa të keq në përrua”.
Sipas tij, shërbimet publike që administron pushteti vendor lënë për të dëshiruar, pavarësisht se çdo vit paguhet taksë për pastrimin.
Ai mendon se gjelbërimi në lagjen “Zhinxhira” është fjalë e huaj, ndërsa tregon se katër vjet më parë u vendos një kosh i madh, por përfundoi në përrua, ashtu si mbeturinat.
“Për pastrimin e lagjes nga mbeturinat urbane nuk kanë munguar kërkesat në bashki, por ato kanë rënë në vesh të shurdhët”, mendon Rustemi.
Ndërsa Përparim Kore, përgjegjësi i zyrës së shërbimeve pranë Bashkisë së Gjirokastrës, pohon se situata në lagjen “Zhinxhira” paraqitet ndryshe.
“Pushteti vendor është shumë i interesuar që mbeturinat urbane të hidhen në vendet e caktuara. Fatkeqësisht janë banorët që nuk e preferojnë një gjë të tillë”, thotë Kore, duke argumentuar se tre muaj më parë ndërmarrja e pastrim-gjelbërimit u angazhua totalisht për të pastruar përroin e lagjes “Zinxhira”, duke e rikthyer në identitet.
“Problem nuk është pushteti vendor, por mentaliteti i banorëve, të cilët i hedhin me sportivitet mbeturinat nga ballkoni drejt përroit”, pohon Kore, duke shtuar se disa lagje të vjetra, si “Pazari i Vjetër”, “Bashteja e Teqesë”, “Manalati”, “Dunavati I e II”, “Çfaka”, “Harmurati”, “Meçite”, “Zinxhira” e “Varosh” janë më problematike, kjo edhe për shkak të pozicionit të vështirë gjeografik.
Gabimi i vetëm i pushtetit vendor, mendon Kore, është butësia e Bashkisë së Gjirokastrës, e cila nuk ka përdorur forcën e ligjit për të detyruar shkelësit të përgjigjen financiarisht për dëmin që shkaktojnë.
“Ka ardhur koha që administrata e pushtetit vendor të punojë mbi bazën e një harte mjedisore, ku të identifikohen të gjitha lagjet problematike dhe taksat të jenë të diferencuara, sipas zonës.
Një banor i lagjes “18 shtatori”, ku ndotja e mjedisit është e ulët, nuk ka pse të paguajë të njëjtën taksë me banorin e lagjes “Zinxhira”, që preferon t’i hedhë mbeturinat urbane jashtë vendit të grumbullimit”, përfundon Kore.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s