Reportazh / Gjirokastër: Teatri profesionist 16 vjet me sipar të ulur

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Njerëzit që mund të shpëtojnë teatrin profesionist të Gjirokastrës, nuk janë drejtuesit e lartë të pushtetit vendor, por artistët, të cilët prej 20 vitesh janë “eklipsuar” për shkak mungesës së fondeve.

Shumë filma artistikë shqiptar që janë realizuar në jug të vendit përpara viteve 1990, janë luajtur me mjeshtëri nga artistët gjirokastritë. Këtu përmendim Teli Stefani, me rolin e Adnan Pinxos te “Njeriu me top”, apo roli i tij pikant në filmin “Përrallë nga e kaluara”.
Në të kundërt ishte aktori simpatik Ilir Lluri, ku për herë të parë një film artistik shqiptar kishte si skenar një protagonist negativ. Iliri luante rolin e shokut të Besos tek “Dora e ngrohtë”, me regji të Kujtim Çashkut, apo Piro Qiqi tek filmi “Njeriu me top”, që interpretonte djalin qaraman të plakut Mere Fizi.
Sot, fatkeqësisht këta artistë kanë ndryshuar profil. Stefani pensionist, Ilir dhe Piroja gazetarë, ky i fundit sportiv.
Ilir Lluri tregon se trupa e teatrit profesionistë “Zihni Sako” të Gjirokastrës kishte në përbërje mbi njëzetë artistë të mirëfilltë, sot vetëm nëntë, madje disa prej tyre ishin të preferuar nga regjisorët e filmave artistikë.
“Dy dekada më parë salla e teatrit të Gjirokastrës “thyhej në mes”. Njerëzit qëndronin në këmbë, nuk gjenin karrige”, thotë Lluri, duke shtuar se nga e hëna në të shtunë artistët e teatrit jepni shfaqe në zona të thella rurale.
Për Llurin skena e teatrit ishte gjithçka, ndërsa artëdashësit ishin të etur për aktivitete kulturore.
Lluri thekson se epoka e artë e teatrit tashmë ka përfunduar dhe bashkë me të edhe godina.
“Më dhemb zemra ku shikoj godinën madhështore në gjendje të mjerueshme. Pushteti vendor e ka braktisur prej 10 vitesh dhe sot shfaqe japin vetëm forcat politike”, nënvizon Lluri.
Sipas tij, gjendja e këtij teatri është pasojë e keqmenaxhimit të Bashkisë së Gjirokastrës, madje institucioni në fjalë ka nxjerrë në pension të parakohëshëm artistë që kanë ende energji t’i japin publikut.
“Shfaqja e fundit në skenë u realizua një vit më parë, kjo falë përkushtimit të vetë artistëve gjirokastritë. Pushteti vendor akordoi 500 mijë lekë. Shumë qesharake!”, thotë Lluri.
Vasil Cuklla, drejtori aktual i teatrit profesionist “Zihni Sako” të Gjirokastrës, thotë se “tradita njëshekullore po shkon drejt shuarjes. Shkaku kryesor është mungesa e fondeve financiare. Nga 60 aktorë dhe prapavijë teatrore, stafi është rrudhur në 13 persona, prej të cilëve vetëm 9 janë aktorë”.
Fondi vjetor, vijon Cuklla, është 500 mijë lekë të vjetra, këtu përfshihen energjia elektrike, uji, rekuizita, gardëroba, skenografia, etj.
“Dikur në këtë institucion përfshiheshin trupa e teatrit, estradës, cirkut profesionist dhe teatrit të kukullave, që në kohët më të mira arrinte të jepte 15 premiera në vit, ndërsa aktualisht me shumë vështirësi arrin të japë vetëm një premierë në dy vjet”, pohon Cuklla, duke shtuar se shfaqja më e fundit që është ngjitur në skenën e këtij teatri, komedia “Nuk paguaj, nuk paguaj”, nën regjinë e Piro Qiqit, ka reflektuar mungesën e madhe në këtë teatër.
“Premiera e fundit e kësaj trupe “Nuk paguaj, nuk paguaj”, jo vetëm që të bind për “rrokullimën” e këtij arti, por edhe për faktin se pushteti lokal vërtet nuk po denjon të ndryshojë situatën”, tha dy ditë pas shfaqjes gazetari Engjëll Serjani.
Serjani këtë e argumenton me faktin se prej 16 vitesh, trupa teatrore nuk merr pjesë në asnjë eveniment teatror që zhvillohet në vendin tonë dhe për mungesë fondesh nuk festoi dot as 40-vjetorin e themelimit të saj.
“Salla e shfaqjeve u shërben më shumë tubimeve të forcave politike se sa teatrit dhe spektatorëve të dikurshëm”, shton Serjani.
Lidhur me këtë problem, Bashkia e Gjirokastrës thotë se gjatë viteve të fundit teatri i qytetit, pavarësisht nga një numër vështirësish, ka krijuar kontakte të shpeshta me atë pjesë të qytetarëve, të cilët e duan teatrin.
“Në sallën e teatrit shumë shfaqje janë luajtur në skenë gjatë shtatë viteve të fundit, por më shumë ka pasur koncerte artistike”, thekson një zyrtar i pushtetit vendor.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s