Reportazh / Sarandë: Një familje rome në kërkim të së ardhmes

Nga Telnis Skuqi
SARANDË – Agim Ymerllari, rom, është i lirë më në fund të jetojë i lumtur, pas shumë vitesh shtegëtimi, me pesë fëmijët e tij. Tashmë ai ka një barrakë, të ndërtuar në ish- fushën e aviacionit, përballë fshatit Vrion, rreth 4 km larg Sarandës.
Për një familje me shumë pjesëtarë, i ardhur nga Fushë Kruja, Agimi ndihet fatlum, pasi, siç thotë ai, “nuk ka ndërmend të lëvizë për një kohë të gjatë”.
“Kam pesë fëmijë, tre djem, dy vajza, i vogli 3 muajsh, i madh 11 vjeç”, tregon Agimi, ndërsa shton se ka katër muaj që jeton pranë qytetit bregdetar, në jug të vendit.
Ai ka shtegëtuar, ka bredhur shumë, megjithatë nuk ka ndërmend të heqë dorë nga traditat shekullore që e karakterizojnë këtë komunitet.
Agimi tregon se bashkë me të jetojnë edhe 30 familje rome, me 180 frymë, që të gjithë të ardhur nga Fushë Kruja.
Sipas tij, vendosja në Sarandë ishte domosdoshmëri, një mundësi për të gjetur punë të çfarëdollojshme, si dhe dashamirësia e banorëve të zonës, të cilët nuk i paragjykojnë.
“Kemi shumë halle në jetë. Ne mundohemi t’i zgjidhim me qetësi. Nuk duam rrëmujë, por ahengun e duam, prandaj u larguan nga Fushë Kruja”, sqaron rrethanat e imigracionit Agimi, 37 vjeç.
“Familjarisht jetojmë duke grumbulluar dhe shitur kanaçe dhe hekurishte. Kur nuk kemi bukë lypim, por kurrë nuk vjedhim”, shton Agimi.
Hatixheja, bashkëshortja e Agimit, e cila ndjek bisedën me vëmendje, pa hequr dorë nga gatimi, tregon me hollësi vështirësitë e jetës.
“Nuk më del, por jetojmë”, thotë Hatixheja, duke nënkuptuar se me të ardhurat që siguron bashkëshorti, familja jeton me vështirësi, por fëmijët gjithmonë i ushqen.
Atë ditë, Hatixheja, po gatuante mish pule me patate. Në krahun e djathtë të barrakës kryefamiljarja kishte sajuar “kuzhinën” dhe pak më tutje lavamani.
“Kuzhina nuk është komode, por higjena është maksimale. Kështu jetojnë romët”, shprehet me sinqeritet Hatixheja.
Ajo thotë se tre nga pesë fëmijët e saj shkojnë në shkollë. Librat dhe transportin ia ka siguruar shteti.
“Vajza e madh ka dëshirë të mësojë. Ne mundohemi t’ia plotësojmë kushtet, duke sakrifikuar gjithçka për të. Ishalla ecën mirë për veten e saj”, flet Hatixheja.
Hatixheja shprehet e shqetësuar për fatin e fëmijëve. Ajo është kundër vazhdimit të traditës shumëshekullore të komunitetit rom.
“Akoma do vazhdojmë të ecin kuturu, pa një busull. Traditat t’i ruajmë si sytë e ballit, është kultura jonë, por jo të jetojmë në mëshirë të fatit”, specifikon Hatixheja, 36 vjeçe.
Kurrë në jetën e saj, Hatixheja, nuk ka menduar kaq seriozisht për fatin e fëmijëve të saj.
E ardhur në jetë në vitin 1975, ajo ka respektuar qysh në hapat e para traditën e paraardhësëve, por me kalimin e viteve mentaliteti ka ndryshuar, siç kanë ndryshuar edhe vetë rrethanat e jetës.
Hatixheja nuk ka pasur kurrë mundësi të lexojë librin “Liza në botën e çudirave”, por me siguri që e ka çuar nëpër mend se një ditë ajo mund të jetë vetë Liza, dhe jo në botën e çudirave, por në botën reale.
Fëmijëria e saj u privua, e martuan 14 vjeçe. Këtë fat ajo nuk do që t’ia trashëgojë fëmijëve të saj.
Hatixheja tashmë ka nisur “luftë” në dy fronte, të arsimojë fëmijët, si dhe të emancipojë bashkëshortin.
“Ish shoq është tradicional, por ka momente që ndryshon. Besoj se fëmijët e mi nuk do të kenë fatin tonë. Për këtë i lutem Zotit”, përfundon Hatixheja.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s