Reportazh / Grekët nga parajsa në “ferr”

Nga Telnis Skuqi
ATHINË (Greqi) – As në ëndërrën e saj, Anastasia Kallopis, nuk e kishte imagjinuar se një ditë jeta e saj do të merrte tatëpjetën për shkak të krizës ekonomike greke.
Ajo është një tregtare e vogël, që prej vitesh ka jetuar me djesën e ballit, duke shitur këpucë, por sot nuk është në gjendje të paguajë universitetin e vajzës së saj, që studion për mjekësi në Athinë.
“Jam gati të shes shtëpinë për time bijë. Klientët janë larguar. Do ta mbyll dyqanin, pasi barra fiskale është trefishuar”, thotë e shqetësuar Anastasia.
Për të, kriza ekonomike është shkaktuar nga politikanët, të cilët vodhën sa deshën dhe tashmë faturën e tyre e paguajmë ne.
“Mezi nxjerr bukën e gojës. Po sakrifikoj gjithçka që ime bijë të mbarojë studimet”, thotë Anastasia dhe shprehet e vendosur për ta shpëtuar biznesin.
Si ajo, po kështu dhe motra e saj, Angeliki, po përjeton vështirësi për pagesën e këstit bankar, pasi ajo e ka nisur aktivitetin e saj fitimprurës, duke marrë një kredi prej 150 mijë euro.
“Bashkëshorti im është nëpunës, por prej një viti paga e tij është ulur ndjeshëm, nga 2500 sot sjell në shtëpi 1000 euro”, shprehet Angelikia, duke shtuar se tashmë ajo po mendon falimentimin.
Angelikia çuditet se si kredia nuk mbaron, ashtu siç nuk mbaron edhe kriza ekonomike.
“Grekët kanë filluar të hajnë në shtëpi. Nuk shikon më restorante të tejmbushura, si dikur. Lavdia e dikurshme është sfumuar dhe çdo gjë konsumohet me llogari”, thotë Angelikia.
“Grekët mendonin se kishin arritur parajsën nga vitit 1980 e këtej. Një nga mënyrat për ta kapur këtë parajsë artificiale ishte vjedhja e shtetit. Nuk paguheshin taksat. Tashmë kjo piradimë është shembur, bashkë me të edhe shpresa për të jetuar në parajsë”, specifikon Angelikia.
Ilias Markos, korrespondenti i Agjencisë së Lajmeve Greke (ANA) për prefekturën e Janinës (Greqi), e vlerëson situatën ekonomike të rënduar, të pashpresë për të paktën një dekadë.
“Të parët e vendit e dinin këtë fakt, por askush nuk foli, heshtën për të mos marrë kosto politike”, mendon Markos.
Sipas tij, fermerët janë kategoria që është goditur më pak nga kriza ekonomike, ndërsa nëpunësit vuajnë pasojat e “parajsës”.
“Konsumatorët blejnë më pak, ndërsa fermerët e sigurojnë jetën e tyre duke prodhuar. Kriza ekonomike te fermerët është më njerëzore. Qumështin dhe produket e tyre bujqësore i kanë falas”, sqaron Markos dhe sakaq tregon se personalisht është prekur shumë nga reformat që ka ndërmarrë dy vitet e fundit qeveria e majtë e Papandreut.
ANA, agjencia ku ai vet punon, ka shkurtuar në masën 70 për qind shpenzimet e korrespodentit. Zyra tashmë është mbyllur, punon në shtëpi. Lajmet dhe fotografitë i realizon me shpenzimet e tij, me pak fjalë punon për të tjerët, jo për vete.
“Nuk ka rrugë tjetër. Merrja 1700 euro, ndërsa tani paga ime ka shkuar 700 euro. Gazetat ku punoj si korrespondent nuk paguajnë rregullisht. Kam dy muaj pa marrë honoraret. Fatmirësisht, kam një shtëpi, se ka edhe më keq”, shpjegon me pak fjalë Markos dhe shton se “tashmë as reklama shtetërore nuk marrin më”.
Markos thotë se këtë fat kanë pësuar edhe gazetat dhe televizionet lokale. “Stafi është shkurtuar. Numri i gazetarëve të papunë është rritur. Aktualisht, mediat lokale transmetojnë prodhimet që janë realizuar vite më parë”, tregon Markos.
Si njohës i mirë mentalitetit grek, gazetari Markos mendon se një ditë Greqia do t’ia dalë mbanë, por do të ketë kosto të lartë, si për kulturën, ashtu edhe për traditën e tyre shumëshekullore.
“Ndryshimi ka filluar. Grekët, si pjesë e Ballkanit, nuk do të kapardisen më duke bredhur lart e poshtë me euro nëpër xhep, por pas dhjetë vitesh ata edhe qumështin do ta blejnë me kartë krediti, dhe kjo për ta thotë shumë”, thotë Markos, duke nënkuptuar se grekët prej vitesh vidhnin arkën e shtetit, sidomos politikanët dhe nëpunësit, të cilët kanë futur duart sa herë kishin nevojë, kanë bërë çfarë kanë dashur dhe askush nuk u penalizua.
Kjo maskaradë ka marrë fund njëherë e mirë, pasi, siç thotë Markos, populli zgjedh të parët e vendit dhe jo të parët zgjedhin.
“Europa kishte besim tek grekët, por u treguam të pabesë. Një gjerman punon natë e ditë dhe mezi ka një shtëpi, ne (grekët) kemi një shtëpi në mal, një në fushë dhe një në det. Me pak fjalë kemi lënë gjurmë, gjurmë që duan vite të zhduken. Të shpresojmë që këtë turp të mos ia lëmë trashëgimi gjeneratës së re”, përfundon Markos.

Advertisements

1 Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s