Reportazh / “Fshesa” greke përzë klandestinët e “pranverës arabe”

Nga Telnis Skuqi
IGUMENICË (Greqi) – Ahmedi Hamedi, nga Tunizia, 50 vjeç, është një nga mijëra klandestinët që u largua nga vendlindja, sapo nisi revolucioni i parë i asaj që më pas u quajt pranvera arabe.
Ahmedini aktualisht qëndron imigrant në Igumenicë, një qytet i vogël bregdetar, i qetë, me 30 mijë banorë, që ndodhet në veri të Greqisë, vetëm 32 km larg kufirit shqiptaro-grek.
Ai thotë se në Igumenicë nuk ndodhet rastësisht, kërkon të largohet drejt Italisë me traget, pasi atje e presin të afërmit, por katër herë është ndaluar nga policia kufitare.
“Jetoj prej tre muajsh në Igumenicë. Dua të shkoj drejt Italisë, por katër herë jam diktuar dhe ndaluar nga policia kufitare”, thotë Ahmedini me një trup të brishtë.
“Gjallë a vdekur do t’ia dal. Allahu akbar (Zoti është i madh)”, nënvizon Ahmedini, me profesion ekonomist, me një anglishte brilante.
Për të, historia e imigrimit ka nisur nëntë muaj më parë, një javë sapo nisi revolucioni në Tunizi.
Ahmedini tregon se revolucioni në Tunizi ishte qysh në fillim i përgjakshëm. Shumë bashkëkombës të tij u vranë nga regjimi i Ben Ali, tashmë i larguar nga pushteti dhe emigrant i rregullt në Arabinë Saudite.
“Skamje, skamje… dhe vetëm skamje ka Tunizia. Dua të jetoj, të mbaj familjen gjallë”, pohon Ahmedini, babai i shtatë fëmijëve, më i vogëli 2 vjeç dhe i madh 18 vjeç.
Si ai mendon edhe bashkëpatrioti i tij, Sabri Muhamedi, i cili ka udhëtuar ilegalisht, së bashku me Ahmendinin, për mijëra kilometra drejt Perëndimit.
Muhamedi tregon se në fillim rrugëtimi ishte e vështirë, udhëtoi pesë ditë me një varkë nga Tunizia në Turqi. Më pas përshkroi 1500 km rrugë tokësore për të mbërritur më në fund pranë kufirit turko-grek.
“Me ndihmën e Allahut (Zotit) arrita të kaloj kufirin, por fatkeqësisht kam ngecur në Igumencisë prej 3 muajsh dhe tashmë mezi mbaj shpirtin gjallë. Grekët janë prekur shumë nga kriza ekonomike”, shprehet Muhamedi.
Ilias Markos, korrespodenti i Agjencisë së Lajmeve Greke (ANA), për prefekturën e Janinës (Greqi), e vlerëson situatën e klandestinëve arabë katastrofike.
“Klandestinët jetojnë në mjerim. Institucionet shtetërore dhe organizatat jofitimprurëse ndihen të pafuqishme për t’i ndihmuar refugjatët. Kriza ekonomike ka ndikuar negativisht”, thotë Ilias, ndërsa nënvizon se trajtimi njerëzor është fshirë nga lista, nuk ka fonde as për bukë.
Markos thekson se refugjatët në Igumenicë kanë vetëm një ëndërr, të hidhen përtej detit, të kapin Italinë.
“Refugjatët janë gati të sakrifikojnë jetën e tyre, të qëndrojmë ditë e natë me ditë të tëra pa bukë vetëm të largohen në fshehtësi me traget e linjës Igumenicë-Trieste, por vetëm pak fatlumë kanë kaluar përtej detin”, specifikon Ilias, 40 vjeç.
Gazetari grek thotë se Igumenica është porti ku mund të udhëtosh drejt Italisë.
“Kontrollet e Policisë Kufitare janë të rrepta. Çdo ditë ndalohen mbi 30 klandestinë. Ata fshihen kudo. Mbaj mend që dy klandestinë arabë nga Iraku u gjetën në fshehur në sabaratorin e një mauneje, policia i ndaloi. Ka shumë episode të tilla rrëqethëse”, tregon me keqardhje Ilias.

Nga Igumenica në Shqipëri

Në fillim të pranverës së këtij viti, banorët e Igumenicës protestuan, organizuan mitingje pafund me moton “largoni nga qyteti refugjatët”.
Gazetari grek, Ilias Markos, thotë se pakënaqësitë ndaj klandestinëve erdhën si pasojë e katërfishimit të vjedhjeve, prishjes së rendit, si dhe shkatërrimit të pyjeve.
“Mungesa e ushqimit dhe strehimit detyruan refugjatët arabë të vidhnin dhe të flinin në pyje. Kjo ndikoi negativisht për ta, gjë që e detyroi policinë lokale të nisë një fushatë pastrimi”, shpjegon Ilias.
“Që në këtë çast refugjatët panë si shpëtim të vetëm Shqipërinë, me shpresë për të vazhduar drejt Italisë”, shton ai.
Sipas tij, spastrimi i policisë greke nuk pati rezultatin e shumëpritur, pasi joqëllimisht favorizuan trafikantët e qenieve njerëzore.
“Në këto ditë të vështira ekonomike për Greqinë, më fatlumët janë trafikantët, të cilët u pasuruan duke shfrytëzuar klandestinët”, specifikon Ilias. “Kostoja e kësaj “arratisjeje””, vijon Ilias, “kushton 12 mijë euro, por ka dhe skonto deri në 10 mijë euro”.
Ilias thotë se trafikantët e qenieve njerëzore janë sofistikuar shumë. Ata i orientojnë në Shqipëri, i udhëheqin në disa shtigje të vështira, për të shmangur policinë kufitare, por fatkeqësisht refugjatët ndalohen në thellësi të territorit shqiptar.
“Trafikantët padyshim që përfitojnë një pagesë të majme, siç është e majme edhe transportimi i tyre nga Shqipëria në Itali. Shqiptarët duket se nuk dëshirojnë t’i ndalojnë klandestinët në këtë aventurë, por trafikantët nuk e dinë që në Shqipëri ekziston një ligj që ndalon daljen e skafeve në det”, argumenton Ilias.
Sipas tij, ligji “antiskaf” është miratuar afro pesë vjet më parë, gjë që ka ulur ndjeshëm trafikimin e qenieve njerëzore.
“Në Shqipëri shpresa merr fund, ashtu siç merr fund edhe shtegtimi i tyre”, thotë Ilias

Policia greke

“Trafikantët e qenieve njerëzore nuk janë të rrezikshëm, por rrezikshmëria është se ata iu pinë gjakun klandestinëve”, tha një drejtues i lartë i policisë së Igumenicës (Greqi), duke nënkuptuar se të gjitha kursimet e klandestinëve përfundojnë në xhepat e trafikantëve.
I njëjti zyrtar, i cili preferoi të ngelet anonim, shtoi se 99 për qind e trafikantëve e dinë që në Shqipëri mundësia për të shkuar drejt Italisë është thuajse zero.
“Trafikantët i mashtrojnë, iu japin shpresë dhe fatkeqësisht i dërgojnë klandestinët drejt “gijotinës”. Kjo është marrëzi”, pohon zyrtari, që shton se disa klandestinë të “pranverës arabe” janë përdorur nga trafikantët edhe si transportues të lëndëve narkotike.
I njëjti zyrtar thotë se nga pesë mijë klandestinë të ardhur nga Turqia, vetëm 200 kanë aplikuar për azil politik, ndërsa pjesa tjetër e konsiderojnë Greqinë si vend transit.
“Nga 200 azilkërkues, vetëm 170 kanë përfituar statusin e qëndrimit, pjesa tjetër konsiderohet e paligjshëm dhe për këtë arsye policia greke ka ndërmarrë një operacion për largimin e tyre”, thotë zyrtari dhe shton se të gjithë klandestinët ilegalë janë të pashpresë, të kequshqyer, si dhe nuk kanë një çati mbi kokë.
“Njëzetë vjet më parë, Greqia mirëpriti me bujari 500 mijë imigrantë shqiptarë, sot gjërat kanë ndryshuar. Kriza ekomomike që po përjeton vendi ynë i ka kushtëzuar klandestinët arabë të integrohen në shoqëri greke”, shprehet drejtuesi i lartë i policisë kufitare.

Policia shqiptare

Ylli Kumrija, ekspert për imigracionin pranë Departamentit për Kufirin dhe Imigracionit, me seli në Tiranë, thotë se vitet e fundit numri i klandestinëve, sidomos nga vendet arabe është shumëfishuar.
“Sivjet kemi një fluks të imigrantëve nga vendet arabe. Nga 88 imigrantë që u regjistruan një vit më parë, sivjet kemi 328 të tillë. Është një shifër e konsiderueshme”, thotë Kumrija dhe shpjegon se fjala “emigrantë” dhe “imigrantë” ndryshojnë si nata me ditën.
Sipas tij, “emigrantë” nënkupton largim ilegal nga vendi i origjinës, ndërsa “imigrantë” nënkupton shtetas të paautorizuar që vijnë nga jashtë.
Për të, klandestinët e “pranverës arabe” janë imigrantë në Shqipëri, pavarësisht statusit të tyre juridik.
Sipas tij, ndryshe nga Greqia, imigrantët arabë në Shqipëri trajtohen me respekt, i jepet e drejta të sqaroj pozicionin juridik, si dhe plotësojnë me ndihmën e një përkthyesi një pyetësor, ku përcaktojë statusi i tij i qëndrimit.
“Një pyetje që është pjesë e formularit të përzgjedhur, lidhet me konfirmimin e respektimit të së drejtës për të kërkuar azil”, thotë Kumrija, duke shtuar se shtetasi ilegal duhej të saktësojë në është viktimë e trafikimit, azil kërkuar apo imigrant i parregullt.
“Pasi përcaktohet juridikisht pozicioni i imigrantit, ai strehohet në një nga tre qendrat e mbyllura (qendër pritje) që janë ngritur tashmë në Shqipëri, Vlorë, Durrës dhe Tiranë”, thotë eksperti, ndërsa nënvizon se imigranti përfiton trajtim ushqimor, strehim, shpenzime telefonike, takim me përfaqësues konsullorë, me organizata humanitare, si dhe ka të drejtë të praktikoj besimin fetarë, e cila i garantohet me ligj.
Kumrija sqaron se një imigrant mund të qëndrojë në institucionin e pritje nga 14 ditë deri në 18 muaj, kjo sipas marrëveshjes së ripranimit.
“Sipas konventave ndërkombëtare, Shqipëria ka dy lloj marrëveshjesh ripranimi. Një marrëveshje dypalëshe dhe një me Komunitetin Evropian”, thotë Kumrija, duke nënkuptuar se në qoftë se Shqipëria ka marrëveshje dypalëshe me Afganistanin, atëherë procedurat e ripranimit janë të drejtpërdrejta, ndërsa në Siri, për shembull, ku protestat të përgjakshme ende vazhdojnë, atëherë zbatohet marrëveshje me Komunitetin Evropian, imigrantë përfiton status qëndrimit 18 mujorë, ose qëndron më gjatë në raste të veçanta.
Kumrija specifikon se asnjë imigrant nga 328 të ndaluar gjatë këtij viti, nuk ka kërkuar azil, ndërsa tre fëmijë afgan, që janë ndaluar disa muaj më parë nga policia, por fatkeqësisht figurojnë të pashoqëruar nga prindërit, janë në mbrojtje të shtetit.
“Nuk mund të thuhet se tre të miturit afganë janë viktimë të trafikimit të qenieve njerëzore. Është ende herët të përcaktosh një version të tillë. Rëndësi ka që ata tashmë gëzojnë shëndet të mirë, janë strehuar në një qendër sociale (jetimore), si dhe po punohet për integrimin e tyre”, thotë Kumrija.

Hulumtimi është realizuar me mbështetjen e projektit “SCOOP” dhe Shoqatës Daneze të Gazetarëve Hulumtues

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s