Reportazh – Investigativ / Banorët e Kosinës që u rivarrosën si ushtarë grekë

Nga Telnis Skuqi
KOSINA (Përmet) – Nisi Ballabani, 83 vjeç, nga Kosina e Përmetit, kërkon të qajë sipas zakonit gjyshen dhe dy fëmijët e saj binjakë, por nuk ka varr, u zhvarrosën pesë vite nga Kisha e Shën Mërisë, u betonizuan nëntë muaj më pas nga Prokuroria e Përmetit dhe së bashku me të edhe 66 varre të tjera (eshtra skeletike), që u nxorën nga prifti i fshatit Atë Vasil Themollari, me justifikimin se atje ishin prehur ushtarët grekë, të vrarë gjatë luftës italo-greke, në periudhën tetor 1940 – prill 1941.

“Gjyshja vdiq e re, afro 110 vite më parë. La jetimë dy fëmijë binjakë, por edhe këta na lanë shëndenë, vdiqën nga e njëjta sëmundje dhe u varrosën në kishën e fshatit, pranë varrit të nënës”, tregon Ballabani, ish-agronom i lartë.
Ballabani tregon se lufta italo-greke asnjëherë nuk u zhvillua në fshatin e tij, përkundrazi krismat ishin larg, madje shumë larg.
“Lufta u bë në kodrën e Qarishtes dhe në të gjithë vargmalin e Deshnicës, rreth 20 kilometra larg fshatit”, shprehet Ballabani. “Në fshatin Kosinë nuk është varrosur asnjë ushtar grek”, shton ai.
Si njohës i mirë i historisë së fshatit të tij, 83-vjeçari kujton se gjatë luftës italo-greke, ai ishte vetëm 11 vjeç.
“Mbaj mend gjithçka. Atëherë fshati ishte i vogël, jetonin 60 familje dhe të gjithë ishim të krishterë, por asnjë banor nuk u trazua 71 vite më parë me luftën, nuk ishte e jona, por e grekëve kundër italianëve, pavarësisht se u zhvillua në Shqipëri”, pohon Ballabani, ndërsa nënvizon se me Altin Ballabanin, personazhin që denoncoi në media gërmimet e paligjshme, nuk ka lidhje gjaku, thjesht i bashkon mbiemri.
Si atëherë edhe sot, vijon plaku, jetonim me bujqësi, blegtori dhe zejtari, ndërsa deri në vitin 1938 të gjithë të vdekurit preheshin pranë kishës, sipas zakonit shumëshekullor.
Ballabani thotë se fshati filloi të zgjerohej, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore.
“Gjatë sistemit komunist erdhën shumë familje myslimane dhe pas vitit 1970, u vendosën edhe vllehët. Kosina u dyfishua, nga 60 në 120 shtëpi. Kjo solli si domosdoshmëri krijimin e një varreze të re publike, që aktualisht ndodhet në fund të fshatit, në drejtimin juglindor”, shprehet Ballabani, ndërsa shton se fshati është të paktën 800-vjeçar.

ZHVARRIMI

Pesë vjet më parë, në javën e tretë të muajit maj, katër punëtorë, një prift dhe një përkthyes nga Gjirokastra, nisën gërmimet në Kishën e Shën Mërisë për të zhvarrosur brenda shtatë ditëve 69 eshtra shekullore.
“Më kujtohet si sot. Në fillim menduam se eshtrat do të zhvendoseshin në një vend tjetër, brenda mureve të kishës, por një nga katër punëtorët, Altin Ballabani, banor i fshatit, u revoltua pasi prifti at Vasil Thomollari, çdo ditë i transportonte eshtrat në fshatin Kutal, rreth 7 kilometra larg Kosinës”, thotë i moshuari.
Ballabani thotë se katër punëtorët paguheshin 15 mijë lekë të vjetra për çdo skelet që nxirrnin. Pagesa kryhej nga Alqiviadh Kosta, përkthyes nga Jorgucati i Gjirokastrës, ish-ushtarak.
“Prifti i fshatit ishte gjithmonë i pranishëm, po asnjëherë nuk u tregua i sinqertë me banorët”, thotë Ballabani, që shton se eshtrat ishin vendosur jashtë murit të kishës, në drejtim të perëndimit.
Qysh atëherë, vijon i moshuari, kemi frikë të vdesim, se vjen një prift dhe të bën martir me pahir.
“Një i krishterë nuk e ka traditë të lëvizë të vdekurin nga varri. Ajo që ndodhi në Kosinë është e rëndë, e dëmshme dhe e dënueshme”, mendon Ballabani.

FLET EKSPERTI GREK

Antropologu mjekoligjor grek, Kosta Eliopoulos, profesor në Universitetin e Liverpulit (Britania e Madhe), thotë se procesi i zhvarrimit kryhet vetëm nga profesionistët.
Njerëzit jokompetentë, thotë eksperti grek, nuk kanë njohurinë e duhur mbi skeletin e njeriut. Në këto raste përdoren metoda arkeologjike (gërmime), sidomos ku bëhej fjalë për të gjetur eshtra të vjetra dhe të përcaktohet saktë statusi i tyre.
“Zhvarrimet bëhen me mjete të vogla (furça e mistri) dhe vazhdimisht mbahen shënimet. Pra, me pak fjalë është shkatërruar ADN-ja”, flet Kosta, i cili ka qenë pjesëmarrës në disa ekspedita mbi varre masive në vende si Qipro, Sierra Leone apo Kurdistani.
Kosta thekson se ushtarët që ranë gjatë luftës italo-greke kanë humbur jetën duke luftuar ose kanë vdekur nga sëmundje, apo nga të ftohtit.
“Eshtrat e ushtarëve identifikohen lehtësisht, pasi në qoftë se është hequr plumbi nga trupi, ka shenja në kocka, ndërsa ushtari që ka vdekur nga një sëmundje apo për shkaqe natyrore ka shenja dalluese, si kopsa, matrikulli (numri identifikues), rrobat apo këpucët”, thekson Kosta.
“Unë dyshoj se disa njerëz u pasuruan, duke shfrytëzuar projekte nga Bashkimi Europian. Mendoj se ndryshe është shkruar projekti, ndryshe është zbatuar në terren dhe për këtë dikush duhet të mbajë përgjegjësi”, reagon Kosta, ndërsa dyshon se pas këtij zhvarrimi fshihet Ministria greke e Mbrojtjes.
Askush nuk ka të drejtë, vijon Kosta, të zhvarrosë eshtra, qoftë edhe civile, pa marrë më parë miratimin nga institucionet e specializuara.
“Në çdo vend të botës, qoftë edhe në botën e tretë, eshtrat e ushtarëve të rënë zhvarrosen dhe transportohen në atdhe, pasi më parë është nënshkruar një marrëveshje dypalëshe. Në fakt, në Kosinë ndodhi e kundërta. U shkatërrua një varrezë shekullore, eshtrat u vendosën në kuti metalike dhe një vit më pas u betonizuan. Kjo, për mua si specialist është e pafalshme”, reagon Kosta, ndërsa shton se 4-5 muaj përpara se të “plaste” në Kosinë, është thirrur si ekspert nga Ministria greke e Mbrojtjes pikërisht për këtë problem.
“Më kujtohet si tani. Një drejtues i lartë i Ministrisë greke të Mbrojtjes ishte i interesuar të dinte mënyrën se si zhvarrosen eshtrat. Personalisht e kam informuar se duhet përdorur mënyrë arkeologjike. Mendoj se dikasteri në fjalë hoqi dorë nga plani “A” dhe zbatoi planin “B”. Me pak fjalë, u përdor një prift dhe zhvarrimi u kthye në një proces ordiner”, përfundon Kosta.

MINISTRIA GREKE E MBROJTJES

Burime konfidenciale nga Ministria greke e Mbrojtjes e pohojnë faktin se kanë kontaktuar me ekspertin Kosta Eliopoulos disa vite më parë, pasi, sipas tyre, ky antropolog është specialist në grumbullimin e informacioneve skelektike, sidomos kur bëhet fjalë për eshtrat e ushtarëve të rënë gjatë luftës.
“Ne nuk jemi të interesuar të zhvarrosim varre civile dhe t’i konvertojmë në ushtarë grekë. Kjo nuk i shërben kujtimit të të rënëve, të cilët luftuan dhe dhanë jetën për Greqinë”, thotë një zyrtar i lartë i Ministrisë greke të Mbrojtjes, i cili preferoi të mbetej anonim.
“Shumë ushtarë grekë janë vrarë në malet (shpatet) dhe pyjet e Shqipërisë në vjeshtë-dimër të vitit 1940-1941, sidomos në Jug dhe Juglindje të saj”, shprehet zyrtari, duke saktësuar se nga 11.911 oficerë dhe ushtarë të vrarë në luftën italo-greke, afro 8000 ranë dëshmorë në territorin shqiptar.
Sipas tij, afro tre vite më parë, Ministria greke e Mbrojtjes ishte e interesuar për krijimin e katër varrezave ushtarake (Korçë, Përmet, Gjirokastër dhe Himarë), por qeveria shqiptare pranoi vetëm dy, një në fshatin minoritar Bularat (Gjirokastër) dhe një në Këlcyrë, rreth 25 kilometra larg Përmetit.
“Ministria greke e Mbrojtjes ka dhe do të tregojë vazhdimisht interes për të gjetur trupat e varrosur të ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar, por gjithmonë duke respektuar marrëdhëniet me fqinjët”, shprehet zyrtari i lartë.
Pyetjes në ka gisht Ministria greke e Mbrojtjes në zhvarrimin e 69 varreve në fshatin Kosinë, zyrtari i lartë është përgjigjur “jo”, duke e argumentuar se kjo nuk e nderon kujtimin e të rënëve.
“Ne jemi ortodoksë dhe kemi si parim t’i nderojmë të vdekurit dhe jo t’i zhvarrosim. Në qoftë se Ministria greke e Mbrojtjes do kishte fakte të pakontestueshme, institucioni në fjalë, do të kontaktonim me qeverinë shqiptare dhe ushtarët e rënë në luftën italo-greke do të zhvarroseshin me respekt, ashtu siç ata dhanë jetën me respekt për atdheu e tyre”, specifikon zyrtari.

PROKURORIA E PËRMETIT

Për Prokurorinë e Përmetit, zhvarrimi i 69 varreve qindvjeçare në fshatin Kosinë nuk përbën vepër penale, përkundrazi dy të pandehurit Alqiviadh Kosta dhe Atë Vasil Thomollari, të akuzuar për “dhunim të varreve” u liruan nga akuza.
“Gjatë hetimeve rezultoi se mungon ana subjektive e kësaj vepre penale, duke marrë për bazë se qëllimi kryesor i zhvarrimit ka qenë jo ‘dhunimi i varreve’, por nxjerrja e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në këtë territor gjatë luftës italo-greke, në vitet 1940-1941”, thuhet në vendimin nr. 32, të Prokurorisë së Përmetit.
Sipas prokurores së çështjes, Silvana Pani, pavarësisht se dy ekspertët mjekoligjorë, Sokrat Meksi dhe Fatos Harito, dokumentuan se eshtrat skeletike të ekzaminuara ishin njerëzore, midis të cilave kishte eshtra të individëve të seksit femëror, fëmijësh, si dhe të moshuar, por kjo ka ardhur si shkak i mosvënies dorë të varrezave që prej vitit 1945, si dhe mungesës së shenjave identifikuese të personave (emri, viti i lindjes dhe i vdekjes).
“Dy të akuzuarit kanë pasur si qëllim të vetëm nxjerrjen e eshtrave të ushtarëve grekë dhe jo dhunimin e varreve të të parëve të këtij fshati, gjë e cila mbështetet dhe me moskundërshtimin e këtyre gërmimeve nga banorët e këtij fshati”, thuhet në vendimin e prokurorisë.
Në deponimin e tij, prifti i fshatit Atë Vasil Themollari, e ka justifikuar veprimin e tij, duke e argumentuar se “ishte thërritur nga disa shtetas grekë, të panjohur për të, për të kryer procesin fetar të trisajisë (përshpirtjes), gjatë nxjerrjes së këtyre eshtrave”.
Ndërsa Alqiviadh Kosta, është shprehur se “ai nuk ishte në rolin e drejtuesit, por thjesht përkthyes i disa të afërmve (shtetas grekë), që interesoheshin për eshtrat e të parëve të tyre, të rënë si dëshmorë gjatë luftës italo-greke, të cilët ishin varrosur në fshatin Kosinë”.
Gjatë hetimeve, sipas vendimit nr. 32, Prokuroria e Përmetit nuk ka konstatuar dhunim varri, pasi, sipas organit të akuzës, në territorin ku është kryer zhvarrimi janë vendosur “kaq shumë individë”, madje, një pjesë e sipërfaqes është pushtuar nga vetë banorët e këtij fshati, duke vendosur mullarë bari e kasolle bagëtish.

FLET AVOKATI

Avokati gjirokastrit, Edmond Kore, thotë se për rastin e zhvarrimit të 69 eshtrave shekullore në fshatin Kosinë është konsumuar vepra penale e “dhunimit të varreve”.
“Më e papranueshme është se kjo vepër penale ka ndodhur brenda territorit të shtetit shqiptar, duke shkelur hapur ligjet dhe duke mënjanuar respektimin e legjislacionit shqiptar për kryerjen e veprimeve të tilla”, shprehet Kore.
Sipas tij, hapja e një varri, pa qenë pjesëmarrës pasardhësi i të vdekurit dhe pa marrë lejen nga institucionet e autorizuara nga ligji, quhet dhunim varri.
Kore argumenton se gjatë 20 viteve të fundit në shtetin grek kanë vdekur me qindra emigrantë shqiptarë dhe trupat e tyre ndodhen në varrezat publike.
Për paralelizëm, avokati kujton marrëdhënien ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, rreth viteve 1970, kur me komision shtetëror është bërë zhvarrimi i luftëtarëve shqiptarë të rënë në Luftën e Dytë Botërore në tokë jugosllave, deri në Vishegrad.
“Ushtarët e zhvarrosur u sollën në atdhe me nderime zyrtare të të dyja shteteve, deri në vendkalimin e Hanit të Hotit (Shkodër), me kufi me Malin e Zi. Ndërkohë, pretendohet se ushtarët grekë janë vrarë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu si luftëtarët shqiptarë që ranë dëshmorë jashtë kufirit në të njëjtën periudhë”, thotë Kore, ndërsa reagon se “qeveria greke ka deklaruar se në Shqipëri kanë rënë në luftën italo-greke mbi 8000 ushtarë, por në fakt numri i tyre është tepër i vogël, nga çfarë thotë pala e interesuar. Këto manovra janë të dëmshme për sigurinë kombëtare, pasi grekët mendojnë jo për sot, por për 100 vjet më pas”.

* Hulumtimi është realizuar me mbështetjen e projektit “SCOOP” dhe Shoqatës Daneze të Gazetarëve Hulumtues

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s