Reportazh / Gjirokastra, si metafore e artit pamor

 

Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Rodhalia Dhima, 18 vjeçe, është shpresa e fundit e piktorit të njohur gjirokastrit, Stavri Çati. Ajo mund ta përcjellë më tej artin pamor, por kjo varet nga këmbëngulja e saj.

Një ditë më parë, Rodhalia dhe mësuesi i saj, Çati, çelën në qytetin e Gjirokastrës ekspozitën “Art pranvere”, me motive folklorike dhe pamje nga qyteti i gurtë.
Ajo ka vlerësuar me tone pozitive qëndrueshmërinë që ka qyteti i Gjirokastrës në optikën e formimit të saj.
“Gjirokastra të ofron siguri të pikturosh. Natyra dhe pejzazhi ndryshojnë sipas stinës. Ky qytet paraqitet ndryshe në katër stinët e vitit. Çdo ngjyrë ka fragmentin e saj”, shprehet Rodhalia, ose Lola, siç i pëlqen t’i flasim.
Për të, të pikturosh është art. Të jetosh me penelin, nga mëngjesi deri në darkë, është pasion.
Lola mëson në gjimnazin gjuhësor “Pandeli Sotiri” dhe është nxënëse e shkëlqyer. Çdo javë, prej katër vitesh merr tre orë leksione pikture, nga mjeshtri gjirokastrit, Stavri Çati. Ëndërra e saj është arkitektura, por më fort ajo është e dashuruar me pikturën.
“Për mua piktura dhe arkitektura nuk kanë asnjë ndryshim. Të dyja janë profesione që lidhen me artin. Është e vështirë të “divorcohen” nga njera-tjetra”, shprehet Lola, ndërsa tregon se ajo ndihet tashmë fatlume që hapi ekspozitë pamore me mësuesin e saj.
“Jam krenare që mësuesi im ekspozon punimet e tij sëbashku me nxënësen e saj. Kjo ka një mesazh domethënës, pasi arti pamor në Gjirokastër do të trashëgohen tek brezi i ri”, pohon Lola.
Stavri Çati, piktori i traditës gjirokastrite, thotë se arti pamor në qytetin e gurtë, do të vazhdojë udhën që ka nisur qysh prej fillimshekullit të XX.
“Kam çelur shumë ekspozita lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, por kjo e fundit është si “qershia mbi tortë”. Sot ndihem më i ri se kurrë. Lola është shembulli më i mirë se arti pamor do të vazhdojë të lulëzojë në qytetin e Gjirokastrës”, shprehet Çati, 73 vjeç.
Për të, kjo ekspozitë ka si qëllim të përcjellë tek publiku mesazhin se arti pamor gjirokastrit ka shpresë t’i mbijetojë tregut, pavarësisht vështirësive ekonomike të dy dekadave të fundit.
“Jetojmë në ekonomi tregu. Çdo njeri ka në dorë të përfaqësojë një prirje dhe ta përcjellë atë tek publiku. Pastaj është artdashësi ai që vendos për ty”, specifikon Çati.
Arti në Gjirokastër, vijon ai, e ka zanafillën nga mesjeta, ndërsa arti pamor është shfaqur në fillim të shekullit të kaluar, nga artisti Odise Paskali, me skulpturën e Çerçiz Topullit.
Harallamb Margariti, pedagog i Arteve Figurative, pranë Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastrës, i cili ndjek bisedën, thotë se, përpara se të vendosej busti i Çerçiz Topullit, pranë zonës muzeale, përballë hotel “Çajupi”, në fillim ka kaluar në “filtrat” e publikut.
“Im atë, ende gjallë, kujton se në vitin 1923, busti i Çerçizit brodhi ditë të tëra, në të gjithë qytetin, derisa u “filtrua” nga qytetarët, pastaj u vendos në sheshin kryesor”, shprehet Margariti.
Pas Odise Paskalit, në skenën dolën motrat Zengo, me origjinë nga Zagoria, të cila dijen për artin dhe kulturën i morën në Greqi, por e shtrinë dhe e prefeksionuan në Gjirokastrës, tha ai.
“Pas Luftës së Dytë Botërore, arti pamor u kthye në traditë, ku çdo vit kishte ekspozita lokale dhe kombëtare. Pikturat përfaqësoheshin nga Bashkim Ahmeti, Dashamir Çuberi, Stavri Çati, Jani Guxo, Jorgo Miçi, Jorgo Kokalani, Ksenofon Kostaqi, Thimjo Fili, apo nga skulptori Stefan Papamihali, të cilët i dhanë jetë artit gjirokastrit”, rrëfen Margariti.
Më tej, ai tregon se të gjithë këta artistë sollën rryma të ndryshme në artin pamor, por vet Gjirokastra i ka ndihmuar ata të mos “infektohen” nga arti i realizmit socialist.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s