Reportazh / Çukë, kufijtë shtetërorë shpërthehen nga zbulimet arkeologjike

Nga Telnis Skuqi
SARANDË – Studiuesit ishin të sigurt se Çuka, rreth 7 km larg Sarandës, ishte një zonë arkeologjike, por mungonin provat deri në vitin 1986.
Rreth 26 vjet më parë, rastësisht disa fermerë, teksa kryenin punimet bujqësore ndeshën në një zbulim rradhë.

Dhimitër Çondi, arkeolog, kujton se rreth 30 metra larg një banese të fortifikuar, në anën perëndimore, u gjetën një grup objektesh arkeologjike.
“Qysh në fillim objektet arkeologjike tërhoqën vëmendjen për karakterin dhe shumëllojshmërin e tyre”, shprehet Çondi, duke shtuar se gjatë gërmimeve dolën në dritë 18 enë balte, 4 maja shigjetash stralli, një kamë bronzi, si dhe dhjetra fragmente qeramike të shpërndara në një sipëfaqe prej 30 metra katror, që i përkishinin shek. XVII-XVI p.e.sonë.
Sipas tij, kjo objekte ishin groposur afro 2 metra nën tokë, gjë që dëshmon se aty është bërë një djegie e fuqishme.
“Më kujtohet si tani. Grupi i arkeologëve ndeshi në një shtresë dheu të trashë, me mbeturina djegieje, thëngjij e hi, që kishin lënë gjurmë të dukshme edhe mbi objektet”, thotë Çondi.
Për të, 18 enën prej balte janë bërë nga brumë argjilor i pastër, i përzier me rërë të imët, i pjekur mirë, por që nuk kishin arritur të ketë një lidhje të fortë.
“Format e enëve janë të modeluara mirë, me sipërfaqe të shtrirë në mënyrë të njëtrajtshme, pa formuar faqe të lëmuar. Enët kanë ngjyrë kafe të çelët dhe gri, gjithnjë mat dhe të njëjtë nga të dy faqet”, shprehet Çondi, ndërsa saktëson se asnjë enë e gjetur nuk ishte e zbukuruar.
Interes të veçantë, vijon Çondi, paraqet forma e enëve, një gjysmësfere, me grykë të gjerë e buzë që dalin në formën e një strehe të theksuar, ngrihet vertikalisht lart e ngjitet përsëri në buzë, ndërsa fundin e ka të gropëzuar lehtë.
Një tjetër zbulim intersant, që doli në dritë të diellit 26 vjetë më parë, janë katër majat shigjetash prej stralli.
Çondi argumenton se majat e shigjetave janë bërë nga stralli i cilësisë së lartë, kanë ngjyrë gri e të zezë, si dhe kanë madhësi të ndryshem.
“Shigjetat janë të imëta. Tipologjikisht veçojmë dy tipa: maja shigjetash në formën e një trekëndëshi dybrinjënjëshëm me thellim në baza dhemaja shigjetash në formë trekëndëshi dybrinjënjëshëm që ka në bazë një zgjatim trapezoidal të shkurtër”, thotë Çondi, duke saktësuar se ekzemplari më i madh është i gjatë 4,7 cm, ndërsa i vogëli 2.5 cm.
Tipa të tillë maja shigjetash stralli, specifikon Çondi, janë gjetur në Pazhokut (Elbasan), Piskovë (Përmet), por ato janë ndeshur edhe në Maliq (Korçë) gjatë epokës së bakrit.
Ndërkaq, gjatë gërmimeve arkeologjike në Çukë, tregon Çondi, u zbulua dhe një kamë bronzi, e pajisur me thembër vezake të gjerë, me fletë prerëse dhe me një majë jo shumë të mprehtë.
“Kama e Çukës tipologjikisht është e njëjtë me kamën e varrit nr. 16 të Vodhinës, me ndryshimin se kjo e fundit e ka thembrën më vezake dhe fletën prerëse pak më të ngushtë. Kama e Çukës ka elemente strukturore-morfologjike që janë karakteristike për kamat e hershme egjeane të minoikut të hershëm II dhe të minoikut të mesëm II . Armë të tilla të përhapura në tërë Egjeun kanë vazhduar të përdoreshin edhe gjatë minoikut të mesëm III”, thotë arkeologu Çondi, duke shtuar se këto objekte dëshmojnë se ato kanë ardhur nga Egjeu në rrugë detare, gjë që është krejt e natyrshme.
Sipas tij, kama ka një shtrirje të gjatë kohore. Ajo jep një datë më të saktë edhe për varrin qendror të tumës së Bajkajt.
“Kama ka një kurriz mesi me prerje rombike jo të theksuar. Doreza jometalike ka qenë mbërthyer me fletën me tre thumba bronzi të vendosur një në mes dhe dy në pjesën më të gjerë të thembrës. Mbi thumbin e mesit ka pasur një gjuhëz të shkurtër, nga e cila dallohet vetëm fillimi i saj. Kama është e gjatë 23 cm, e gjerë tek thembra 5 cm. Është ruajtur relativisht mirë. Ka të dëmtuar pjesërisht tehun dhe njërën anë të thembrës, ku ka qenë mbërthyer edhe njëri nga tre thumbat”, shpjegon Çondi.
Në përfundim, arkeologu Çondi, thotë se objektet e Çukës kanë interes të investigohen më tej, pasi forma të tilla janë konstatuar në Gajtan (Shqipërinë e Veriut) dhe Tren (Korçë), duke mbuluar gjithë territorin e vendit tonë.
“Kjo shfaqje kulti shpreh karakterin e njëjtë etnik të bartësve që përdorën këto kushtime dhe, sëbashku me dëshmitë e tjera arkeologjike, mbështet tezën e historiografisë sonë, për karakterin e njëjtë kulturore dhe etnik të gjithë territorit të vendit tonë gjatë epokës së bronzit të mesëm”, mendon Çondi.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s