DENONCIMI I JETIMËVE: “SHOQATAT PO NA MASHTROJNË”

JETIMET-GJIROKASTER-24 KORRIK 2013Nga Telnis Skuqi – Endri Keraj
GJIROKASTËR– Rajmonda Hysi, nënë e pesë fëmijëve jetimë, nuk është një grua që ka shumë kohë të lirë. Në moshë të mesme dhe me flokë të thinjur, ajo ka një pamje fisnike, por për një moment vështrimi i saj bëhet e trishtuar.

Prej 15 vitesh jeton e ve. Bashkëshorti u larguar përjetësisht nga kjo botë. Ai ishte elektricist dhe iku tragjikisht nga jeta. Vdiq duke ndihmuar dikë për të hapur një pus. U mbarua oksigjeni dhe u asfiksua nga gazi.
Rajmonda erdhi nuse me mblesëri nga Klosi i Beratit dhe prej 25 vitesh jeton në Kalivac, fshati që ndodhet afro 22 kilometra larg Tepelenës. Për të, gjëma ishte dopjo katastrofë. Bashkëshorti iku, por i la pas pesë fëmijë, katër vajza dhe një djalë.
“Vetëm tetë muajsh e gëzoj djalin e vetëm”, thotë Rajmonda, 47 vjeçe, e cila shtoi se e kishte “zemrën e thyer” dhe fshin lotët.
Aktualisht ajo jeton në një cep të fshatit. Banesa e saj nuk i plotëson kushtet e mbijetesës. Muri rrethues ka filluar të rrokulliset, si kalaja e Rozafës, ndërsa çatia e shtëpisë gati të shemben. Dyshemeja prej betoni është e ndarë në dysh. Asgjë nuk është e sigurtë.
Çdo mëngjes e nis jetën me mungesën e ujit. “Më kollaj gjej bukën se sa uji. Çdo ditë marr 30 litra ujë tek komshinjtë. Ka raste që kemi ngelur pa të”, shprehet Rajmonda, ndërsa thotë se në banesë nuk ka asnjë çezme.
Për të, jeta në Kalivaç është luftë me kohën. Fëmijët duan ushqim, veshmbathje, si dhe shkollim, megjithatë jo të gjitha Rajmonda i plotëson.
“Të ishte gjallë Xheneti (bashkëshorti) do ndihmonte veten dhe të tjerët, por nuk ishte e thënë”, thekson Rajmonda.
Prej vitesh ndihmohet financiarisht nga pushteti vendor. Shteti e dëmshpërbleu me 35 mijë lekë në momentin e fatkeqësisht, ndërsa aktualisht jeton me 13 mijë lekë në muaj, prej të cilave 9 mijë lekë nga pensioni i burrit dhe 4 mijë lekë nga asistenca e komunës.
“Unë jam vetë e treta tashmë, pasi tre vajza i martova qysh në fëmijëri. Aktualisht jetoj djalin 14 vjeçar dhe vajzën 18-vjeçare. Rriten fëmijët shtohen shpenzimet. Ata kërkojnë shkollim. Nuk kam mundësi t’i përballoj me 13 mijë lekë në muaj”, bën llogari Rajmonda.
Më tej, nëna e pesë fëmijëve, thotë se ndihma e shoqatave humanitare pothuajse ka qenë inekzistencë.
“Mbaj mend që tri vite më parë mora një pako nga shoqata e jetimëve “Zemër nëne” me qendër në Gjirokastrës. Çfarë të shikoje. Në vend të ushqimeve më kishin vendosur një lepurush lodër. Një tallje të tillë mos e paftë as hasmi”,- thotë Rajmonda.
Sipas saj, kryetaria e kësaj shoqate kurrë nuk harron të grumbulloj kuotën e anëtarësisë prej 600 lekë në vit për çdo person. Çdo fillimvit ajo më premton parajsën dhe më pas zhduket si fantazëm.
“Na ka thënë që do na jepte 50 $ në muaj, por deri tani asgjë”, flet Rajmonda, ndërsa akuzën kryetaren e shoqatës së jetimeve, Liljana Katiraj për mashtrim.
“Liljana është vetë fatkeqe. Ka katër fëmijë jetim. Të dy jemi bashkëmoshatare. Të dy jemi të keqarsimuar, por nuk ia kam borxh që ajo të luaj me fatin e fëmijëve të mi”, shton Rajmonda.
“Në kurthin e mashtrimeve nga shoqata “Zemër Nëne”, vijon Rajmonda, “kanë rënë qindra jetimë në qarkun e Gjirokastrës”.
“Nuk dimë ku të shkojmë. Sapo gjejmë mbështetje zhgënjehemi. Ky është turp”, pohon Rajmonda, e cila këtë vit ka ndërmend të dërgoj në universitet vajzën e saj, megjithatë vështirë të realizohet, nuk ka të holla.
“Deri tani nuk kam nxjerrë asnjë fëmijë me arsim të lartë. Sivjet kam shpresë, por nuk kam lekë të paguaj tarifën e universitetit. Shoqata e jetimëve “Zemër Nëne” nuk të ndihmon. E kanë mendjen vetëm të shpërndajnë lepurusha”, thotë Rajmonda e revoltuar.
Astrit Dervishi, kryekomunari i Krahësit (Tepelenë), thotë se jetimët janë pika e tij e dobët.
“Përpiqem të bëj çmos për t’i ndihmuar, por jo të gjithë i kënaq. Në komunën time ka gjithësej 15 jetimë, 6 janë pa prindër dhe jetojnë tek gjyshërit e tyre, por në kushte mjerane”, shprehet Dervishi.
Sipas tij, komuna u jep atyre asistencë 5-6 mijë lekë në muaj. Fatkeqësisht jo të gjithë përfitojnë statusin e jetimit.
“Shoqata “Zemër nëne” u ka dhënë atyre disa libreza e karta antarësie që nuk “pijnë uji”. Madje, kjo shoqatë ka lëshuar disa autorizime të kundraligjshme ndaj pushteti vendor. Nuk e kuptoj çfarë kërkon kjo shoqatë. Statusin e jetimit e jep shteti, jo organizatat”, thotë Dervishi me habi.
Më tej, Dervishi thekson se jetimët rriten në komunën me vështirësi, por asnjëherë nuk i ka munguar ndihma e pushtetit vendor.
“Personalisht nuk e kuptoj rolin e kësaj shoqate. Ne ndihmojmë jetimët, ndërsa jetimët ndihmojnë shoqatën”, nënvizon Dervishi.
Liljana Katiraj, kryetare e shoqatës “Zemër Nëne”, thotë se kjo organizatë humanitare funksionon qysh prej 2003 në 32 njësi vendore në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa burimet zyrtare nga Gjykata e Tiranë saktësojnë se kjo shoqatë është regjistruar ligjërisht në nëntor të 2009.
“Në shoqatë kam të rregjistruar 450 fëmijë jetim. Rreth 270 prej tyre janë të moshës nga 0-12 vjeç dhe këtyre fëmijëve unë ju jap nga 50 Euro në muaj nga një projekt që kam fituar nga ambasada e Arabisë Saudite”, tregon Katiraj, ose “Nëna Lili”, siç e quan veten.
Sipas saj, 80 studentë jetimë trajtohen me bursë të plotë nga shoqata e saj dhe vazhdojnë studimet jashtë shtetit.
“Unë kam të rregjistruar 20 fëmijë pa prindër dhe nuk i kam drejtuar në Shtëpinë e Fëmijës, sepse atje punonjësit thjeshtë marrin rrogën e tyre dhe s’duan t’ia dinë për jetimët”, specifikon Nëna Lili, ndërsa shton se prej disa muajsh shoqata e saj disponon një godinë të madhe, “dhuratë” e kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime.
“Flamuri më ka ndihmuar shumë. Në shtator godina do nis punë. Rreth 50 fëmijë jetim do të akomodohen, por në të ardhmen do rritet kapaciteti.
Atje do kem një staf të plotë me drejtor, koordinator, kujdestar, kuzhinierë e pastrues”, shprehet Nëna Lili.
Në fakt, Nëna Lili nuk ka ndërmend të rri duarkryq. Ajo ka “një ëndërr” për veten e saj dhe të shoqatës. Së shpejti do të themeloj Partin e Grave të Veja. Në zgjedhjet parlamentare që parashikohen të zhvillohen në qershor 2017 do të kandidoj për deputete në qarkun e Gjirokastrës.
“Vota i kam. Të garantoj që personalisht do të ulem në karrigen e kryeparlamentaresh dhe të garantoj se jetimët do të kenë mbështetjen time”, shprehet Nëna Lili, e cila mendon se renditet e dyta si humanitare, pas Nënë Terezës.
Për të, jetimët janë të braktisurit e shtetit. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (MPCSSHB) nuk u ka dhënë statusin ligjor, ndërsa Komuna Krahës (Tepelenë) është zona ku jetojnë më shumë fëmijë jetim.
Rajmonda nënvizon se në rrethin e Tepelenës shumë fëmijë jetim janë braktisur nga nëna, pasi ato janë rimartuar me “merhuma”, siç etiketon ajo (në ligjerat të drejtë), ndërkohë fëmijët jetojnë me gjyshërit.
Ajo thotë se ndihmat nuk kanë munguar nga biznesmenët e jugut, por ndihet një hezitim nga donatorët.
“Nuk di ta shpjegoj hezitimin e donatorëve të huaj, megjithatë kam shpresa nga ambasadori i Suedisë”, specifikon Rajmonda.
Dhimitër Mejdi, përgjegjësi i Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH) për qarkun e Gjirokastrës, e vlerëson të dyshim aktivitetin e shoqatës humanitare “Zemër nëne”, madje akuzon drejtuesen e kësaj organizate për shpërdorim detyre.
“Gjatë kontrollin të ushtruar në disa njësi vendore, në jug të vendi, kemi konstatuar dokumenta të pavlefshme nga shoqata “Zemër Nëne”. Kjo organizatë është jofitimprurëse dhe nuk ka të drejtë të lëshoj autorizime në drejtim të pushtetit vendor. Statusi i jetimit nuk e jep shoqata, por shteti”, shprehet Mejdi, ndërsa nënvizon për të përfituar Statusin e Jetimit një individë duhet të plotësoj disa kritere dhe të gjitha kanë lidhje me institucionet e shtetit.
Mejdi pohon se kjo organizatë ka hapur vazhdimisht probleme me strukturat sociale. “Jetimët kanë genin e mbijetesës, por ata kanë nevojë për integrim. Në Gjirokastër ka plotë jetim të braktisur që sot janë histori suksesi, pasi ata kanë ditur të orientohen. Vetëm shkollimi dhe aftësia individuale e tyre ka bërë që shumë prej tyre aktualisht jetojnë të integruar në shoqëri”, thotë Mejdiu.
Më tej, përfaqësuesi i SHSSH, mendon se në qarkun e Gjirokastrës nuk ekziston një shoqatë e përfilltë për jetimët, madje janë ndihen dyfish të braktisur nga këto organizata jofitimprurëse.
“Personalisht nuk mund të bashkëpunoj me një shoqatë të tillë, ku vet drejtuesja ka konflikt të pastërt interesi. Ajo nuk është rritur jetime, por fëmijët e saj rriten jetimë. Nuk dua të paragjykoj aktivitetin e saj, por deri tani ajo ka punuar si “kaçake”, gjë që bëhet e pabesueshme tek institucionet shtetërore”, thotë Mejdi, ndërsa nënvizon se çdo organizatë e tillë ka nevojë për garanci.
Sipas tij, “shoqata “Zemër Nëne” nuk ka arkiv, as bilance. Numri është fiktiv, ndërsa besueshmëria është zero”.
“SHSSH e ka domosdoshmëri bashkëpunimin me organizatat jofitimprurëse, pasi na lehtëson në punën tonë. Fatkeqësisht e kemi të vështirë komunikimin me drejtuesen, pasi Liljana (Nëna Lili) nuk përfaqëson realisht interesat e jetimëve. Kjo shoqatë ka një ç’organizim të organizuar”, thekson Mejdi.
Elenita Dobi, eksperte projektesh, thotë që të administrosh një shoqatë duhet të plotësohen një sërë kriteresh.
“Asnjë shoqatë nuk ka të drejtë të nis aktivitetin e saj pa u regjistruar më parë në Gjykatën e Tiranës”, nënvizon Dobi, ndërsa thotë se çdo organizatë duhet të ketë një vulë të rrumbullakët, duhet të ushtroj aktivitet në përputhje me legjislacionin shqiptarë, të inkurajojë anëtarët, të shesë, të japë grante, bursa studimi apo ndihma financiare individëve, të cilët e meritojnë, si dhe të lehtësoj aplikimin e anëtarëve.
“Parimin i pjesëmarrjes dhe anëtarësisë së vullnetshme duhet të jetë i lirë për çdo qytetarë shqiptarë”, thekson Dobi, ndërsa nënvizon se çdo shoqatë krijohet për një periudhë të pacaktuar kohore.
Dobi thotë se çdo shoqatë ka organet drejtuese, si bordin, kryetarin, zv/kryetarin, si dhe sekretar-financier, të cilët janë të përhershëm.
“Të gjithë anëtarët e shoqatës kanë të drejtë të marrin pjesë dhe të votojnë në Mbledhjen e Përgjithshme të Anëtarëve. Mbledhja e Përgjithshme e Anëtarëve mund të mblidhet në mbledhje të zakonshme ose të jashtëzakonshme. Çdo anëtar ka të drejtën e një vote”, shprehet Dobi.
Më tej, ekspertja e projekteve, thotë se bordi drejtues dhe kryetari/ja vepron vetëm në emër të shoqatës.
“Bordi drejtues kontrollon dhe drejton aktivitetin e shoqatës, punëson persona për nevojat e shoqatës, është përgjegjës për projektet, si dhe propozon kontributin e pagesës për anëtarësim, të gjithë këto protokollohen pranë sekretarisë”, specifikon Dobi.
Roli i drejtuesit, vijon Dobi, është i rëndësishëm për mbarëvajtjen e shoqatës.
Kryetari ose kryetarja drejton të gjitha mbledhjet e shoqatës dhe të bordit drejtues. Ai/ajo ka kompetena që janë të nevojshme për një përfaqësues ligjor, si dhe ka të drejtë të përfaqësoj shoqatën përpara palëve të treta.
“Sekretar-financier ka një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e shoqatës. Ai/ajo mban procesverbalet dhe të dhënat e shoqatës në librat përkatës. Sekretari jep dhe dërgon të gjitha njoftimet për anëtarët e shoqatës. Ai është ruajtësi zyrtar i vulës së shoqatës. Financieri përgatit në periudhat e parashikuara, të vendosura nga Bordi Drejtues, një deklaratë me shkrim të financës së Shoqatës dhe një raport i tillë i bashkëngjitet fizikisht procesverbalit të kësaj mbledhjeje të Bordit Drejtues”, shpjegon Dobi, ndërsa shton se çdo shoqatë ka niptin dhe numrin e saj të llogarisë në një nga bankat e nivelit të dytë.
“Të gjithë kuotat e antarësimit depozitohen pranë numrit të llogarisë dhe administrohen nga Bordi Drejtues, jo nga kryetari/ja”, shprehet Dobi.
Dobi shprehet se nëqoftëse një donator ka dëshirë të ndihmoj një shoqatë humanitare, në fillim kërkohet historikun e saj.
“Çdo aktivitet humanitarë duhet të protokollohet pranë sekretarisë së shoqatës. Çdo qindrakë që jepet nga individë apo donatorë vendas apo të huaj duhet detyrimisht të pasqyrohet në bilancë, gjë që mesa di unë shoqata “Zemër nëne” nuk e ka kryer kurrë një auditim pranë zyrës së tatim-taksave”, thotë Dobi
Lidhur me bilancin e shoqatës “Zemër nëne”, drejtuesja e kësaj organizate, Liljana Katiraj, nuk pranoj të intervistohej për këtë artikull, pavarësisht këmbnguljes së dy gazetarëve investigativ, të cilët disa herë kërkuan takim “kokë më kokë” me të.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s