NË LAZARAT, ATY KU HASHASHI “MBROHET” ME GJAK

PLUMBAT-PLAGOSJE-LAZARAT-13 GUSHT 2013Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Shpëtoi mrekullisht! Fati ishte me të. Erdhi nga Greqia një ditë më parë, për të takuar prindërit dhe befas një plumb qorr nga Lazarati përfundon në trupin e saj. Dy plagë, një në bark dhe një në krahun e djathtë.

Limoz Lazaj, babai i vajzës, vrapon si i çmendur drejt urgjencës së Gjirokastrës. Gjithçka ndodhi sa hap e mbyll sytë mbrëmjen e djeshme në lagjen “Zinxhira”.
“Ime bijë ishte në dhomën bashkë me vajzën e saj”, nis rrëfimin Limozi. “Për ta nuk ka armëpushim. Lazaratasit qëllojnë natën e ditën. Ata nuk mendojnë se në Gjirokastër jetojnë afro 35 mijë banorë. E kanë mendjen vetëm tek hashashi”, shprehet Limozi, agronom.
Limozi thotë se, çdo ditë lazaratasit qëllojnë me kallashnikov drejt Gjirokastrës. Policia hesht. “Jemi ankuar në polici, por ata na kanë këshilluar të fshehemi në banjo. Turp!”, shprehet Limozi.
Sipas tij, vajza e tij, P. Duri, do të qëndrojë mbi një javë në spital.
“Ajo (vajza) ka marrë dy plagë. Në fillim plumbi ka goditur indet (muskujt) e barkut, më pas ka përfunduar në krahun e djathtë”, tregon Limozi.
“Doktorët bënë më të mirën. Ata nuk pranuan ta heqin plumbin pa u stabilizuar më parë gjendja shëndetësore. Ajo kishte humbur shumë gjak”, vijon ai.
Limozi specifikon se në lagjen “Zinxhira” jeton prej 9 vitesh. “Ika nga malet e Golemit për t’i shpëtuar fukarallëkut, por prej 8 vitesh jam i “bombarduar” nga plumbat e lazaratit”, thotë Limozi.
Fatmirësisht, vajza që shpëtoi nga plumbi ndodhet jashtë rrezikut.
Roland Karralliu, mjeku kirurg, tha se gjendja shëndetësore e 26 vjeçares u stabilizua një orë pasi mori ndihmën e parë mjekësore.
“Ishte me fat. Për disa milimetra ajo mund të kishte humbur jetën. Pacientja ka probleme me gjakun. Ndërhyrja kirurgjikale e përshpejtuar mund të rrezikojë jetën e saj. Presim që ajo të përmirësohet”, nënvizon Karralliu.
Saktësisht në Gjirokastër nuk dihet se sa persona janë plagosur nga plumbat e Lazaratit. Disa ditë më parë, në lagjen “18 shtatori”, pranë TVGJ (Televizioni Gjirokastra), mbi 10 klientë kanë shpëtuar për qime, ku një plumb hyri në lokal, “brodhi” andej-këtej dhe përfundoj në tualet.
Kostandin Dudumi, banon prej 20 vitesh në lagjen “Zinxhira”, tregon se çdo ditë ai jeton me ankthin se një ditë një plumb mund të plagosë atë apo familjen.
“Kuzhinën e kemi kthyer në dhomë gjumi, sidomos në periudhën qershor-shtator”, thotë Dudumi. Shteti, vijon Dudumi, nuk ndihet. Policia vjen dhe ikën, ndërsa plumbat fluturojnë mbi kokat tona.
“Çdo pallat apo shtëpi është goditur nga plumbat e lazaratit. Fatmirësisht nuk kemi pasur të viktima, por vetëm të plagosur, si rasti i familjes Lazaj”, shprehet Dudumi.
Dudumi shpreson se një ditë situata do të marrë fund. Sipas tij, banorët gjirokastritë nuk i kanë asnjë borxh Lazaratit.
“Nuk kuptoj cilin qëllojnë. Zoti dhe policia ndodhet larg. Ata e kanë lënë Lazaratin zonë të lirë. Janë marrosur nga hashashi dhe nuk dinë çfarë bëjnë. Po vrasin njerëz të pafajshëm”, thotë Dudumi i revoltuar, ndërsa shton se, “nëse situata vazhdon kështu, atëherë edhe ne kemi të drejtë të nxjerrim kallashnikovët nga “foleja” dhe të qëllojmë mbi fshatin Lazarat, që ta kuptojnë se sa vlen jetët tona. Po rriten fëmijët me frikë”.
Ankthi i plumbave të Lazaratit prej vitesh është bërë shqetësuese për banorët gjirokastritë. Plumbat godasin çatitë prej guri. Policia grumbullon vetëm provat, ndërsa armët nuk gjenden.
“Është e pamundur të bëjmë analiza balistike. Fatkeqësisht armët gjenden në Lazarat. E kemi të pamundur t’i sigurojmë këto mjete ushatarake. Fshati është i armatosur. Nuk duam të shkaktojmë viktima”, shprehet një ekspert kriminalistike, i cili preferon të ngelet anonim.
Sipas tij, shteti duhet të ndërhyjë në Lazarat me forma të ndryshme, për të detyruar “trimat” të mos qëllojnë drejt fshatit.
“Askush nuk ka interes të hapë konflikt me shtetin. Personalisht nuk e kuptoj pse krizën e tyre e transportojnë në qytet. Kjo tregon se ata kanë frikë dhe mendojnë se me tytën e armëve mund të rimarrin në kontroll situatën”, shprehet eksperti.
Më tej, i njëjti zyrtar thotë se situata nuk mund të vazhdojë kështu. “Aty ku liria e individit cënohet, atëherë shteti duhej të veprojë dhe të mos heshtë. Kreta (Greqi) është shembulli më i mirë. Narkomatët vranë një polic, disa vitë më parë. Shteti veproi. Ushtria dhe policia ndërmorën një aksion disaditorë. “Të paprekshmit” u zhdukën maleve, ndërsa hashashi dhe armët u bllokuan”, tregon eksperti.
Fakti që Lazarati vazhdon të jetë i padepërtueshëm nga policia, vijon eksperti, tregon qartë se dikush është i interesuar.
Burimet konfidenciale nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastër, pohojnë se aktualisht në Lazarat janë kultivuar mbi 500 mijë rrënjë hashash, me vlerë fillestare 100 milionë euro. Pothuajse i gjithë fshati është i angazhuar në kultivimin e bimës narkotike. Fare pak familje nuk marrin pjesë në këtë biznes fitimprurës. Ata janë besimtarë. Sivjet, kultivimi i hashashit ka marrë përmasa të frikshme. Qindra dynym kodrina janë kthyer në tarraca. Madje, disa familje kanë ndërtuar vepra. Në lagjen e sipërme të fshatit, disa familje lazaratase kanë ndërtuar blloqe të mëdha betoni. Ata tokën e shkretë e kanë kthyer në hambar. Kërkesa për hashashin e Lazaratit në tregun ndërkombëtar, si dhe periudha e tranzicionin politik, e ka trefishuar sipërfaqen e prodhimit.
“Ata janë të vendosur që biznesi i tyre të vazhdojë më tej dhe kush guxon t’i dalë përpara e ka pisk”, shprehen burime nga policia lokale.
I njëjti burim zyrtar thekson se aksioni i ditës së sotme, ku u shoqëruan 58 punëtorë krahu, si dhe u bllokuan pesë automjete, nuk ka cënuar aspak kultivimin e hashashit në Lazarat.
“Lazaratasit kanë një infrastrukturë për t’u admiruar. Aksioni i sotëm ishte “një pikë në oqean”. Gënjejmë veten”, shtuan burimet zyrtare vendase.
http://www.investigim.al

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s