SKANDAL / BOTEM “AHENG” ME TEKSTET SHKOLLOR TË MINORITETIT

BOTEM-BUXHETI 2013Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Prej dy vitesh nxënësit e minoritetit grek, në jug të vendit, po marrin dije pa tekste shkollore dhe kjo për Athina Manthos është një katastrofë për gjeneratën e re.

“Kam dy fëmijë. Njëra mëson në klasë të parë, ndërsa tjetëri në të dytën”, rrëfen Manthos.
Sipas Manthos, vajza e saj 6-vjeçare mëson “abc” pa abetare, ndërsa djali 7-vjeçar studion me libra të fotokopjuara.
“Turp më të madh nuk ka. Është e pafalshme që në vitin 2013 fëmijët të mësojnë pa tekste shkollore”, shprehet Manthos, ndërsa nënvizon se ky ngërc nuk ka ekzistuar dy vite më parë.
Manthos e vlerëson situatën problematike dhe të papranueshme për standardet e arsimit parauniversitar.
“Çdo ditë, dy vogëlushët e mi kërkojnë me të drejtë librat shkollor. Unë mundohem t’i mbaj me shpresë, por deri tani Ministria e Arsimit ka heshtur”, thotë Manthos.
Manthos tregon se një vit më parë, djali i saj mësoi të shkruaj dhe të lexojë me një abetare krejtësisht skandaloze.
“Im bir, sot është na klasë të dytë dhe nuk di të shkruajë dhe të lexojë, pasi abetarja ishte një libër jashtë standarde mësimore. Në këtë tekst nuk gjeje jo vetëm pasqyrimit e programit lëndor, por as metodën me të cilët është hartuar. Nuk e kuptoj si është lejuar ky tekst i rëndësishëm shkollor të qarkullojë në klasat e para. Kush përgjigjet për këtë problem”, pyet Manthos, ndërsa shton se abetarja me autore Konstandina Ksera ishte një rrëmujë e vërtetë, sa edhe vetëm mësueset e kundërshtuan, por u detyruan ta pranojnë kërcënimeve të bashkëshortit të autores, ish ministërit të Punëve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.
Situata, vijon Manthos, është përkeqësuar gjatë këtij viti. Drejtoria Arsimore po përpiqet të sigurojë tekstet shkollore, por Shtëpia Botuese e Teksteve Mësimore (BOTEM) ka prodhuar vetëm 3 nga 67 tituj për arsimin 9-vjeçarë.
Pandeli Papa, kryetari i Shoqatës së Mësuesve të Minoritetit (SHMM), thotë se situata është problematike dhe se bëhet fjalë për neglizhencë dhe abuzime të Ministrisë së Arsimit dhe BOTEM që ka marrë përsipër botimin e 97 teksteve për fëmijët e minoritetit në ciklin parauniversitar.
“Vetëm një përqindje e vogël e teksteve mësimore është në proces botimi, ndërsa numri më i madh i titujve, sipas informacioneve të marra në rrugë zyrtare, ende nuk ka nisur botimin”, shprehet Papa.
Sipas tij, disa qindra nxënës të minoritetit grek në Gjirokastër, Delvinë dhe Sarandë e kanë nisur vitin shkollor pa tekste.
“Botimet nuk kanë mbërritur për asnjë prej klasave të shkollës 9-vjeçare, ndërsa për shkollën e mesme ato kanë munguar totalisht. Shkolla më e madhe e gjuhëve të huaja, “Pandeli Sotiri”, që pret fëmijë nga minoriteti grek në rrethin e Gjirokastrës, po has vështirësi shumë të mëdha në menaxhimin e situatës”, specifikon Papa, ndërsa nënvizon se me një llogari të thjeshtë matematikore, kostoja e 67 teksteve mësimore, me 100 kopje secila, për arsimin 9-vjeçar, nuk i kalon më shumë se 2.7 milionë lekë.
“Nuk besoj se shteti shqiptar vuan për 2.7 milionë lekë të reja, të cilat mund t’i paguaj vet prindërit e nxënësve. Sipas informacioneve nga kataloget e ALTERTEKSTIT dhe çmimit të vendosura nga BOTEM, për të dyja minoritetet, si greke dhe maqedonase, sot nxënësit e këtyre komuniteteve do të kishin librat, nëqoftëse kjo shumë nuk do të përdorej për rikontruksionin e godinës së BOTEM, investim që është kryer në fund të vitit të kaluar”, specifikon Papa, ndërsa saktëson se gjatë 20 muajve të fundit, BOTEM ka marrë nga buxheti i shtetit afro 300 milionë lekë.
“Me këtë fond që është përdorur nga BOTEM, për 10 vjetë nxënësit e minoritetit nuk do të vuanin mungesën e teksteve shkollore. Kjo është abuzim me paratë e taksapaguesve”, shton ai.
Dhimitër Qiqi, administrator i shtëpisë botuese “OMIROS”, që ka përgatitur dhe shtypur tekstet në gjuhën greke qysh prej vitit 2005, vit që korrespodon me liberalizimin e teksteve shkollore, e quan të padrejtë shtetëzimin e librave shkollor të minoritetit.
Këtë veprim, Qiqi e quan diskriminues për nxënësit dhe mësuesit e minoritetit, të cilët nuk kanë të drejtë si çdo fëmijë shqiptar të përzgjedh tekstin më të mirë.
“Përjashtimi i shtëpisë botuese “OMIROS” nga tregu ishte politik, në një kohë që tekstet e kësaj shtëpia botuese ishin miratuar dhe çertifikuar nga ALTERTEKSTI dhe kishin afat deri në hartimin e programeve të reja”, thotë Qiqi.
Qiqi pranon se prodhimi e teksteve shkollore për minoritetet natyrshëm kishte çmim të lart, për shkak të tirazhit të tepër të vogël, por çmimet ishin vendosur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së atëhershme.
Qiqi tregon habi për fondit që ka administruar BOTEM, pasi, sipas tij, 300 milionë lekë për 20 muaj nuk i përgjigjen çmimeve të teksteve shkollore.
“Është katastrofë që sot nxënësit e minoritetit grek dhe maqedonas nuk kanë libra për të mësuar, të cilat sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit duhej të ishin shpërndarë qysh më 25 gusht. Në fakt, prej dy vitesh nuk është kryer një shërbim i tillë”, mendon Qiqi.
Më tej, Qiqi thotë se BOTEM në mënyrë të jashtëligjshëm ka vjedhur hapur të drejtat e autorit.
“Në një shtet ligjor, BOTEM është i detyruar të paguaj kokër më kokër përkthyesin dhe art designerin (faqosësin), gjë që deri tani nuk ka ndodhur kurrë. Në fakt, BOTEM i ka konsideruar përkthyesin dhe faqosësin persona të dorës së dytë”, thotë Qiqi.
“BOTEM nuk mund të pasurohet, duke shfrytëzuar djerësën e tjetrit. Mbi 40 tekste shkollore janë faqosur nga një specialist, i cili nuk ka përfituar asnjë qindarkë, ndërsa klientelistët janë bërë sot pasanik”, shprehet Qiqi.
Një vit më parë, gazetarja e NEWS 24 për qarkun e Gjirokastrës, Eri Muco, u skandalizua nga përmbajtja e teksteve shkollorë të minoritetit, prodhuar nga BOTEM.
“Çfarë të shikoje. Autorët që ishin “rekrutuar” nga BOTEM për të prodhuar tekste shkollore ishin joprofesionistë. Në tekstet e saj kishte përmbajtje fetare dhe tema diskriminuese për emigrantët shqiptarë. I tillë ishte libri i klasës së gjashtë, dega greqisht, brenda së cilit flitesh mbi lindjen e Jezu Krishtit, edhe pse një temë e tillë është e ndaluar me ligj”, thotë Muco.
Një tjetër abuzim në përmbajtjen e teksteve, vijon Muco, u gjend në librin “Qytetaria”, të klasës së 9-të, ku një prej temave mësimore ishte diskriminimi i shqiptarëve në Greqi.
“Një profesionist i mirë kurrë nuk do ta bënte një gjë të tillë. Për mendimin tim, shtëpia botuese BOTEM duhej të tërhiqte nga qarkullimi librat, gjë që nuk e bëri. Shkaku dijet. Ishin libra klienteliste dhe për ta është një biznes në kurriz të edukimit të fëmijëve minoritarë”, thotë Muco.
Pirro Milo, sekretar i ALTERTEKSIT pranë Ministrisë së Arsimit, thotë se asnjë tekst shkollor për arsimin shqiptar nuk është futur në treg pa u çertifikuar më parë nga ALTERTEKSI.
“Nuk mund të komentoj mbi përmbajtjen e librave shkollor të minoritetit që janë prodhuar nga BOTEM, pasi kjo shtëpia botuese nuk i ka paraqitur pranë komisionit”, tha Milo në linjë telefonike.
Ziso Lluci, specialist për Koordinimin Rajonal dhe Inspektimin pranë MASH-it, i kontaktuar një vit më parë, tha se puna e teksteve shkollore është shtetëzuar me vendim të qeverisë shqiptare, në vitin 2012, vit ku qeveria greke hoqi dorë nga prodhimit, për shkak të krizës ekonomike.
Sipas tij, tekstet janë përkthyer e përshtatur në nivelin cilësor të gjuhës letrare greke, duke u përshtatur dhe ruajtur raportet me gjuhën letrare shqipe.
“Titujt e shpërndara për nxënësit minoritar arrijnë në numrin 25 dhe brenda shtatorit do të përfundojnë edhe tekstet e klasave të pesta e të nënta, tekste që deri më sot nuk kanë ekzistuar në gjuhën greke”, shprehet Lluci.
Në fund të intervistës, Lluci më “këshilloj” që shkrimi investigativ të mos botohet, pasi, sipas tij, ky është një biznes që nuk i takon BOTEM-it, por “të fortëve”, të cilët gëzojnë poste të rëndësishme shtetërore.
Duke iu referuar faqesh “online” të Ministrisë së Financës (www.minfin.gov.al), gjatë 20 muajve të fundit janë “prishur” afro 300 milionë lekë të vjetra për prodhimin e teksteve shkollore të minoriteteve.
Pjesa më e madhe e fondit kanë shkuar për pagat e punonjësve dhe honorare të majme, ndërsa 2362146 milionë lekë të reja janë “piketuar” për restaurimin e godinës së shtëpisë botuese BOTEM dhe shlyerja e detyrimit është bërë në 8 dhjetor 2012.
Lirika Çoçoli, drejtoresha e BOTEM-it, nuk ka pranuar të intervistohet, pavarësisht se është telefonuar disa herë nga gazetari investigativ.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s