PORTRET – MIHAIL KALASHNIKOV BABAI I AUTOMATIKUT LEGJENDAR RUS

MIKHAIL KALASHNIKOV-MOSKE-23 DHJETOR 2013Nga Olga Nedbajeva
MOSKË, 23 dhjetor /ATSH-AFP/ – Mihail Kalashnikov, babai i automatikut më të famshëm, i cili vdiq sot në moshën 94 vjeç, lavdëroi gjithë jetën thjeshtësinë shembullore të kësaj arme simbol të BRSS-së, e shitur në rreth 100 milionë kopje.
Kalashnikov është një nga rusët më të njohur në botë.
Ai është gjithashtu një ndër personat e nderuar me më tepër medalje në vendin e tij, por, ai nuk ka patur pothuaj asnjë përfitim nga shpikja e tij, e përdorur nga ushtritë e më tepër se 80 vendeve.Pushka simbol AK-47 – imazhi i të cilës figuron në emblemat e gjashtë shteteve – do të mbetet pa dyshim edhe për shumë kohë arma më e përhapur në planet, sepse prodhimi i saj është pak a shumë jashtë çdo kontrolli.
Siç e ka pohuar edhe vetë shpikësi, “gjysma, në mos më tepër e kalashnikovë të prodhuar, janë armë kontrabandë”.
“Prodhova armë për të mbrojtur shoqërinë tonë”, theksoi ai gjatë ceremonisë së 90-vjetorit të tij, duke pranuar në të njëjtën kohë se “nuk është e këndshme të shohësh gjithëfarë lloj kriminelësh të qëllojnë me armët e mia”.
“Sigurisht që më vjen keq, ashtu si të gjithë. Por, mund t’ju them një gjë: nëse do të më duhej ta prodhoja përsëri, do të bëja të njëjtën gjë”, përfundoi ai.
Fati i shpikësit dhe ai i pushkës së tij përzihen me historinë e Bashkimit Sovjetik.
I lindur më 10 nëntor 1919 në një fshat të vogël të Siberisë, Mihail Kalashnikovi pati një rini tragjike. Familja e tij, e konsideruar si “fshatarë të pasur” (kulak), është viktimë e represionit stalinist: kur ishte 11 vjeç, ai u dëbua.
Njëri nga vëllezërit u burgos në Gulag. Dhe deri në perestrojkën e Mihail Gorbaçovit, gjenerali Kalashnikov, delegat në kongresin e Partisë Komuniste të BRSS-së, do të qëndrojë gojëkyçur, edhe brenda familjes, lidhur me “këto sekrete të tmerrshme”.
Pavarësisht të gjithave, konstruktori ka rrëfyer në vitin 2000 se ishte mjaft i prekur nga shpërbërja e BRSS-së dhe se nuk ngurronte të mbronte sistemin komunist “ku nuk ishte aq keq”.
I plagosur që në betejat e para mes nazistëve dhe sovjetikëve në vitin 1941, Kalashnikovi evakuohet dhe fillon të krijojë atë që në 1947 do të bëhet automatiku AK-47, një pushkë “jashtëzakonisht e thjeshtë, e bërë për një ushtar i cili nuk ka diplomë”, siç thoshte ai.
Kalashnikovi tregoi në një nga librat e tij se armët automatike ishin ndaluar nga Ushtria e Kuqe në prag të Luftës së Dytë Botërore me një urdhër të zëvendës-ministrit të Mbrojtjes të cilin askush nuk guxoi atëherë ta kundërshtonte.
Për inxhinierin, kjo shpjegon pjesërisht humbjet e para të mëdha gjatë ofensivës naziste kundër BRSS-së.
“Kalashi” i tij i solli respektin e të gjithë specialistëve.
Uzi Gal, shpikësi izraelit i mitralozit (vdekur në vitin 2002) i kishte thënë Kalashnikovit se “ju jeni një konstruktor i pashoq dhe më kompetenti”.
Trupvogël, por i kujdesur për veten, inxhinieri gjithmonë është mburrur për aftësitë e tij për të rregulluar gjithçka.
“Gjatë gjithë jetës sime, nuk kam marrë asnjëherë një marangoz apo një elektricist”, thoshte ky i apasionuar pas peshkimit, i cili në moshën 90 vjeç shkonte akoma katër ditë në javë në punë në uzinën Izhmash që prodhon armët me emrin e tij.
Djali i tij Viktor vazhdoi gjurmët e të atit dhe krijoi pistoletën-automatik Bizon-2, e përdorur nga policia ruse.
“Im atë dhe unë mund të ishim bërë milionerë, si shpikësi amerikan i Mi-16 Eugene Stoner i cili merrte një dollar për çdo pushkë të shitur. Por, sistemi rus nuk e lejon”, shpreh keqardhjen Viktor Kalashnikov.
Sepse Rusia, eksportuesja e madhe e armëve nuk u përpoq që Kalashnikovit t’i njihej e drejta e pronës intelektuale.
“Kalashnikov” është sot një markë që po humbet rëndësinë duke marrë forma të ndryshme: çadra, thika, orë dhe një makinë që mban këtë emër. Dhe sigurisht një vodka, pija e preferuar e gjeneralit, i cili, sipas tij, “i bën më mirë trupit sesa Coca-Cola”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s