Piktori dhe hashashi

11219139_10153217836446523_2367706768130216878_n

Telnis SKUQI
Kam pasur rastin ta përgëzoj personalisht, madje t’i jap edhe dorën ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, mbi një vit më parë, ku sapo kishte nisur aksioni kundër kultivimit të kanabisit në fshatin Lazarat.
E kam bërë këtë veprim me ndërgjegje, sepse besoja se kauza ime shumëvjeçare po merrte vëmendje të veçantë nga qeveria e pas 23 qershorit 2013.
Këtë veprim nuk e kam bërë fshehurazi, përkundrazi të pranishëm në fshatin Derviçan kanë qenë shumë gazetarë lokalë dhe reporterë ndërkombëtarë, madje njëri prej tyre i habitur më pyeti: “Si ja jep dorën një ministri, kur ai të ka quajtur ‘i keqpërdorur’ nga politika?”.
Sinqerisht atë veprim e ka bërë me sinqeritet të plotë dhe pa komplekse personale, kur dy muaj përpara se Policia e Shtetit të ndërmerrte aksionin më të madh në historinë e vet në fshatin Lazarat, nuk ishte në gjendje të siguronte jetën e familjes sime nga grupet kriminale që ishin bërë aktive shumë në Jug të vendit.
Sot gjërat kanë ndryshuar krejtësisht në krah të kundërt. Lazarati është fshirë njëherë e mirë nga lista e zezë e policisë, ndërsa Tepelena, Përmeti, Delvina, Vlora dhe gjithë Shqipëria është pushtuar nga jeshillëku i kanabisit.
Përpara 23 qershorit 2013, hashashi realisht ishte monopoli i fshatin Lazarat, jo i fermerëve, por i grupeve kriminale. Mijëra punëtorë, kryesisht nga Shqipëria e Mesme, vërshonin si lumenjtë drejt Lazaratit.
Qindra fermerë po pasuroheshin me kanabisin, ndërsa dhjetëra trafikantë të lidhur direkt me ministrat dhe deputetë kishin hapur pafund numra llogarie në bankat e nivelit të dytë.
Sikur të mos mjaftonte kjo veprimtari kriminale, bosat e krimit, të alkoolizuar deri në fyt, qëllonin papushim me armë zjarri drejt qytetit të Gjirokastrës.
Dy vajzat e mia, pjesën më të madhe të jetës së tyre nuk e shijuan kurrë në dhomën e tyre të gjumit. Ato fjetën në kuzhinë, sepse plumbat qorr vinin të paftuar në banesës sime.
Këtë fat e kanë përjetuar edhe bashkëqytetarët e mi, sidomos banorët e lagjes “Zinxhira”. Ishte e pafalshme që në vitin 2014, një nënë e re të përfundonte “plumb” në spital e plagosur nga një plumb qorr, sepse gabimi i saj ishte se po ushqente me gji foshnjën e sapoardhur në këtë jetë.
Prandaj, unë i lashë mënjanë inatet personale dhe vendosa ta përgëzoj ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahirin, për aksionin që ndërmori kundër fshatit Lazarat.
Ende pa kaluar një vit, sërisht Shqipëria po përjeton krizën e dytë të kanabisit, madje me përmasa akoma më të frikshme.
Qeveria e vendit tim është e pafuqishme të luftojë kultivimin e hashashit.
Aksioni i suksesshëm në fshatin Lazarat është shumëzuar me zero, pasi nuk solli përmirësim të situatës, por përhapje të saj.
Grupet kriminale që i shpëtuan rrethimit falë edhe ndihmës së Policisë së Shtetit, kanë gjetur shtigje të reja, madje me sipërfaqe akoma më të gjera se fshati Lazarat.
Gusmari, fshati i origjinës së ministrit të Punëve të Brendshme, është kthyer në tokë pjellore për kanabisin, ndërsa rrethi i Tepelenës është bërë hambar.
Dy fotografitë e publikuara nga lideri i opozitës, Lulzim Basha, tregojnë fare qartë se Tepelena është tashmë “kryeqyteti” i hashashit, ndërsa Memaliaj, Përmeti dhe disa fshatra në rrethin e Gjirokastrës, kultivojnë kanabis për llogari të suksesit të policisë.
Një nga sukseset më të mëdha për grupet kriminale është kapja e hapësirës ajrore.
Ky sukses për trafikantët është mundësuar nga qeveria e pas 23 qershorit 2013.
Në fillim, Kryeministri Rama nuk e pranoi një fakt të tillë, madje deklaroi në podiumin e Kuvendit të Shqipërisë se do të jap dorëheqjen nga posti që mbaj nëse faktohet një “mushkonjë”.
Ende pa përfunduar deklaratën e tij amatoreske, një “mushkonjë” e tejmbushur me hashash ngec në rërën e Divjakës, ndërsa dy persona, një shtetas italian dhe një shqiptar, bien në pranga.
Në fillim ishte Saimir Tahiri që tentoi ta manipulojë ngjarjen, duke deklaruar se avioni me hashash u kap pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit, por shumë shpejt versioni i tij zyrtar u rrëzua nga vetë ministri i Punëve të Brendshme, ndërkohë Rama qysh prej muajit maj të vitit 2014, nuk guxon të tallet me “mushkonjat”, sepse aktualisht mushkonja po fluturojnë qetësisht në hapësirën ajrore të territorit shqiptar.
Prej dy vitesh, grupet kriminale e kanë kthyer në art transportimin ajror të hashashit, ndërsa Kryeministri i vendit tim vetëm pikturon avionët shumëngjyrësh.
Transportimi i hashashit nuk përfundon me kaq. Kulmi arriti në dy javët e para të muajit shtator të këtij viti.
Dy avionë u bllokuan nga policia italiane, ndërsa ministri i Brendshëm i vendit tim, nxitoi sërish të deklarojë versionin “alla Saimir” për ngjarjet.
Dyshja Rama-Tahiri asnjëherë nuk pranojnë dështimet, ata gjithmonë e gjejnë fajtorin, një herë akuzojnë radarët që nuk punojnë, një herë akuzojnë sistemin TIMS që nuk identifikon personat e shpallur në kërkim, si rasti i vëllait të deputetit Frroku dhe në fund akuzojnë PD, a thua vallë që prej dy vitesh nuk qeverisin këta, por Saliu.
Këtë kishte si qëllim edhe konferenca “bombë” e qeverisë.
Të dy rilindësit u përpoqën t’ia hedhin fajin Saliut dhe PD dhe të largonin nga vetja çdo përgjegjësi.
Në konferencën shumëngjyrëshe të ndezur, çfarë nuk u tha nga dyshja Rama-Tahiri, por asnjëri prej tyre nuk mbajti përgjegjësinë pse harta e kultivimit të hashashit është shumëfishuar, një vit pas aksionit të Policisë së Shtetit në fshatin Lazarat.
Kur një qeveri ka vullnetin e mirë për të luftuar bimën e jashtëligjshme, nuk ka nevojë për konferenca “alla Ramë”, por lufton me vendosmëri ndaj grupeve kriminale, ashtu si bëri qeveria kolumbiane në vitet 1985-1993 ndaj trafikanti Pablo Escobar.
Fatkeqësisht, dyshja Rama-Tahiri bënë të kundërtën.
Ata nëpërmjet medias përcollën mesazhe dashurie për grupet kriminale, madje aksidentalisht ata pranuan një të vërtetë, që aktualisht Shqipëria është histori suksesi në kultivimin e hashashit dhe kjo falë piktorit Kryeministër që nuk njeh artin e kanabisit.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s